Ali Asllani/ Poezi

    393
    Sigal

    Ali Asllani u lind më 28 Nëntor të vitit 1882 në Vajzë të Vlorës. Kreu gjimnazin “Zosimea” në vitin 1888 dhe Institutin e Lartë të Shkencave Politiko-Shoqëroro-Administrative në Stamboll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Vdiq më 20 dhjetor 1966. Ka një pasuri të vyer në krijimtari.

     

    Pyeta Valët Vogëlushe

    Pyeta valët vogëlushe;
    mu si krahët e një gushe
    përmbi supe nga një shkumë,
    kush më pak e kush më shumë,
    venë e vinë e shkojnë e shkasën
    dhe përhera për ty flasën.

    Valëza, o valëza,
    farë e fis me vashëza,
    ku e keni shoqen tuaj?
    Ruaje zot nga erë e huaj!

    Pyeta zoga, pyeta zogj,
    pyeta zemrën që m’u dogj,
    pyeta lulet nëpër baça,
    nëpër baça, që un’ plaça,
    muaj e vitra po të pres,
    vidi-vidi pëllumbeshë!

    Vidi-vidi zogëza,
    farë e fis me zojëza,
    ku e keni shoqen tuaj?
    Një minutë e gjat’ një muaj!

    Vidi-vidi pëllumbeshë!
    për ty qaj e për ty qeshë,
    për ty qesha; gjithë jeta
    me gjith’ lule, me gjith’ fleta,
    u bë fli për ata sy;
    çdo gëzim ta fala ty!

    E çdo brengë e mbajta vetë.
    Tash afroi e thënë e shkretë,
    dhe un’ s’di ku jam, ku vete,
    rroj për ty e vdes për vete!

    Vetëm jeta s’mund të matet

    Dhe ajo qe m’u duk mua e përhershme shkoj e vate.
    Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
    S’di, i ziu, ç’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
    e me ndrit e me tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

    Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
    meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
    s’di, i mjeri ç’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
    midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

    Thonë paska paraise, gjith’ lulishte e pallate
    tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
    s’di, i ziu, ç’është hyrija, por hyrirat më të mira
    s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

    Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
    ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
    s’di, dhe s’di, se ç’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
    kur ma mbush e kur ma jep, ajo dorë pa mëkate

    Dy te tretat e një kohe, të një shekulli që vate
    vate jeta ime vate, me ‘të bashke van’ dhe fatet
    s’di, i ziu, se ku vane, vetëm jeta s’mund të matet
    veç me ditët qe kalova, në prani të zotëris’ sate