Doc. Dr. Ilia S. LARTI/ Shoqëria, individi dhe vlerësimi i meritokracisë së tij

    760
    Sigal

    Marrëdhëniet  e individit me shoqërinë i studion më nga afër dhe më drejtpërdrejt,  shkenca e sociologjisë. Sipas studiuesve, sociologjia si shkencë përputhet mjaft mirë dhe me psikologjinë sociale. Këto disiplina janë e duhen marrë si dy pjesë të një problemi, të cilat kanë dhe një themel të përbashkët.

     Sociologjia, ka për objekt normat dhe rregullat e bashkëjetesës njerëzore.

     Ndërsa psikologjia sociale, niset nga individi dhe kërkon të kuptojë  prej tij se si ai reagon ndaj mjedisit që e rrethon. Si ndikon ky individ mbi njerëzit e tjerë,  por dhe si ndikojnë të tjerët mbi këtë individ.

     Pra shkurt: Sociologjia është shkenca që studion dukuritë dhe anët e ndryshme të jetës së shoqërisë, të grupeve dhe grupimeve shoqërore, si dhe të marrëdhënieve të tyre në shoqëri.

     Atëherë çfarë është funksioni shoqëror?

     Me funksion shoqëror nënkuptojmë punën që kryen individi, me të cilën bëhet element i funksionimit të shoqërisë. Pra në interpretim të këtij përkufizimi mund të themi se: Shoqëria moderne i krijon secilit individ edhe vlerësimin, angazhimin dhe realizimin e solidarësisë. Sigurisht solidarësinë, ndërmjet funksioneve shoqërore të mira, të pranueshme, apo të dëshirueshme në kuptimin e plotë të tërësisë së tyre.

    Të vetmet cilësi të vërteta njerëzore dhe vendimtare të njeriut janë:

    1. Liria dhe gëzimi i të drejtave, që ia siguron shoqëria
    2. Aftësia për tu përsosur nëpërmjet ndryshimit
    3. Si dhe i të qenit sa human dhe social

    Njeriu është krijesë që evoluon ndryshon dhe bën progres. Ai përparon duke zhvilluar pa ndërprerë pontecialet e tij, intelektuale, profesionale, morale e tej, e në thelb të tyre zë vend arsyeja.

    Në këtë kontekst mund të shprehemi se: pavarësisht nga orientimi profesional që mund të ketë një person, atij nuk mund t`i ngarkohet apo besohet një detyrë specifike pa pasur kreditet intelektuale, profesionale, morale dhe ato sociale..!

    Sot, për disa persona serviren apo shpërndahen merita profesionale të pa merituara, sepse shprehen dhe promovohen hapur vlerësime tepër të dukshme jo meritokratike. Ku shmangen pa hezitim  vlerësimet reale të individit, duke i evidentuar nga dinamika e realizimit të detyrave dhe objektivave: niveli intelektual, arritjet profesionale dhe sidomos standardet progresive të formatimit të performancës, nisur dhe nga vlerësimet dhe besimit që ka publiku për këtë person (Performanca publike).

    Nisur nga sigurimi i kësaj performance, mund të themi se: Iu duhet prerë rruga disa pseudo profesionistëve, që janë kalorës në fushën e tyre dhe bëhen gjeneralë dhe në fushat e të tjerëve. Sigurisht këta persona pa pasur kulturën e duhur, shkollimin përkatës, trajnimet, kualifikimet dhe specializimet e vazhdueshme, bëhen “mjeshtra”, për gjithçka. Ndaj, në këtë sens s`ka se si të priten arritje cilësore, vlera dhe standarde, sepse veç mangësive të përmendura më lart, ata nuk kanë forcën dhe argumentin logjik për të mbajtur qëndrime të drejta dhe për pasojë ata nuk shfaqen e përballen dot me të vërtetën përballë publikut, si profesionistë potentë. Ndaj,  ata të detyruar zgjedhin rrugën më të shkurtër, atë e të qenit të heshtur apo pasiv, sikurse dhe të qenit servil.

    Në raport me jetën e vërtetë, sfidat dhe zgjidhjen e dilemave, këta njerëz nuk bëjnë gjë tjetër veç shkaktojnë “tronditje sizmike”, nëpërmjet sjelljeve kaotike, marrëdhënieve konfliktuale, dhe shuarjes së frymës progresive të mendimit bashkëkohor, në ambientet ku jetojnë dhe punojnë.

    Kjo vjen nga që, ky kontingjent personash nuk është në gjendje që të kuptojë dhe vlerësojë të vërtetën e ekzistencës së merituar të fenomenit, se ka njerëz me vlera dhe duhet t`iu jepet ç`iu takon dhe nga ana tjetër ka individë të tjerë pa merita dhe vlera, përkëdhelen dhe iu besohen detyra dhe funksione që nuk e kanë idenë se si menaxhohen.

