Kalivaçi dhe historia 15- vjeçare e një hidrocentrali “fantazmë”

    604
    Sigal

    Hidrocentrali i Kalivaçit, vepra e cilësuar si sipërmarrja më e madhe në fushën energjetike  dhe e para vepër koncesionare e periudhës post- komuniste

    Po ku është ky hidrocentral sot? Sa energji prodhon? Historia e hidrocentralit të Kalivaçit ka nisur në 1997-n, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 222 datë 24.05.1997 “Për miratimin e marrëveshjes së koncesionit të formës BOT për hidrocentralin e Kalivaçit”. Projekti në pamje të parë ishte shumë i madh, më i madhi i kohës – 350GVv energji e pastër në vit, brenda 5 viteve. Problemi më i madh në gjykimin tonë, ishte që koncensionari, BEG S.p.A., ishte një kompani e themeluar rreth dy vite më parë, në 1995-n dhe kishte kapital themeltar të deklaruar 1 milion euro dhe të paguar 340 mijë euro, ndërkohë që, sipërmarrja që iu besua vlerësohej në atë kohë në rreth 100 milionë USD! Për më shumë se tre vjet, deri në nëntor 2000, askush nuk u kujtua më për Kalivaçin, as vetë koncensionari që nuk hoqi as edhe një lopatë dhe në Kalivaç, megjithatë Këshilli i Ministrave në 02.11.2000 me VKM nr. 590 miratoi disa ndryshime të rëndësishme ne kontratën fillestare të koncensionit. Në thelb ndryshimi ishte që koncensionari mund të transferojë koncensionin te një kompani tjetër e kontrolluar prej tij. Në të vërtetë bëhet fjalë për pranim nga ana e koncensionarit, që nuk është i aftë të ndërtojë vetë apo i vetëm veprën e marrë në koncension dhe për legjitimim apriori të investitorëve eventualë. Sidoqoftë, ky vendim i hap rrugë Francesco Beçhetti-t për të kërkuar nëpër botë investitorë të aftë për të ndërtuar Kalivaçin, për ti përfshirë në skemën e tij të mashtrimit. Nga 2000 deri në 2007 përsëri askush nuk u kujtua për Kalivaçin. Këtë herë koncensionari, në shtatë vite, arriti vetëm të gjejë viktimën e radhës, Deutsche Bank AG, gjigandi gjerman. Me vendimin nr. 363 datë 06.06.2007 Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime shumë të rëndësishme në kontratën fillestare të koncesionit, të ndryshuar. Këtë herë u legjitimua pjesëmarrja e një partneri të ri në koncension pikërisht Deutsche Bank AG, nëpërmjet krijimit të një shoqërie të përbashkët me BEG, ku BEG do të kishte 55% te aksioneve dhe Deutsche Bank AG 45%, me kapital total 15 milionë euro. investimi i parashikuar u shtua në 129 milionë euro dhe u la në diskrecion të koncensionarit përzgjedhja e nënkontraktorëve. Këtu vlen të theksohet se, sipas kontratës së vitit 1997 prodhimi i energjisë duhet të fillonte ne 2002. Sipas kontratës së vitit 2000 është nënkuptuar që prodhimi do të fillojë në 2005, duke marrë te mirëqenë që punimet ende nuk kishin filluar. Sipas kontratës së vitit 2007 prodhimi do të fillonte ne 2011, ndërsa praktikisht, në kushtet e sotme, sidomos në kushtet që Deutsche Bank AG e ka kuptuar mashtrimin dhe është tërhequr nga bashkëpunimi, prodhimi nuk do të fillojë kurrë.  Skema e përdorur nga BEG është një skemë e pastër mashtrimi. Mjafton të ndjekësh ne mënyrë kronologjike çfarë ka ndodhur në Kalivaç dhe konkluzionidelvetë. Nga 1997 deri në 2007 BEG, pa filluar për asnjë moment punimet, ka përdorur kontratën koncensionare me Shtetin Shqiptar për të gjetur një investitor, “të majmë” financiarisht aq sa për të mbuluar ne masën 100% koston e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit. Në vitin 2007 ky investitor u gjet, ishte Deutsche Bank AG, ishte “i majmë” më shumë se sa duhej dhe mbi të gjitha u bind që kjo ishte një “punë e madhe”. Në vitin 2007 BEG krijon “Hydro” S.r.l. në itali me kapital themeltar 17,850,000 euro, mbi te gjitha TË PAGUAR NË NATYRË në masën 16,500,000 euro, dhe të përbërë nga kontrata e koncesionit për Kalivaçin, disa studime te ndryshme për Kalivaçin, projekti i papërfunduar i këtij koncesioni, një autoveture Nissan Patrol, një PC Optiplax, një printer HP duke zbritur disa borxhe të maturuara ndaj një personi të tretë!Ponë 2007 BEG krijon “Kalivaç Green Energy” sh.p.k. në Shqipëri me NIPT K72326018B, me kapital themeltar 500,000 lekë dhe i kalon kësaj koncensionin, pa asnjë miratim dhe në kundërshtim me kushtet e vendosura nga shteti shqiptar. Pak ditë më vonë “Kalivac Green Energy” sh.p.k. i shitet 100% “Hydro” S.r.l. dhe kjo e fundit bëhet gati kështu për të mashtruar Deutsche Bank. Pak muaj më vonë Deutsche Bank blen 45% te 500,000 lekeve për më shumë se 8 milion euro dhe merr përsipër detyrimin për të financuar në vazhdimësi punimet në Kalivac. Deri në 2009 BEG financon punimet në Kalivaç duke paguar nënkontraktorët si “Salillari” Sh.p.k., “Arti” Sh.p.k., “C.A.E.” Sh.p.k. dhe të tjerë me milionat e paguara nga Deutsche Bank. Pagesat u ndërprenë kur Deutsche Bank kuptoi mashtrimin, ndërpreu financimin, u tërhoq nga Hydro dhe nisi procedurat ligjore kundër BEG. Në fund të vitit 2009 nga punimet u tërhoq edhe kallëzuesi, “C.A.E.” Sh.p.k. pasi punimet e papaguara arritën në vlerën mbi 2 milion Euro, shumë kjo e dokumentuar në situacionet. Faktet e përmendura për këtë hidrocentral që nuk u ndërtua, janë bërë publike për “Telegraf” nga Zyra e shtypit C.A.E sh.p.k.