E vërteta për rritjen e pensioneve dhe pretendimet e ngritura nga ushtarakët

    463
    Sigal

    INTERVISTA/Flet zëvendësdrejtori i ISSH-së, Ali Emini, për rritjen e pensioneve për kategori të ndryshme

    Sa herë që flitet për rritjen e pensioneve krijohet një interesim i madh nga shtresat që përfitojnë nga kjo rritje. Rritja e fundit që është bërë ishte në muajin korrik të këtij viti. Në total kjo rritje ishte në masën 5%, edhe pse nga kjo rritje shumë kategori që përfituan ishin të pakënaqur, një ndër këto kategori që e cilësoi edhe fiktive këtë rritje ishte edhe kategoria e ushtarakëve. Në lidhje me pakënaqësitë dhe bazat mbi të cilën u bë kjo rritje ka folur për “Telegraf”, zëvendësdrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Emini. Sipas zotit Emini, kjo rritje është bërë nga qeveria duke marrë parasysh disa faktorë, ku një ndër ta është edhe indeksi i çmimeve të tregut. Sipas tij, rritja e bërë është mëse e mirë. Ndërsa në lidhje me pretendimet e kategorisë së ushtarakëve ai ka thënë se: “Atëherë nëse ushtarakët kanë nevojë për trajtime të veçanta pasi mund të kenë shumë vështirësi në pune atëherë le të drejtohen dhe të marrin trajtime të veçanta financiare pranë institucioneve që kanë shërbyer”.

    -Zoti Emini, në muajin korrik pati një rritje pensioni prej 5%. Kjo rritje solli pakënaqësi në disa kategori. A mendoni se ishte e mjaftueshme kjo rritje?

    -Unë mendoj që rritja e bërë për këtë vit nga qeveria shqiptare ishte e mjaftueshme. Ashtu siç është bërë e ditur edhe më parë nga kjo rritje pensionet e qytetit pësuan një rritje prej 4% dhe mendoj që këtu janë marrë parasysh disa faktorë të rëndësishëm dhe është arritur në këtë rritje. Ndërsa për pensionet e fshatit ka pasur një rritje pak më të madhe dhe kjo rritje ka qenë 5 % për pensionet e fshatit. Kjo rritje është bërë sipas vendimit të qeverisë  datë 27.06.2012. Po ashtu mund të ju them që është bërë mbi nivelin e inflacionit të konstatuar për periudhën. Kështu që përderisa kjo rritje është bërë mbi nivelin e inflacionit kjo do të thotë që me rritjen që ka bërë qeveria është rikuperuar inflacioni dhe ka dhe diçka më shumë.

    -Shqipëria po synon që të marrë statusin për në BE, dihet që pagat dhe pensionet në vendin tonë janë të ulëta. A ka ndonjë plan për të rritur pensionet për t’i përafruar ato me standardet drejt të cilëve ne duam që të shkojmë?

    -Asociimi i Shqipërisë për në Bashkimin Europian nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë të barazimit të pagave dhe të pensioneve. Çdo shtet ka ekonominë e vetë dhe mbi bazën e punës që ka dhe përpjekjeve që bën do të ketë edhe begatinë ekonomike edhe të qytetarëve të vetë. Tani nuk mund të thuash që ka duhet të barazohen të gjitha pagat dhe pensionet me ato vende që janë pjesë e Bashkimit Europian. Kjo nuk ka ndodhur as në Bullgari, as në Rumani, kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend. Shtetet kanë të ardhurat e veta dhe kanë ekonominë e tyre që e menaxhojnë vetë.

    -Le të ndalemi pak tek kategoria e ushtarakëve, të cilët edhe pse u bë rritja ata e kanë cilësuar fiktive këtë rritje. Sa të qëndrueshme i shihni pretendimet e kësaj kategorie në lidhje me pensionin që ata marrin?

