Metrologjia në afera korruptive me zhvatësit e konsumatorit

    461
    Sigal

    Inspektimi në pikat e karburanteve, gjobë për 76 subjekte

    Drejtoria e Metrologjisë ka publikuar dje rezultatet e inspektimit të harkut kohor 05.10.2013 -15.11.2013 të subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e tregtimit të karburanteve dhe gazit. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, janë inspektuar dhe janë mbajtur kontrolle në 225 subjekte, që dispononin në total 488 aparate matës të karburanteve me një total prej 2251 pistoleta furnizuese. Janë bllokuar nga grupet e inspektimit dhe u është kërkuar riverifikim për 341 pistoleta, pasi gjatë testimeve rezultuan me gabime të matjes jashtë kufirit ligjor të lejuar. Për 76 subjekte janë mbajtur procesverbale dhe janë marrë masa administrative, pasi kishin në përdorim, instrumente matës të paverifikuar, instrumente që u kishte kaluar afati i verifikimit periodik si dhe dëmtime nga subjekti të shenjave metrologjike, veprime këto në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Metrologjinë (i ndryshuar). Edhe pse në këtë inspektim kanë rezultuar shkelje në dëm të konsumatorit, edhe një herë Drejtoria e Metrologjisë nuk publikon emrat e 76 subjekteve që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Mesa duket, më shumë se “ligji” i cili mbron biznesin nga “falimentimi”, është fakti që këto institucione i mbajnë të fshehur shkelësit për të ushtruar presion për mitmarrje dhe allishverishe. Pasi, nuk mund të punohet me dy standarde, biznesi të mbrohet dhe konsumatori jo. Konsumatori ka të drejtë të dijë se kush e manipulon dhe e zhvat. Ai ka të drejtë që në bazë të këtij informimi të zgjedhë vetë subjektin nga ku do marrë shërbimin.

    Objekti i inspektimeve

    Drejtoria e Inspektimit Metrologjik, ka ngritur grupet e inspektimit, me qëllim kontrollin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e tregtimit të karburanteve dhe gazit si dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e parapaketimeve. Këto inspektime kanë pasur si objekt dhe konsistuar në:

    a. Kontrollin e subjekteve të tregtimit të karburanteve dhe të parapaketimeve lidhur me zbatueshmërine ligjore në fushën e metrologjisë.

    b. Mbështetje të aktivitetit të metrologëve, lidhur me subjektet që nuk kryejnë verifikimin e instrumentave matës.

    c. Evidentimin dhe kontrollin e dokumentacionit metrologjik që disponojnë keto subjekte.

    d. Kontrollin vizual dhe teknik të instrumentave matës (pistoletave, dozatorëve, peshoreve), dhe të shenjave metrologjike që kanë vendosur punonjësit e DPM-së.

    e. Mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe të shtetit, si dhe parandalimin e shkeljeve të ndryshme nga subjektet që nuk veprojnë në përputhje me Ligjin për Metrologjinë.

    Inspektimi në subjektet e bukës

    Ndërkohë që, inspektim ka pasur edhe në subjektet e tregtimit të bukës. Rezultatet e inspektimit në subjektet si furra buke dhe pastiçeri, paraqiten si me poshtë:

    -Janë inspektuar dhe janë mbajtur kontrolle në 105 subjekte që dispononin 106 instrumenta matëse (peshore elektronike).

    – Nga këto subjekte 97 rezultojnë me instrument matës të verifikuar

    -8 subjekte rezultojnë me instrumenta matëse të paverifikuara

    -8 subjekte janë sanksionuar me masë administrative, me gjobë

    Metrologjia, shkak i pasigurisë së konsumatorit

    Dr. Islam Cani

    Peshat, masat, metri dhe të gjitha njësitë matëse janë kthyer në një shqetësim psikologjik për konsumatorin, si dhe një dëm ekonomik e shëndetësor. Së fundmi, është shtuar së tepërmi fenomeni i vjedhjes në peshë i gjithë produkteve. Para konsumatorit dhe buxhetit të tij familjar, janë dhe disa barriera, që ndeshen me to përpara se të marrë vendime në blerje, apo në marrjen e shërbimeve të domosdoshme.

