Falen borxhet e Sigurimeve Shoqërore, përfitojnë 5425 ushtarakë në rezervë dhe në lirim

    427
    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinise, Blendi Klosi, deklaroi dje se qeveria shqiptare do të falë 984 milionë lekë borxhe që ish- ushtarakët i detyrohen shtetit shqiptar. Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ministri Klosi në një deklaratë për mediat tha se, “gjatë javëve të fundit kam patur takime të shpeshta me shoqatat e ish- ushtarakëve, të cilët me të drejtë, kërkojnë nga qeveria shqiptare zgjidhje për një borxh që ata i detyrohen shtetit, jo për faj të tyre, por për shkak të vendimeve të ndryshme të ndërmarra nga qeveritë ndër vite”. “Për plot 10 vjet, që nga viti 1999 në vitin 2009, ushtarakët në rezervë apo në lirim, janë trajtuar me pagesa kalimtare, pensione të parakohshme, apo përfitime të tjera suplementare. Por, në këtë hark kohor 10- vjeçar, ligjet kanë ndryshuar të paktën 4 herë dhe më pas janë kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe janë shfuqizuar nga kjo gjykatë”, tha Klosi. Për pasojë, shtoi ministri Klosi, “5425 ish- ushtarakë sot janë debitorë ndaj shtetit shqiptar. Qeveria e kaluar, jo vetëm nuk ofronte dinjitetin e nevojshme për këta burra e gra që kanë sakrifikuar për Shqipërinë, por u kërkonte atyre borxhin, duke i mbajtur atyre para nga pensioni i tyre i përmuajshëm”. 
    Premtimi i qeverisë
    “Në vitin 2013, qeveria jonë premtoi se do të zgjidhte hallin e këtyre ish ushtarakëve dhe sot kam kënaqësinë të njoftoj në emër të Këshillit të Ministrave që e mbajtëm premtimin duke miratuar projektligjin për faljen e detyrimeve që kanë ish ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare”, tha Klosi. “Në mbështetje të këtyre kërkesave, sot qeveria shqiptare do të falë 984 milionë lekë borxhe që ish ushtarakët u detyrohen shtetit shqiptar. Falë këtij projektligji, asnjë ish ushtaraku nuk do i mbahet më asnjë qindarkë nga pensioni i çdo muaji”, nënvizoi Klosi. Po ashtu, vijoi ai, “sot janë votuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave edhe një sërë vendimesh të tjera të rëndësishme që synojnë të rrisin mbështetjen sociale ndaj shtresave në nevojë. Konkretisht, kemi marrë vendimin për të rritur me 60% pagesën bazë të papunësisë, e cila nga 6850 lekë në muaj, bëhet sot 11 mijë lekë në muaj apo 110 mijë lekë të vjetra. Ky është një vendim tejet i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të shifrës 60%, por edhe pasi kjo rritje ndodh për herë të parë pas shumë vitesh që kjo pagesë ka qënë e niveleve të ulëta.

    Përmbushja e detyrimeve të konventës ndërkombëtare

    Falë rritjes prej 60 % të nivelit bazë të pagesës së papunësisë, Shqipëria përmbush edhe detyrimin që lind nga konventa ndërkombëtare e ILO-s në të cilën thuhet se pagesa e papunësisë duhet të jetë të paktëm sa 50 % e pagesës minimale në shkallë vendi”. Në të njëjtën kohë, tha Klosi, “vendimi i sjell edhe më shumë drejtësi për të gjithë ata që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore. Kështu, nga sot, ata që kanë kontribuuar më shumë në skemë, do të përfitojnë më gjatë pagesën e papunësisë. Ata që kanë paguar më pak, sigurisht edhe do të përfitojnë më pak. Por, synimi ynë është që të zbusim sa më shumë shkallën e papunësisë në vend. Për këtë arsye, zyrat e punësimit në të gjithë Shqipërinë, i ofrojnë falas çdo përfituesi të pagesës së papunësisë mundësinë për të thelluar njohuritë e tyre profesionale pranë qendrave të formimit profesional. Gjatë dy viteve të fundit, numri i pjesëmarrësve në këto programe është dyfishuar, nga 8000 në vitin 2013, në 17 mijë në vitin e fundit”. “Vendimet e Këshillit të Ministrave janë në të njëjtën linjë më objektivin tonë për të ulur shkallën e papunësisë dhe zhvilluar në mënyrë cilësore formimin profesional të forcës sonë të punës. Krahas modernizimit të zyrave të punës, të cilat sot ofrojnë shërbime si në vendet e Bashkimit Europian, krahas zbatimit të paketës për nxitjen e punësimit dhe pesëfishimit të fondeve në raport me dy vite më parë, krahas reformës për arsimin profesional, vendimet janë një tjetër hap i rëndësishëm drejt nxitjes së punësimit dhe rritjes së mirëqenies”, tha ministri Klosi. Sipas tij, “të gjitha këto mundësi vijnë pas një menaxhimi më të mirë të skemës së papunësisë, vijnë pas reformave të mëdhaja në tregun e punës së Shqipërisë dhe natyrisht si rezultat i luftës së paepur karshi informalitetit, dhe rezultateve spektakolare që kjo luftë ka patur në vendin tonë”. 
    Sigal