Bardhyl Berberi/ Rrëfimi i mjeshtrit të peshkimit në varkën e Byrosë Politike

    417
    Thoma Simaku është një burrë rreth 64 vjeç me një trup të shkurtër dhe krahë muskulozë që njihet si mjeshtër i peshkimit. Për gazetën “Telegraf” ai na rrefen për peshkimin dhe për varkën e tij që njihet si varka e Byrosë Politike.
    – Është një zanat që e kam trashëguar nga babai, thotë Maqua siç njihet në Pogradec. 
    I thashë se dua të shkruaj diçka për atë dhe për peshkatarët dhe veçanërisht për varkën e tij që njihet në Pogradec si varka e Byrosë Politike të asaj kohe.
    -Ah, thotë, ai, eja me mua në gjueti dhe bisedën ta zhvillojmë aty në barkën e peshkimit. 
    Është mëngjes herët. Peshkatarët fillojnë dhe vijnë njëri pas tjetrit tek moli i qytetit. Liqeni shtrihet tej e ndanë me shkëlqimin me ngjyra të buta dhe nuancë të ndryshme dhe shëmbëllen me një qilim të madh ujor, i cili fillon dhe zbulohet gradualisht. Zëmë vend në varkën e madhe të Maqos që ai e quajnë në Pogradec varka e Byrosë Politike. 
    – Ka vetëm një ndryshim nga atëhere, thotë Maqua, varka ishte nëpër sendilet e saj me jastëkë sfungjeri. 
    Motori gjëmoi në ujë dhe varka u shty para duke krijuar një masë të madhe shkume, ndërsa mbrapa ngelej gjurma e madhe e valës që krijonte motori duke e lënë pas si një ugar i trazuar që e ndan liqenin në dy pjesë. Bluja e liqenit sa vjen dhe theksohet më tepër dhe uji duket blu i errët, si i lyer në mellan.
    – Jemi në një thellësi 100 m, thotë Maqua. Mbrapa na shoqëron një tufë me pulëbardha që me klithjen e tyre krijojnë një atmosferë romantike. Në këtë kohë fillon një erë që peshkatarët i thonë llaçkë. Kjo erë e trazon ujin në thellësi dhe e çorodit peshkun, që për peshkatarët është shenjë e mirë për gjueti të mbarë. 
    – I bukur liqeni, thotë Maqua. 
    – Kur do t`i hedhësh rrjetat, e pyes unë. 
    – Pse t`i hedhim këtu, ma pret Maqua, këtu nuk ka gjë dhe peshku është më poshtë. – Dëgjo, vazhdon Maqua, po i hodhëm rrjetat këtu ato grisen pasi ka shkëmbinj nënujorë edhe këtu tek gryka e Çervenakës edhe në Piskupat. 
    Maqua është nga ata peshkatarë që e njeh liqenin me pëllëmbë. 
    – Atëherë ku do t`i hedhim rrjetat, e pyes unë. 
    – Ja sapo të kalojmë drejtimin e lumit. Aty ka koran me shumicë sepse ka drava dhe virçe (vendi ku buron uji në tabanin e liqenit. 
    Korani lëviz në këtë zonë se do ujë të pastër dhe të ftohtë.
    Maqua ka hedhur rrjetat, pikërisht tek vendi që ai beson se ka koran. Pas pak kaculi (koshi i rrjetës) nuk duket se po të kishte kapur belushka do të ishte ngritur lart. 
    Kur ai nxori rrjetat pamë që peshqit e porsakapur në rrjetë ishin që të gjithë koranë. Maqua pothuajse të gjithë jetën e tij e ka kaluar në liqen. Babai i tij Jorgji e ka marrë Maqon në gjueti në liqen që kur ai ishte shtatë vjeç. Ndërkohë që në moshën 14 vjeçare kur ndodhej babai i Maqos, Jorgji me Kadri Hazbiun në varkë i thotë: Shoku Kadri, ky djali nuk më mëson në shkollë si t’ia bëjmë: – Bëje peshkatar siç je dhe vetë, tha Kadri Hazbiu duke qeshur. 
    Sapo mbarova dhe shkollën shtatëvjeçare, thotë Maqua ka filluar punë si peshkatar i rregullt nga viti 1966.
    Në sytë e mi liqeni tashmë nuk ishte vetëm një fushë e kaltër e paanë, ku mund të bredhësh për të kërkuar fatin, por një shkencë e vërtetë që një mjeshtër peshkimi si Maqua e njeh atë me pëllëmbë 
    Më pas Maqua na tregon për gjuetinë që ka bërër me anatarët e Byrosë Politike .Në këtë varkë thotë ai kanë hipur të gjithë antarët e Byrosë Politike përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut .Maqua tregon se kur ata vinin me pushime në Pogradec kohën më të madhe e kalonin në liqen duke gjuajtur peshk në varkën e Maqos. Dhe pse ata gjuanin me Maqon e kishte një arsye se nuk dilnin asnjëherë bosh nga gjuetia. Ai kujton gjuetinë që ka bërë me Adil Çarçanin, Beqir Ballukun, Kadri Hazbiu, Abdyl Këllezin, Koço Thoedhosin, Haki Toskën, Hekuran Isain, etj. 
    – Lenka Çuko, na vinte në siklet se na hipte në varkë me fustan apo fund, thotë Maqua. 
