Ja si fitohet shtetësia për rezidencë në Itali, procedurat dhe dokumentet

    572
    Sigal

    Qeveria italiane ka ndryshuar disa rregulla  që kanë të bëjnë me marrjen e shtetësisë për rezidentë në Itali. Kërkesa e shtetësisë italiane për rezidencë parashikohet nga neni 9 i ligjit nr. 91/92 mbi shtetësinë. Ky ligj përcakton që shtetësia “mund t’i jepet” të huajit, pra parashikon një proces të karakterizuar nga një diskrecionalitet i gjerë, ndryshe nga shtetësia për martesë me një shtetas italian. Kërkesa mund të paraqitet pas një periudhe të caktuar rezidence efektive në territorin italian (që nis nga momenti i regjistrimit në listën e popullsisë rezidente të komunës, jo nga çasti i pajisjes me lejen e qëndrimit) që shkon nga 4 vjet nëse i interesuari është shtetas i komunitetit evropian, 5 vjet nëse është i paatdhe dhe 10 (dhjetë) vjet nëse është jokomunitar (pra, një shqiptar mund të kërkojë shtetësinë italiane për rezidencë, pasi ta ketë këtë të fundit prej dhjetë vjetësh).

    Dokumentet që duhen dorëzuar

    Kërkesa duhet paraqitur pranë Prefekturës së rezidencës duke përpiluar formularin B dhe duke bashkangjitur dokumentacionin e poshtërenditur në origjinal dhe fotokopje:

    -Formularin e kërkesës të përpiluar në të gjitha pjesët e tij, të nënshkruar dhe me pullë-taksë prej 14,62 euro.

    -Aktin e lindjes i legalizuar (me vulë apostille, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje.

    -Certifikatën penale nga vendlindja (dhe e vendeve të tjera të mundshme ku mund të ketë jetuar më parë i interesuari, Greqia për shembull, nëse ka qenë emigrant edhe atje) të legalizuar (vulë apostille, për dokumentet shqiptare) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje.

    -Për colf & badanti, dokumentin e INPS-it të të ardhurave (Estratto Retributivo INPS);

    -Fotokopjen e mundshme të certifikatës së njohjes së statusit të refugjatit apo të personit të paatdhe, si edhe origjinalin, që vetëm duhet treguar por nuk duhet lënë.

    -Fotokopjen e një dokumenti identiteti të vlefshëm.

    Fotokopjen e lejes së qëndrimit.

    -Kuponin e derdhjes së kontributit prej 200 eurosh (faksimile)

    Në bazë të dekretligjit nr. 5/2012 për thjeshtëzimin e zhvillimin, të gjitha dokumentet e tjera që më parë kërkoheshin (certifikata e çështjeve penale të hapura dhe të kartotekës së gjykatës, certifikata e rezidencës, gjendja civile, deklarata e të ardhurave) mund të vetëcertifikohet përmes një modeli të paracaktuar në bazë të DPR 445/2000 pasi Prefektura mund të verifikojë vërtetësinë e informacioneve të deklaruara përmes një procedure të brendshme duke komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë, Komunën e rezidencës dhe Agjencinë e Tatim-taksave.

    Lëshimi i deklaratave të rreme sanksionohet me ligj.

    Koha e trajtimit të kërkesës është 730 ditë, apo 2 vjet nga çasti kur kërkesa merret nga autoriteti përkatës (ministria e Brendshme). Në rast të një përfundimi pozitiv të praktikës, Prefektura i nis një lajmërim zyrtar të interesuarit brenda 90 ditëve nga marrja e dekretit të shtetësisë nga ministria e Brendshme. Kur i interesuari ka marrë në dorë dekretin, brenda gjashtë muajve duhet të shkojë në komunën e rezidencës për të bërë betimin e besnikërisë ndaj Republikës italiane siç parashikon neni 10 i ligjit mbi shtetësinë (L. 91/1992). Nëse brenda gjashtë muajve nuk e ka bërë betimin, dekreti shfuqizohet dhe i interesuari duhet të nisë nga e para procedurën e shtetësisë e të nxjerrë sërish të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.