    Në këto kohë moderne duhen kuptuar hapësirat për të reaguar fuqishëm, ndaj ndryshimeve, si një rregull që duhet pranuar, toleruar dhe nxitur cilin do  që me meritë të fitojë “Licencën profesionale”, “Licencën morale” dhe “Licencën sociale”, pra,  që secili të marrë atë që meriton e jo t`i dhurohet pa e merituar. Askush nuk ka të drejtën e “kryeustait”, që të fali “Licenca” të pa merituara. Apo siç ka ndodhur rëndomtë “paaftësia”,  jep “Licenca”- aftësie, nisur nga interesat e ngushta, shoqëria e sëmurë, nepotizmi e tej. Kjo rrugë ndërpritet kur ka njerëz të “Urtë”, në mendime, të përkushtuar, të përgjegjshëm dhe që dinë t`i shërbejnë shoqërisë, me virtytet e drejtësisë, vërtetësisë, barazisë, paanësisë, sikurse duke i thënë dhe “JO”, selektimit të qëllimshëm, diskriminimit si dhe izolimit social tej. Kjo kërkon dritë jeshile, të ketë një start për të gjithë dhe një finish me kontrollues shumë serioz dhe të pa korruptuar. Në lidhje me këtë të ketë, vlerësim të aplikimeve, civile, intervistave dhe ecurisë në jetë duke filluar nga shkollimi, kualifikimet dhe specializimet e deri te gradat dhe titujt akademikë e tej.

     

    Këto duhet të fitohen nëpërmjet:

    • Profesionalizmit të lartë.
    • Vlerave intelektuale.
    • Figurës morale të pastër, që të ketë të drejtën morale për të diktuar moral.
    • Punës dhe vetëm punës cilësore dhe të suksesshme.
    • Ligjit dhe vetëm ligjit, pa e anashkaluar atë në asnjë rast.

    Transparenca krijon hapësira reagimi

    • Manifestimi i modelit për integritetin
    • Sjellja dhe qëndrime korrekte etike
    • I të qënurit i hapur dhe pa paragjykime
    • Mos mbulimi dhe fshehja e gabimeve
    • Llogaridhënia e herëpashershme
    • Marrja e përgjegjësisë kur duhet
    • Pranimi i mendimit ndryshe
    • Reagimi ndaj gabimeve dhe nxjerrja e mësimeve prej tyre

    Individualiteti i njeriut dhe vlerat e tij që duhet të merren në konsideratë

     

    1-Një njeri me vlera e tregon veten duke manifestuar:

    • Guximin në kulmin e rrezikut.
    • Kthjelltësinë e shpirtit për të mos u hakmarrë.
    • Humanizmin e gjerë përballë njerëzve në nevojë.
    • Qëndrime etike për zgjidhjen sa më drejt të dilemës midis të mirës dhe të keqes.
    • Emancipim, qytetari dhe kulturë të gjerë, për  zgjidhjen e rrugës dhe ndriçimin e saj në mënyrë sa më të drejtë, gjatë përplasjes të së resë me të vjetrën.

    2-Njeriu nuk mund të shohë kurrë me siguri detyrën që merr përsipër, derisa të mësojë se çfarë kërkesash dhe detyrimesh ka ndaj saj, ndërsa disa që rrojnë me bindjen e brendshme për detyrën, kanë një mburojë rreth vetes e cila iu jep atyre qetësinë në çdo rrethanë sido që të jetë ajo. (Fon Hindenburgu)

    3-Ai njeri, që nuk përshtat dot vetveten, për këtë mospërfillje duhet të vuajë pasojat. (Ferdus)

    5Drejtuesi i mirë duhet të ketë harmoni të plotë me grupin e njerëzve që udhëheq apo drejton.

    6-Psikiatri i shquar amerikan doktor Henrih Ling cilëson se, te një  njeri me karakter, duhet të mbizotërojë me të vërtetë:

    • Dashuria për punën
    • Vetëdija
    • Ndershmëria
    • Besnikëria ndaj fjalës së dhënë
    • Qëndrueshmëria në sjellje

    7-Doktor Ling (amerikan), cilëson se: “Individualiteti ka të bëjë me, personalitetin, autoritetin, karakterin dhe vullnetin e njeriut, i cili, shndërron aftësitë dhe energjitë e tij në zakone dhe  veprime, të cilat evidentojnë dhe pasqyrojnë vlerat individuale, por dhe që bëhen mjaft ndikuese, për njerëzit e tjerë”.

    8-Njeriun, të cilin nuk e prekin fatkeqësitë e shokëve, ai  nuk bën gjë tjetër veçse, shfaq në marrëdhëniet me të tjerët një padrejtësi të madhe.

    9-Në jetën e përditshme aftësia praktike është dhjetë herë më e dobishme se sa mençuria abstrakte. Mendimtari abstrakt di se çfarë duhet të bëjë, ndërsa njeriu praktik di se si duhet bërë.

    10-Të jesh i aftë, është diçka e pa mjaftueshme, në qoftë se nuk ngjall besimin në vetvete.

     Formatimin e kësaj performance sa reale dhe sa më të plotë e në mënyrë të merituar e ka- vetëm publiku, sigurisht, nëpërmjet realizimit të disa parametrave:Objektivitetit, legjitimitetit, humanizmit, i të qenit i drejtë, etik dhe etaloni më i denjë i aspektit social e i tolerancës së kulturuar e tej.