Evdal NURI/ Fëmijët pa fëmijëri në Shqipëri

    428
    Sigal

    Shifrat alarmante për fëmijët që braktisin shkollën dhe shfrytëzohen për të punuar

    Fazat e rritjes së njeriut kalojnë nëpër stade të ndryshme. Fëmijëria mendohet të jetë periudha e zhvillimit përafërsisht mes 2-11 vjeç. Foshnjat e sapo lindura e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në gjumë. Pas muajit të 3-4 ai sheh, duke vështruar për rreth saqë shpesh themi: “Çfarë shikon?”. Deri në 8 muajsh, foshnja nuk do të kërkojë një objekt, nëse ky largohet nga fusha e tyre e pamjes. Pra në 2 vjetët e para të jetës, foshnja arrin të diferencojë veten prej mjedisit. Ata mësojnë të koordinojnë të parit, të shijuarit, të prekurit dhe të dëgjuarit me objektet përreth. Afërsisht pas moshës 2 vjeç fëmija kalon në periudhën e të mësuarit, në përvetësimin e gjuhës etj.. Ata kënaqen duke luajtur me kukullat ose kafshët. Në këtë moshë ata kanë imagjinatë të gjallë. Në këto kushte është detyra e prindërve, që të zhvillojnë imagjinatën me një larmi lodrash, të cilat lënë mbresa tek ata, e formojnë bazamentin, për një mendim dhe imagjinatë më të thelluar. Në moshën 4 vjeç fëmija fillon të identifikohet me prindërit. Ata fillojnë të identifikojnë veten me prindërit e të njëjtit seks. Djemtë veprojnë si babai kurse vajzat i sheh të vishen si nëna. Duke filluar nga mosha 6 vjeçare në formimin e fëmijës një rol parësor, ndikojnë dhe faktorët e jashtëm si, shkolla, televizioni revistat, ambienti për rreth, të cilat tani janë në shkallën më të lartë. Fëmijët e kësaj grup-moshe kanë shenja të shfaqin pavarësi, madje dhe rebelim ndaj prindërve e mësuesve. Ndërkohë ata gjenden dhe nën presionin e fëmijëve të tjerë, të moshës së tyre. Duhet theksuar një fakt interesant: Fëmijët që pëlqehen pak nga moshatarët e tyre, ose përdoret dhunë nga prindërit, më vonë bëhen agresivë. Kanë prirje të braktisin shkollën, dhe tentojnë drejt sjelljeve kriminale kur rriten. Në moshën 9-11 vjeçare fëmijët quajnë shok atë që vepron siç duan ata, duke u mbështetur në kënaqësinë reciproke.

    Kujdesi prindëror

    Prindërit i kanë kushtuar gjithmonë kujdes edukimit të fëmijëve. Ata hedhin themelet e edukimit tek fëmijët, prandaj thonë: “Prindi është pasqyrë e fëmijës”. E rëndësishme është që prindërit të jenë në unitet mendimi e veprimi në marrëdhënie me fëmijët dhe të mos i plotësojnë të gjitha dëshirat (kuptohen kur ato janë të pa arsyeshme). Ndodh shpesh, p.sh nëna tregohet “zemër gjerë” dhe plotëson çdo dëshirë të fëmijës, kurse babai jo. Qëndrimet e kundërta ndaj fëmijës i bën ata tekanjoz, duke i futur në debate dhe vet prindërit. Nëse njëri ndërton dhe tjetri prish, fëmija çekuilibrohet, nuk di kë model prindëror të ndjekë. Pra të dy prindërit kanë përgjegjësi të barabartë në edukimin e fëmijës. Jo më pak rëndësi, në edukimin e fëmijës, ka edhe ambienti jashtë familjes. Ndodh shpesh që, atë që ndërton familja e prish ambienti i jashtëm. Shumë shprehje, që fëmija nuk i ka dëgjuar në shtëpi, i mëson jashtë saj, duke i përsëritur në shtëpi, pa ja ditur kuptimin, aq sa prindërit habiten se ku i mësoi ai këto fjalë. Është detyra e prindërve që të dinë me kë shoqërohet, luan fëmija e tyre. Problemi i edukimit të fëmijëve është një proces i gjatë, i vështirë dhe mjaft i komplikuar, që kërkon kujdes, durim e angazhim jo vetëm prej familjes, por dhe shoqërisë, duke mos përjashtuar shkollën.

