Marigoja, vajza që qëndisi flamurin kuq e zi

    1556
    Sigal

    E vërteta e flamurit që u ngrit nga Ismail Qemali më 28 Nëntor të vitit 1912

    Marigo Posio, është mbiemri i burrit, ndërsa ai i vajzërisë është Poçi. Ka shumë rrëfime për qëndisjen e flamurit nga ana e saj. Marigoja u lind në Korçë, me 2 shkurt 1892 dhe vdiq në 23 shkurt 1932. Ishte e bija e Papakosta Poçit dhe Lenka Ballauri me origjinë nga Voskopoja. Ajo kishte dhe dy motra; Urania Poçi (e martuar me Kristo Floqi) dhe Angjeliqi Poçi (e martuar me Koço Kosta, Kryeministër në kohën e mbretit Zog). Marigoja u martua me Jovan Posio nga Hoçishti i Devollit. Familja u vendos më vonë me banim në Vlorë. Marigo do të lindte tri vajza, Evridhiqi, Fereniqi dhe Liria. Evridhiqi u martua me një ushtar italian dhe emigroi. Marigoja vuante nga turbekulozi, sëmundje e pashërueshme për kohën. Po ashtu ajo humbi edhe shikimin gjatë viteve të fundit të jetës. Po kështu Marigo shkruante dhe botonte në shtypin e kohës dhe mjaft poezi, si për shembull, kushtuar Avni Rustemit; “Ti vrapove porsi plumbi/ Ti u bëre erë e hije/ Shkele, shkove dhe e shove/ Shqipërinë e shpëtove…”.

    Flamuri kombëtar

    Sipas Zhaneta Poçit , mbesë e Marigo Posios, Marigoja e qëndisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Don Mark Vasa, për pajën e saj qëkurse ishte çupë. Këtë flamur ajo ja dha Ismail Qemalit! Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm, me shkabë në mes dhe anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”. Natyrisht ka edhe një variant tjetër sipas të cilit, thuhet se Marigoja, copën e flamurit e ka blerë në një nga vendet ballkanike.