Andon Z. Cajupi/ Poezi

    476
    Sigal

    Fshati Im

    Maletë me gurë,
    fushat me bar shumë,
    aratë me grurë,
    më tutje një lumë.

    Fshati për karshi
    me kish’ e me varre,
    rrotull ca shtëpi
    të vogëla fare.

    Ujëtë të ftohtë,
    era pun’ e madhe,
    bilbili ia thotë,
    gratë si sorkadhe.

    Burrat nën hie,
    lozin, kuvendojnë,
    pika që s’u bie,
    se nga gratë rrojnë!

    Gratë venë nd’arë,
    dhe në vreshta gratë,
    gruaja korr barë,
    punon dit’ e natë.

    Gratë në të shirë,
    në të vjela gratë,
    ikinë pa gdhirë,
    kthenenë me natë.

    Gruaja për burrë
    digjetë në diell,
    punon es’rri kurrë
    as ditën e diel.

    0 moj shqipëtarkë,
    që vet’ e nget qetë,
    edhe drek’ e darkë
    kthehesh e bën vetë;

    Moj e mjera grua,
    Ç’e do burrë zinë
    që ftohet në krua
    dhe ti mban shtëpinë!

     

    Fyell’ i Bariut
    Bariu, shokë, bariu,
    kur gjëmon e fryn veriu,
    është përjashta fatziu,
    e rreh breshëri dhe shiu!
    Barinë, shokë, barinë,
    mos e harroni fatzinë,
    se lë gruan e shtëpinë
    t’u kullosë bagëtinë.
    Kullotni, moj bagëti,
    ti, ti, ti. . .
    Kullotni, biro, kullotni,
    kur të vdes të më kujtoni,
    Ndjesë pastë! — të më thoni.

    Shikoni barin’ e gjorë:
    në diell a në dëborë,
    bariu me shkop në dorë
    ruan deshtë me këmborë.
    Vështronje barinë mirë,
    me të ngrën’ e me të pirë,
    t’u marrë dhëntë pa gdhirë,
    t’i kullosë me dëshirë,
    të rrijë bashkë me to,
    to, to, to.
    Hani, moj bagëti, hani,
    kur të vdes do të më qani,
    për mua zi do te mbani!