    -Ne jemi Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, që sipas një skeme ne bëjmë shpërndarjen e pensioneve. Ne pensionet sipas skemës së përgjithshme i njohim deri në një kufi maksimal dhe jo poshtë një kufiri minimal. Dhe ushtarakët në bazë të ligjit dhe në bazë të aktit normativ marrin një pension që nuk mund të jetë më poshtë një kufiri minimal siç është për të gjithë pensionistët. Po ashtu kufiri maksimal pastaj varet nga disa faktorë siç mund të jenë vitet e shërbimit që kanë shërbyer, rroga që kanë pas marrë etj. Pra janë disa faktorë mbi të cilat bëhet edhe përllogaritja e pensionit. Unë nuk besoj se ka ndonjë diferencim për kategorinë e ushtarakëve nga ato njerëz që kanë shërbyer 35 vjet, apo 40 dhe që derdhin kontribute deri sat ë dalin në pension dhe në fund fare u bie në moshën 65 që të marrin një pension që edhe sikur të kenë kontribuar me një rrogë maksimale që mund të jetë edhe 800 mijë lekë e më lart mund të marrin një pension jo më shumë se 23 mijë lekë.

    -Pra pretendimet e tyre duken disi të pabaza?

    -Unë po të jap mendimin tim, ushtarakët nëse duan një trajtim të veçantë, ata duhet të dinë që ato duhet të jenë të veçanta dhe nuk mund të jenë mbi skemën e pensioneve. Skemat e pensioneve janë skema pensionesh dhe nuk mund të jenë të ndara për disa kategori, ato janë njësoj për të gjithë pensionistët. Dhe nuk ka sesi në një skenë pensionesh disa të marrin pensione të çuditshme dhe të kenë pak vite punë, apo të kenë derdhur pak kontribute, kjo nuk mund të ndodhi. Ne kemi kategorinë e nëpunësve të shtetit apo dhe punonjës të privatit që derdhin kontribute me paga minimale dhe pastaj marrin një pension sa 30% ta pagave të tyre. Atëherë si mundet që brenda një skeme pensioni këta njerëz që punojnë më shumë se 15 vjet të marrin pensione shumë më të larta. Atëherë nëse ushtarakët kanë nevojë për trajtime të veçanta pasi mund të kenë shumë vështirësi në pune atëherë le të drejtohen dhe të marrin trajtime të veçanta financiare pranë institucioneve që kanë shërbyer. Me këtë filozofi është gabim në  institutin e Sigurimeve Shoqërore gabim nëse do të kemi kategori të ndryshme personash që do  të trajtohen për kontribute të barabarta  në mënyrë të ndryshme.

    -Para pak ditësh ka pasur një problem më marrjen e pensioneve në Vlorë, ku disa pensionistë nuk tërhiqnin dot pensionet. Mund të na sqaroni diçka në lidhje me këtë ngjarje?

    -Në Vlorë nuk ka pasur asnjë problem për dhënien e pensioneve. Ka pasur probleme me një arkë e cila ka pasur shpërdorime. Kanë shkuar atje ekipet e postës shqiptare që merren me shpërndarjen e pensioneve dhe menjëherë kanë dhënë pensionet për ato persona që nuk kanë pasë marrë pensionet. Kjo është çështja dhe nuk ka pasur probleme të natyrave që nuk kanë pasur para, apo të tjera pretendime që mund të jenë ngritur.

    ____________________________________________________________________________________

    LLOGARITJA E KOEFIÇENTIT TË INDEKSIMIT

    Ligji thotë që qeveria çdo vit indekson ose rrit pensionet. Nëse qeveria do të indeksonte pensionet do të përdorte atë që ne e quajmë indeksin e çmimeve të konsumit, i cili sipas të dhënave të INSTAT-it është diku tek 3.6 % për vitin 2012. Qeveria duke pasur parasysh indeksin e çmimeve por edhe mundësitë financiare që ka, por edhe mendimin për politikat që ka që t’i rrisë pensionet e pensionistëve më shumë se sa indeksi i çmimeve. Kështu që, për vitin e kaluar qeveria vendosi që të rrisë pensionet 4 % për qytetin dhe 5 % për fshatin, pasi për fshatin janë më të vogla pensionet.