    Së pari: Në tregun e hapur ai ndodhet para një sërë peshash dhe mjeteve që peshojnë që nga kandarët e vjetër të kohës së Turqisë; pesha të tjera balancuese të kohës së Italisë, me disa masa metalike që populli i emërton gurë peshe të mbushura apo të pa mbushura me plumb; pesha me sustë të zgjatura vertikale; të rrumbullakta në formë sahati; deri tek peshat elektronike. Kjo lloj mënyre e të peshuarit e shqetëson konsumatorin, sepse vete blerësi është i paqartë për saktësinë e këtyre peshave.

    Së dyti: Kur bëjmë fjalë për masat, të gjitha llojet e lëngjeve, solucionet që i serviren konsumatorit janë nga më të ndryshmet si; metalike, alumini, llamarine, inoksi etj. dhe këto të sajuara, por që vetëm kanë emrin dhe ekzistencën e tyre sepse ato vërtetë nuk praktikohen si masë. Mos të harrojmë se është dhe një lloj tjetër “masa e gjellës”, garuzhde, për përdorim në restorante si racion bazë etj.

    Së treti: Konsumatori ynë përballet edhe me një problem tjetër siç është metri (njësi matjeje) me masën e metrazheve. Metrit i ka mbetur vetëm emri, sepse tregtarët që shesin metrazhe, këtë masë e kanë pikturuar dhe gdhendur në tavolinën e tyre të tregtimit, ku blerësi nuk sheh asgjë në matje, por duart e shitësit që numërojnë në lëvizje. A janë plotësuar 100 cm në masë, pra, 1 metër!?

    Së katërti: Paketimi i cili në të dhënat ligjore bazohet në kilogramin e përcaktuar si produkt i shportës (kg) që duhet të jetë 1000 gram, sikurse deklarohet edhe ne etiketën e paketimit. Këtu nuk duhet të keqkuptohemi se kjo masë mund te jete ne ambalazh dhe 200 apo 500 gram, por ne kërkojmë që të jetë pesha në përputhje me atë çka deklarohet në ambalazhin e produktit.

    Së pesti: Një problem tepër shqetësues për konsumatorët është pesha e bukës. Edhe kjo bazën e përllogaritjes dhe të deklarimit të gramaturës e ka të përcaktuar në masën e kg, pra, buka masive bazohet në 1 kg çmimi.

    Së gjashti: Konsumatorët shqiptarë po përballen me një problem jo vetëm shqetësues, por që paraqet dhe rrezikshmëri jetike, sikurse janë tregtimi i petroleve (hidrokarburet), i energjisë elektrike, shërbimet me impulse në telefoni, matësat e ujit, matësa të tjerë që shërbejnë në spitale e qendra të tjera shërbimi, ato të narkozës, mos të harrojmë se dhe mikroskopët janë pjesë e kontrollueshme në përllogaritje që bëjnë numërimin e rruazave të gjakut, të mikrobeve, etj dhe një gabim kushton shumë në diagnostikimin e të sëmurit, si dhe elektronika në përgjithësi.

    Ku është përgjegjësia e administratës përkatëse, por dhe detyrë për të mbrojtur qytetarin nga këto goditje? Pra, Shoqata e Konsumatorit e ndjen të nevojshme që në respekt të administratës t’i ketë parasysh këto mangësira, sepse çdo veprim apo mos veprim i inspektoriateve, i specialistëve e deri tek një mos njohje apo mos zbatim i ligjeve, i kërkesave për konsumatorët ka një kosto ekonomiko-shëndetësore, psikosociale etj.Këto gjëra më mirë se kushdo tjetër i dinë specialistët e DPMK (peshë matja metrologjia). Specialistet e saj grupohen dhe janë si të gjithë inspektoriatet e tjera, jo vetëm që të konstatojnë, por ata kanë përgjegjësi dhe të vendosin dhe të kërkojnë rregulla në mbrojtjen e konsumatorëve.