    -Shifra shqetësuese në ditën ndërkombëtare të fëmijëve!

    Varfëria sociale i detyron shumë fëmijë të dalin në rrugë, të lypin, apo të shesin produkte nga më të ndryshmet. Ofertat për shkollimin, për aktivitete edukative nga ana e shoqatave private e   institucioneve shtetërore janë fare të pakta. Megjithëse mblidhen e njohin gjendjen, (pasi është shumë e dukshme), premtojnë se do ta ndryshojnë këtë situatë të dëshpëruar, por në fund asgjë nuk ndodh. Shoqata “Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë”, thotë se çdo ditë një fëmijë largohet nga shtëpia! Kjo braktisje varion me ditë, muaj edhe më gjatë, deri pa adresë. Disa shoqata merren me problemin e fëmijëve, por shpesh ato ia lënë përgjegjësinë njëra- tjetrës. Fëmijët romë dhe  egjiptian janë në gjendje të mjerueshme. I sheh duke lypur në rrugë, të pa ngrënë, të zhveshur ditë e natë. Ky është një realitet i dhimbshëm që konstatohet nga të gjithë. Këta fëmijë e ndjejnë rrezikun e një shfrytëzimi fizik, emocional apo seksual.

    Mësuesi i popullit Babë Dudë Karbunara ka thënë: “Kush nuk mëson gjuhën e vet, është i dënuar për jetë”. Është e kuptueshme se sa e kemi parasysh, këtë thënie kuptimplote të këtij mësuesi që sakrifikoi jetën për mësimin e gjuhës shqipe.

    Nga viti 1990-2012 numri i lindjeve është ulur me 57%. Pra, nga 85 000 mijë në 35.000 mijë. Arsyet janë nga më të ndryshmet si: faktorë ekonomikë, emigrimi, vdekshmëria foshnjore, për të cilën zëmë vendin më të lartë në Europë me 29.4%. Si rrjedhojë edhe popullsia është ulur me  169.000 mijë njerëz në këto 20 vitet e fundit. Përfundimisht popullsia në Shqipëri po plaket, kur para dy dekadash ishim në vendin e parë për moshën e re. Këto e shifra të trishtojnë. Pse kaq të dënuar qenkemi ne Shqiptarët. Kudo të fundit!? Ministri Veliaj e njeh gjendjen. Në shumë takime ka premtuar për ndryshimin e situatës së dëshpëruar, duke rishikuar programet sociale. Është ngritur dhe një Task Forcë, për evidentimin e gjendjes dhe marrjen e masave konkrete për përmirësimin e saj. Por deri kur?! T’ia lëmë kohës, për një ndryshim rrënjësor të gjendjes. Le të shpresojmë, sepse “Shpresa është ajo që vdes e fundit”!

    Disa shifra tronditëse

    Mbi 2527 fëmijë në Shqipëri, lypin rrugëve. Ku nuk i gjen! Në semafor, në dyert e kishave apo xhamive, në dyert e spitalit, në varreza, në kazanët e plehrave dhe kudo… Nëse ti nuk i jep një  20-qindarkash ata të shajnë, të bllokojmë rrugën, të kapin prej xhakete, etj..

    -3800 fëmijë nuk ndjekin shkollat  për arsye ekonomike. Ata shesin rrugëve gjithfarë vetëm për të nxjerrë bukën e gojës.

    -600  fëmijë nuk shkojnë në shkollë për arsye të gjakmarrjes. Ata i trondit vdekja, nëse do të guxojnë të shkojnë për të mësuar.

    -Sipas UNICEF –it 11% e fëmijëve në Shqipëri nuk shkojnë në shkollë, kurse 8% punojnë.

    -Analfabetizmi po rritet me shifra alarmante. Edhe pse s’ka shifra të sakta zyrtare thuhet se po arrijnë në numër me dy shifra.

    -Trafiku i fëmijëve jashtë vendit ka arritur në 4700. Shifra këto alarmante, që nuk shihen në asnjë  vend tjetër.