    Por thotë Maqua nuk vinin në gjueti vetëm një ditë por nga 30 ditë që ata pushonin në Pogradec mbi 20 ditë dilnin së bashku me mua në gjueti në liqen duke qëndruar deri në 6 orë pandërprerje. Ja psh Adil Çarçani dhe Beqir Balluku ishin më të papërmbajturit ishin gati të qëndronin edhe natën në gjueti me mua, por unë kisha frikë se njëherë dremitën dhe desh më ranë në liqen. Në fund të gjuetisë e ndanim peshkun së bashku. Aq hijerëndë sa dukeshin të televizor po aq të thjeshtë ishin me mua, më pyesnin nëse kisha ndonjë hall për të zgjidhur, se si jetonim ne, a na dilnin të ardhurat që fitonim. Shpesh herë drekonim së bashku. Në varkën time kur niseshim për gjueti vinte edhe një shoqërues i armatosur.
    Por Maqua ka qënë peshkatari që gjuante koranin për Enver Hoxhën 
    Ndërkohë që kur unë shkoja në gjueti për koran për Enver Hoxhën më vinte një varkë pas në gjueti dhe vëzhgonte gjuetinë me dy shoqëruesë të Enver Hoxhës. Sapo unë, thotë Maqua, nxirrja rrjetat me koran shoqëruesi vinte në varkën time dhe e nxirrte vetë nga rrjeta peshkun. Më pas e merrte të futur në një kasete frigoriferike dhe largohej me varkën e tij direkt nga liqeni tek vila e Enver Hoxhës në Pogradec. Ne nuk e preknim fare me dorë peshkun që konsumonte Enver Hoxha.
    Ndërkohë, thotë Maqua, për hir të së vërtetës edhe kur ata ishin me pushime në pjesën e bllokut të vilave në liqen na linin që ne të bënim gjueti përballë vilave në liqen në zonën e bllokut edhe kur ishte Enver Hoxha me pushime. Por, thotë ai, që kur ka ardhur demokracia u hap rruga e vilave ku kalojnë njerëzit në tokë dhe na kanë bllokuar liqenin këta bllokmenët e rinj. Ky është vërtet një skandal ose më mirë do ta quaja një turp. Çfarë shqetësimi sjellim ne nga gjuetia në thellësi vetëm se jemi në drejtim të vilave ….
    -Jo, na thonë ata të Gardës, mos peshkoni përballë vilave në liqen se është X ministër dhe i prishni qetësinë. Kjo është për të vënë duart në kokë, thotë peshkatari tjetër Petrit Merko, kujt ia kemi treguar është shkrirë së qeshuri. Është vërtet për tek “Portokallia”.
    Por Maqua tregon edhe një moment të vështirë kur prill të vitit 1978 ai sëbashku me shokët e tij Jovan Hilën, Shaban Topçiu dhe Ramazan Bllokun. Tetë orë kemi luftuar me dallgët të cilat kanë qënë si asnjëherë tjetër në liqen. Era na ka përplasur në liqen që nga Tushemishti deri në Hudënisht rreth 20 km gjatësi. Të gjithë u alarmuan, madje u njoftuan edhe disa antarë të Byrosë Politike se Maqua me disa peshkatarë është duke u mbytur në liqen. Ata dërguan një helikopter menjëherë pasi jeta jonë kishte shkuar në fije të perit. Ne, thotë Maqua, i premë shpresat se mund të shpëtonim, madje kujton Maqua dallga e ngrinte varkën tonë aq lart sa ne shikonim Gurin e Topit në horizont. Helikopteri nuk kishte se çfarë të na bënte pasi dallgët ishin ngritur 7-8 m lartësi që na ngrinin lart e na fundosnin poshtë. Ende, thotë Maqua, pas tetë orësh lufte më dallgët edhe sot nuk e shpiegoj dot si kemi shpëtuar. Por, thotë Maqua, kam patur qindra fotografi më të gjithë anetarët e Byrosë Politike, madje foto edhe mbi kalin e Petrit Dumes. Kur dolën armiq më thirrën në polici dhe më thanë: E dimë që ti Maqo ke shumë foto me ata armiqtë, bën mirë që t`i djegësh se e kupton vetë po t`i gjetëm 
    Gjuetia pa kriter që shkatërron peshkimin
    Por, thotë ai, ajo që më shqetëson më tepër është prishja e ekonomisë së krapit në Gurras. Aty prodhoheshin 930 mijë rasate në vit. U ndërtua impianti i ujërave të zeza dhe prishi një investim shumë serioz që këto rasate janë fidanishtja e krapit. Krapi në liqenin e Pogradecit ashtu si korani nga gjuetia pa kriter dhe 600 varka pa liçencë që gjuajnë po e shfarosin. Duke biseduar me Maqon i jemi afruar gadishullit të Linit. Pjesa shkëmbore me shtëpitë anash të futurë në liqen ngjan tamam si një kryqëzor i madh i ankoruar në breg. Liqeni fillon të ngrohet në diell si një konvaleshent dhe buzëqesh aty këtu me brigjet. Në liqen fillojnë e kalojnë rryma të lehta dhe ai vazhdon nanuritjen e tij të lehtë me valza si të lara me argjend. Dhe tani duket i bukur liqeni, i them Maqos. Po, thotë ai, akoma më i bukur duket tani në kthim pas kësaj gjuetie të mbarë …Ai është i kënaqur nga ky zanat. Na ka mbajtur me bukë, thotë Maqua dhe nuk e ndërron me asnjë tjetër madje dhe djalin e vetëm të tij Erionin e ka bërë peshkatar.
    Sigal