Ja dokumentet, sipas kategorive përfituese

    373
    Sigal

    Të përndjekurit / Gati dosjet për shpërndarjen e dëmshpërblimit sipas ligjit të ri

    Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë, në datën 14 shtator, Drejtoria e Dëmshpërblimeve pranë Ministrisë së Financave njofton të gjithë të interesuarit mbi dokumentet e nevojshme që duhet të paraqiten pranë kësaj drejtorie, të grupuara sipas kategorive të përshkruara në ligj. Ndryshimet në ligj që u publikuan në Fletoren Zyrtare, ku përfshihen ajo kategori e ish- të dënuarve politikë të komunizmit që janë gjallë, mbi moshën 75 vjeç, gratë si dhe ata ish të dënuar, që pavarësisht moshës, kanë fëmijë minorenë, përfitojnë përshpejtim të shpërndarjes së dëmshpërblimit. Dorëzimi i certifikatës personale dhe numri i llogarisë aktive është një procedurë mjaft e domosdoshme për përshpejtimin e procesit të dëmshpërblimit për kategoritë përfituese. Nga drejtoria e Dëmshpërblimeve bëhet me dije se janë edhe 700 dosje të cilat duhet të përfundojnë nga shpërndarja e këstit të parë për trashëgimtarët. Me mbylljen e këtij procesi do të fillojë shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë gjallë dhe përfitues parësorë të dëmshpërblimit. Deri në fund të vitit duhet të shpërndahen 15 milionë dollarë. Nga këto 70 për qind do të shpërndahet për përfituesit parësore dhe 30 për qind për trashëgimtarët.

    Kategoritë përfituese

    Në fillim do të tërheqin dëmshpërblimin ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës. Më pas ata ish- të dënuar politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Ndërsa ata ish- të dënuar politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, do të marrin dëmshpërblimin sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm, vetëm për ta. Ish- të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë (fëmijë) në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, janë në radhë sipas rendit për të tërhequr dëmshpërblimin. Më pas, prioriteti për dëmshpërblim do të kalojë për ata ish- të dënuar politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Planet e pagesës, sipas ndryshimit të ligjit, do të marrin prioritet edhe ata ish- të dënuar politikë që jetojnë, në momentin e dhënies së pagesës, dhe që janë nën 75 vjeç. Me kryerjen e pagesës, për të gjitha subjektet parësore, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës e kështu me radhë.

    DOKUMENTET SIPAS KATEGORIVE

     I. Gra ish të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës

    a. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;

    b. Nr. Llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).

     II. Persona ish të dënuar mbi 75 vjeç, që vazhdojnë të jenë gjallë

    a. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;

    b. Nr. Llogarie bankare në Lek në në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).

     III. Persona ish të dënuar politik të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda

    a. Raport mjeko- ligjor (origjinal me emra dhe mbiemra të anëtarëve me firmë të gjithsecilit dhe me vulë, jo kopje) për paaftësi të plotë për punë e lëshuar nga:

    1. KEMCAP (KEMP-i epror) OSE:

    a/1. Raport mjeko ligjor për sëmundje onkologjike dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuar nga:

    1. Qendra Shëndetësore Universitare “ Nënë Tereza”

    2. Qendra Shëndetësore Universitare “Shefqet Ndroqi”

    b. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit

    c. Nr. Llogarie bankare në Lekë në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda; territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).

     IV. Për persona ish të dënuar që janë gjallë, që pavarësisht moshës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç

    a. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;

    b. Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur;

    c. Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur;

    d. Nr. Llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).

     V. Për trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç

    a. Certifikatë vdekje të personit ish të dënuar;

    b. Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të rradhës së parë të personit ish të dënuar që nuk jeton më;

    c. Certifikatë familjare të ish të dënuarit ku të përfshihen fëmija/fëmijët e mitur;

    d. Dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor;

    e. Vendim Gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më;

    f. Nr. Llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re) në emër të kujdestarit ligjor të të miturit.

     VI. Për persona ish të dënuar që janë gjallë dhe nuk kanë mbushur 75 vjeç

    a. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit;

    b. Nr. Llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).

    Shënim: Dokumentet e kërkuara duhet të futen në një zarf të bardhë, ku në vend të dukshëm të shkruhet emri i ish të dënuarit që përfiton dëmshpërblimin dhe numri i dosjes. Dokumentet mund të dorëzohen dorazi pranë zyrave të Drejtorisë së Dëmshpërblimeve ose mund të postohen në adresën: Ministria e Financave, Drejtoria e Pagesës së Dëmshpërblimeve, Tiranë.