Kush dhe si e përfiton asistencën. Çfarë përfitojnë fëmijët në atdhe

    1679
    Sigal

    GREQI/ Asistenca e papunësisë.OAED, njihuni me 11 asistencat që mund të përfitoni

    Sa herë shkruajmë ose diskutoni për OAED, shumica sjellin në kujtesë asistencën e papunësisë. Në fakt, OAED, akoma dhe në këtë periudhë kritike ofron diçka më tepër se kaq.

    Përveç asistencës për të papunët, janë një sërë ndihmash të tjera ekonomike, akoma dhe për të punësuarit, të cilat shumica, pavarësisht se i plotëson kriteret, nuk i përfiton për mungesë informimi.

    11 asistencat e OAED:

    1-Asistenca e papunësisë, 360 euro + 10% për çdo fëmijë. Dokumenti bazë, vërtetimi i pushimit nga puna dhe “ensima”.

    2-Asistenca e ndërprerjes së punimeve nga biznesi apo mospagesa e rrogës nga punëdhënësit (“episkesi ergasias”). Përfitojnë sa nuk plotësojnë kriteret e asistencës së papunësisë, në rast se për çdo arsye punëdhënësi nuk paguan apo ndalon punimet. Ndërkaq, vitet e fundit përfitojnë dhe të gjithë punëtorët që ngrenë padi ndaj punëdhënësve për moshlyerjen e rrogave.

    3-Asistencë Speciale. Asistenca speciale është e njohur dhe si Asistenca për punëtorët e Ndërtimit, përderisa shumica e përfituesve nga emigrantët janë punëtorë në këtë fushë. Por janë një listë me profesione që përfitojnë këtë ndihmë, procedura për të cilën ka filluar dhe përfundon në 30 nëntor. Gjithashtu, kjo asistencë jepet pas Asistencës së Papunësisë, për të gjithë sa nuk punësohen deri në 1 muaj pas mbarimit të afatit të kësaj të fundit. Përfituesit duhet të përfshihen në nenin 22 të ligjit 1836/89 dhe janë kryesisht punëtorë të ndërtimit, bojaxhinjtë, muzikantët, këngëtarët, aktorët etj.

    4.Asistencë për të rinjtë 20-29 vjeç. Të rinjtë e kësaj moshe që janë të regjistruar si të papunë mbi një vit, marrin 73,37 euro në muaj, për 5 muaj, gjithesj 367 euro. Këtu duhet pak kujdes tek kriteret, pasi shumica e asistencave subvencionohen nga BE për shtetas të BE-së apo homogjenë grekë të Shqipërisë.

    5.Pagesa nëse punëdhënësi nuk është korrekt me detyrimet 3-mujore. Programi për mbrojtjen e punëtorit nga anashkalimi i detyrimeve të punëdhënësit parashikon shlyerjen e deri në 3 muaj rrogë, siç parashikohet në kontratën e punës së varur që kanë nënshkruar të dy palët.

    6.Asistencë Dispozicioni. Kjo asistencë është për të gjithë rrogëtarët që kalojnë në dispozicion. Shuma është 10% e mesatares së të ardhurave të rregullta të dy muajve të fundit para ndryshimit të statusit dhe përfitohet deri në 3 muaj në vit. E drejta e subvencionimit të dispozicionit përfitohet deri në 60 ditë pas firmosjes së vendimit.

    7.Asistenca e ushtrisë, në fakt është anuluar nga 1 korriku i këtij viti, por përfituesit e regjistruar vazhdojnë të paguhen. Përfitojnë sa kanë kryer shërbime ushtarake të zgjatura ose janë thirrur për stërvitje të mëtejshme.

    8.Asistencë Speciale pas 3 -mujorit të qëndrimit i regjistruar në OAED si i papunë. U jepet të gjithë të papunëve që nuk plotësojnë kriteret për asistencë papunësie. Kusht bazë, 60 ditë pune vitin e kaluar. Asistenca është 220 euro në muaj, por merret parasysh dhe deklarata e fundit tatimore.

    9.Asistencë për të sapopranuarit në tregun e punës, nga ESPA. Nëse jeni 20-29 vjeç, keni mbaruar arsimin shtetëror, me titull studimor pavarësisht nivelit, jeni regjistruar në regjistrin special deri në 3 muaj pas përfundimit të studimeve (TEI, AEI, institute të tjera pas-shkollore) dhe të mos keni detyrime ushtarake.

    10.Mbrojtje speciale për nënën-lehonën: Për gratë me siguracion në IKA që marrin lejen e nënës 6-mujore, pasi kanë mbaruar 3,5 muaj leje pas lindjes ose e ndryshuan me orar të kufizuar pune, gjatë këtij 6-mujori leje speciale paguhen me 586 euro në muaj. Konkretisht, nënat pas lindjes së fëmijës dhe shfrytëzimit të çdo leje që parashikohet me ligj, leja e lindjes, orari i kufizuar që mund të bëhet leje 3,5 mujore, akoma dhe lejen vjetore për pushime etj., kanë të drejtë të marrin leje pa rrogë nga puna deri në 6 muaj. Këtë 6-mujor e mbulon OAED me 586 euro në muaj, mjafton që nëna të jetë e siguruar vetë në IKA, me kontratë pune të plotë apo të pjesshme. Lejen e miraton punëdhënësi në marrëveshje me të interesuarën.

    11.Të ardhura plotësuese për Lehonën. Shuma që mbetet nëse nga rroga zbritet subvencionimi shëndetësor për procesin e lindjes, që merret nga IKA. Të ardhurat plotësuese i përfitojnë nënat që punojnë gjatë lejes së lindjes, pas lindjes, e që kanë marrë nga IKA asistencën e përmendur më sipër, për lindjen e fëmijës. Ndihma shtesë është pikërisht shuma e mbetur nga të ardhurat mujore të rregullta minus asistencën që ka marrë në IKA, për këtë periudhë kohore që lehona punon në vend të jetë me leje. Afati kohor për këtë ndihmë është deri në 3 muaj pas marrjes së asistencës së lindjes nga IKA.

    G.A-Athinë