Ilir Vata: Veriu, nuk e njeh ligjin 7501 dhe Artan Lamen

    486
    Problemi më i madh në Shqipëri është ligji i pronave, që për 25 vite ka qenë dhe makthi i vërtetë i shqiptarëve, madje krahasuar me periudhën e komunizmit, post-diktatura ka qenë më e vështirë për pronarët, më nihiliste madje dhe falsifikatore e një të drejte themelore për shqiptarët, siç është e drejta e pronës. Nëse diktatura komuniste ofroi reformën agrare, ku bëri me tokë dhe të drejtë mbi të, shqiptarë të pamundur në aspektin social ishte një zgjidhje, por ajo që e bëri diktaturën të përfaqësuar në gjithë dimensionin e saj ishte mohimi i pronës dhe lirive mbi pronën, pasi kishte vetëm një pronar, shtetin. Koha e post-diktaturës ishte dhe më e dhimbshme, pasi mohimi i pronës erdhi nëpërmjet mashtrimit shtetëror dhe dyfytyrësisë së shtetit, ku në Kushtetutë garantohet si një nga liritë themelore të qytetarëve dhe me akte nënligjore dhe me ligjin 7501, ajo mohohet në të gjithë tërësinë e saj, të drejtën mbi pronën, pra një shtet që nuk bëhet pronar i vetëm, por një shtet hajdut i pronës, madje hajdutllëku vetëm për disa njerëz, tamam si në pushtetet oligarkike që hasen në mesjetën e largët. Ligji 7501 është një ndër ligjet më ogurzi që ka njohur shteti shqiptar në të gjithë historinë e jetës së tij institucionale, pasi ky ligj ishte i efektshëm mbi të drejtën mbi tokën të punonjësve të ndërmarrjeve bujqësore me nga 2200 metra për frymë, por u shndërrua në një mundësi për të abuzuar me tokën dhe të drejtën e shqiptarëve për pronën dhe sot ky ligj, ndonëse i ka mbaruar efektet ligjore, përsëri është aktiv në të drejtën në pozitë, duke përçudnuar të drejtën bazë atë mbi pronën Qeveritë dhe partitë politike kanë qenë mbrojtës të ligjit famëkeq 7501, qofshin këto formacione politike të majta apo të djathta, madje dhe parti politike që kanë si princip kthimin e pronave tek pronarët, janë bërë pjesë e paligjmërisë, thjesht dhe vetëm për efekte të përfitimit të paligjshëm mbi pronat e të tjerëve. Në emër të këtij ligji është vepruar si në emër të popullit mbi shqiptarët kur burgoseshin, ekzekutoheshin apo internoheshin, pasi në emër të 7501-shit janë gllabëruar pronat e shqiptarëve, vija bregdetare dhe sërish nuk kanë të ngopur edhe sot derisa të kenë gllabëruar çdo centimetër katror tokë. Masakra mbi pronën nuk njeh vetëm abuzimin me ligjin 7501, por mbivendosjen zhdukjen e dokumentacionit të pronësisë, zhdukjen e certifikatës së pronësisë, madje krejt më ndryshe dhe më keq sa vetë diktatura, pasi kjo e fundit kishte ruajtur çdo identitet pronësie deri në vitin 1991, kur bastardet e rinj nekomonistë nisën batërdinë mbi pronat. Sot, qeveria e re ka ardhur me premtimin e legalizimit të banesave pa leje, madje me kosto zero dhe kjo është një gjë e mirë, por nëse do të realizohet kjo mbetet për t’u parë pasi sipas këtij ritmi do t’i duhen Artan Lames edhe 50 vjet të tjera për të legalizuar paligjshmërinë dhe batërdinë me pronat, madje nëse ligji 7501 nuk do të abrogohet, Lames dhe pasardhësit e tij, me këtë frymë politike do t’i duhen shekuj për të korrigjuar paligjshmërinë. Parë në një aspekt tjetër, ligji 7501 dhe Artan Lame nuk funksionojnë në Veri të vendit, pasi në vitin 1990 e drejta mbi pronën nuk u vendos nga shteti, por nga e drejta zakonore, duke shkuar prona e çdokujt në vendin e saj dhe ka plot 25 vite që asnjëherë asnjë qeveri nuk ka pasur akses mbi pronat e shqiptarëve në veri të vendit. Pra, shteti ligjor dhe ligji 7501 ka efekt vetëm në gjysmën e territorit të vendit dhe këto krahasime ligjore mundet të bëhen me periudhën e Bizantit, ku Shqipëria ra nën sundimin e perandorisë së lindje, ku ligje e Bizantit dhe ato të të drejtës zakonore shqiptare bashkëqeverisnin apo shfaqeshin të ndarë sipas krahinave dhe ndikimit. Por kjo nuk mund të ndodh kur pretendohet se kemi në kohë moderne, një shtet me tendenca drejt shtetit të së drejtës, ku një ligj të zbatohet vetëm në gjysmën e territorit të vendit, pasi dihet se ligjet janë unifikuese dhe e shtrijnë efektin në të gjithë vendin, por ja që ndodh, sepse ligji 7501 është një ligj antikushtetues që bie ndesh me të drejtën themelore të shqiptarëve siç është e drejta e pronës dhe vetë kushtetutën, pasi kjo e fundit e njeh të drejtën e pronës si një nga të drejtat themelore të shqiptarëve. Fakti se qeveria dhe qeveritë e mëparshme kanë mbajtur në fuqi një ligj antikushtetues 7501, tregon më së miri së Shqipëria është një vend me prirje të thellë nga mendësitë e komunizmit dhe një vend që nuk ofron kurrfarë sigurie për të ardhmen e investitorëve të huaj dhe mbi të gjitha të respektimit të të drejtave të shqiptarëve mbi të drejtën e tyre të shenjtë, siç është prona. Politika shqiptare është uniformiste në qëndrimet e saj të përbashkëta krejtësisht të së majtës së bastarduar, që nuk ngjan as me të majtat moderne, as edhe vetë me diktaturën, por një përçudnim allashqiptar për të vjedhur e pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe kjo paligjshmëri bën që shteti shqiptar të jetë jo funksional, një shtet hibrid, ku zot është paligjshmëria.
    Sigal