Ja urdhri, që la pa bukë qindra familje

    374
    Sigal

    Ministri Veliaj ndërpret pagesat për shtresat në nevojë

    Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj urdhëron të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të ndërpresin pagesat për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar dhe disa kategori të tjera deri në një vendim të dytë. Ndërprerja e pagesave lë në mëshirë të fatit qindra familje në qarkun e Gjirokastrës. Sikur të mos mjaftonte mungesa e fondeve që ka lënë pa pagesat e përkrahjes sociale mijëra familje në të gjithë vendin, një urdhër i Ministrit të Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj,  pezullon të gjitha pagesat për shtresat në nevojë deri në një vendim të dytë. Urdhri që mban datën 30 tetor u është shpërndarë të gjitha njësive të qeverisjes vendore duke iu kërkuar të mos paguajnë asnjë qindarkë për kujdestarët e personave më aftësi të kufizuar, pasi nuk ka para mjaftueshëm. Investigim.al disponon një kopje të shkresës së firmosur nga ministri Veliaj, me objekt “mbi fondet për pagesat e personave me aftësi të kufizuar dhe pagesën për familjet e skemës së ndihmës së ndihmës ekonomike”. Sipas këtij urdhri thuhet se është evidentuar mungesë e theksuar fondesh për pagesat e personave me aftësi të kufizuar si pasojë e keqmenaxhimit të parave të destinuara për këto shtresa. Për këtë arsye do t’u jepet përparësi vetëm pagesave individuale për personat me aftësi të kufizuar, personat e verbër, individët tetra dhe paraplegjik. “Pagesat për personin kujdestar dhe për invalidët e punës do të bëhen në një rishpërndarje të mëvonshme të fondeve të programit të mbrojtjes sociale”- thuhet në shkresën e firmosur nga ministri Veliaj. Sipas tij, rishikimi i fondeve të mbetura nga viti 2013 përfshin edhe pagesat për familjet që janë pjesë e ndihmës ekonomike. Ministri Veliaj paralajmëron njësitë e qeverisjes vendore të mbajnë evidenca të sakta për të gjitha detyrimet që do të krijohen ndaj personave dhe familjeve që nuk do të përfitojnë pagesat e ndihmës ekonomike gjatë kësaj kohe. Ky vendim konfirmohet nga disa drejtues komunash në qarkun e Gjirokastrës, sipas të cilëve një urdhër i tillë u ka mbërritur atyre vetëm pak ditë më parë. “Kjo shkresë ka  lënë pa paguar 19 shoqërues të personave me aftësi të kufizuara në komunën Krahës”, -thotë një zyrtar i komunës. Ndërprerja e pagesave për shtresat në nevojë ka krijuar vështirësi të shumta në jetën e qindra familjeve në qarkun e Gjirokastrës. Banorët që përfitojnë ndihmë ekonomike thonë se tashmë u është prerë dhe i vetmi burim jetese që ata kishin. Abuzimet me listat e familjeve që përfitojnë ndihmë sociale dhe shtimi i numrit të tyre sipas dëshirës së këshilltarëve vendorë janë një nga problemet kryesore në shumë komuna e bashki në jug të vendit. Pikërisht për këtë arsye janë ndërprerë të gjitha pagesat për familjet në nevojë, duke lënë kështu pa bukë qindra njerëz, që si burim të vetëm jetese kanë përkrahjen sociale nga shteti.

    Investigim.al

    Avokati Altin Goxhaj: Të dëmshpërblehen menjëherë udhëtarët!

    Avokati Altin Goxhaj, Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK, ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook, lidhur me problemin e kompanisë së fluturimeve Belle Air. Z. Goxha ka bërë një njoftim paraprak mbi procedurat që po ndiqen për mbrojtjen e klientëve të Belle Air. Më poshtë mund të lexoni deklaratën e tij të plotë: “Brenda disa orësh paraqitet pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve Ankesa Zyrtare për kompaninë Belle Air me subjekt kthimin e menjëhershëm të parave të udhëtareve nga Belle Air, për biletat e shitura direkt nga ai dhe nga të gjithë subjektet e tjera të licencuara që kanë shitur biletat e kësaj kompanie, që i kanë shitur këto bileta, por edhe dëmshpërblimin e tyre nga ana e Belle Air për dëmin e shkaktuar si veprim i parë që duhet kryer. Pas marrjes së shumë ankesave të konsumatorëve, ky mbetet veprimi i parë shtetëror dhe prevalon ndaj çdo detyrimi ndaj kreditorëve, aksionerëve dhe vetë detyrimeve të kësaj kompanie ndaj shtetit. Mbetet të thirret urgjentisht mbledhja e Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe nxjerrja e një Vendimi me fuqinë e një Titulli Ekzekutiv që kthehet në Urdhër Ekzekutiv. Ky Vendim që duhet të merret mund të apelohet vetëm në Gjykatën Administrative nga ana e Belle Air dhe subjektet e tjera që kanë shitur biletat. Kujtojmë se sipas Legjislacionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, konsumatorët, të gjitha marrëdhëniet financiare e kanë me shitësin fundor të biletave që mund të jetë në këtë rast vetë Belle Air, apo subjekte të tjera të licencuara që u kanë shitur biletat udhëtarëve. Ndërkohë që, ZMK është e gatshme të ofrojë asistencë ligjore për çdo person, i cili përveç dëmit të drejtpërdrejtë si udhëtar ka pësuar edhe dëme të tjera, për të cilat kërkon dëmshpërblim suplementar si pasojë e dëmeve të tjera të derivuara. Mos harroni që çdo konsumator mund t’i drejtohet ZMK për t’i paraqitur ankesën te www.ankohu.al ose [email protected] apo edhe këtu në inboxin tim personal në Facebook. Brenda ditës do të paraqitet edhe në media deklarata për shtyp për këtë rast. Gjithashtu, pavarësisht se këto dite në media me përjashtim të 3 rasteve nuk i është dhënë konsumatorëve ky informacion i publikuar nga ZMK mbi ndjekjen e procedurave ligjore pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve për arsye të panjohura, por kujtoj se orientimi ligjor i zgjidhjes së problemit nga ana e Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve mbetet e vetmja rrugë për mbrojtjen e 52 mijë klientëve, të cilët kanë prerë bileta që nga momenti i bllokimit të fluturimeve në 24 Nëntor 2013 e deri në Mars 2014”.