Lumturi Ymeri Bersava/ Poezi

    381
    Sigal

    QIELL NË GRUSHTE…

     

    Ç’trishtim që ka qielli i gritë

    përplasen orët në mugëtirë

    Frymën ma ngrin

    shqisat m’i mpin…

    Zgjas duart

    e marr qiellin në grushte

    e shtrydh fort

    të mos i mbetet pikë lot…

    Me fijet e përhirta

    ngatërruar nëpër gishta

    lidh skajet e shpirtit

    I tendos

    të ngjall një akord

    të rënkimit të shuar

    gjëmimit të shkuar…

    Një rrufe më mbet,

    në duar më djeg

    Me dy pupla malli

    e mbështjell

    si kujtim në ikje

     të dimrit që ngutet

    me qiell në grushte…

    KËTË MENDIM

     

    Ta vras këtë mendim të ngurtë

    sa më rëndon në fund të frymës?!

    Ta bëj thërrime heshtjesh

    fotosintezë gjethesh

    me vjeshtë-zverdhjesh

    ndryshkjesh

    rëniesh

    Dimra ngricash brymrash kalbjesh…

    e ta shkel!

    Ta vras këtë mendim

    qepur qefi’n trupit tim

    Sa shumë do pres

    Se s’ka harresë…

     

    NJË FILL…

     

    Mbjell gjurmën hapi yt

    në prag, edhe të ditës

    një “hëm” prej fytit

    qëron mbetjet e …zënkës.

    Dy rrokje pastaj të pazëshme,

    “po dal” i dëgjoj, siç të ndjej

    mekjen e frymës…

    Merr fillin e lëmshit

    që pleksëm të dy

    dhe ikën ta lidhësh

    …tek një gotë

    a një tjetër botë

    e skaji i nyjtë

    më mbet në dorë…

    Një fill që bëhet meridian

    sa shpejt na ndan

    sa larg na mban

    …një oqean!

    Por, ja, në kthim

    si vetëtim’

    Ti botën kris

    një vullkan ndez

    ky fill, në heshtë

    zemrës, përmes

    në prag ku pres

    në mua…vdes!