Aleksandër ÇALA/ Tragjedia ajrore që mori jetën e dy pilotëve 23 vite më parë

    481
    Sigal

     Më 22 mars 1991 ranë në krye të detyrës “Dëshmorët e Atdheut”, pilotëve Fluturim Molla dhe Eduart Kostdhima

    Në një ditë të bukur pranvere, më 22 mars 1991, pista e aerodromit luftarak të Kuçovës gumëzhinte nga gjallëria e njerëzve me uniformë dhe zhurma e avionëve reaktivë. Ditë e zakonshme fluturimesh, por mobilizimi dhe përgjegjësia për zbatimin me rigorozitet e përpikmëri të çdo elementi në ecurinë pa ngjarje të tyre është si gjithmonë i lartë. Avionët reaktivë njëri pas tjetrit fluturonin drejt qiellit blu… e pasi kanë realizuar detyrat luftarake kthehen përsëri në bazë.  Ekuipazhi i avionit reaktiv dy vendësh luftarako-mësimor UTIMig-15 me Nr. Anësor 4-20 del në start dhe kërkon leje për nisjen e fluturimit. Udhëheqësi i fluturimit lejon ngritjen. Avioni starton vrullshëm përpara e pas disa sekondash shkëputet nga pista. Rajoni i kryerjes së detyrës është në rrethin e Lushnjës dhe koha për realizimin e saj është rreth 30 minuta. Çdo gjë shkon mirë dhe ekuipazhi pasi ka realizuar detyrën kërkon humbjen e lartësisë për të realizuar uljen në pistë. Vështrimet e efektivit përqendrohen në korridorin e afrimit për të parë avionin që do të ulej nga çasti në çast, por pritja vazhdon gjatë dhe ai nuk po shfaqej në horizont. Shqetësimi sa vjen e rritet, zemrat rrahin me tjetër ritëm. Sekondat duken orë e pritja bëhet e padurueshme. Diçka jo e mirë duhet të ketë ndodhur, zemra e ndjen por goja nuk e shpreh. Ka ndodhur ajo që asnjeri nuk e dëshironte dhe nuk e priste, ka ndodhur ngjarje e rëndë ajrore si rezultat i së cilës gjetën vdekjen të dy pilotët dhe u shkatërrua plotësisht avioni.

    Si ndodhi ngjarja

    Në aktin teknik të përgatitur nga komisioni i posaçëm ngritur për këtë ngjarje, jepen të dhëna të plota e të hollësishme. Në orën 09:31 u ngritën në ajër për plotësimin e detyrës “Trenerim në pilotim në zonë” me avionin luftarako-mësimor dy vendesh reaktiv pilotët Fluturim Qani Molla, në rolin e instruktorit dhe piloti i ri Eduart Qirjako Kostdhima. Në orën 09:35 ekuipazhi raportoj për zënien e qendrës së zonës (afërsisht në rajonin e Lushnjës), dhe pasi u lejuan nga udhëheqësi i fluturimit, filluan plotësimin e detyrës. Në orën 09:48 nga ekuipazhi kërkohet humbja e lartësisë, pasi kishin realizuar detyrën. Udhëheqësi i fluturimit i urdhëroi të dalin mbi aerodrom në lartësinë 1000 metra. Mbas 4 minutash, pra në orën 09:52, udhëheqësi i fluturimit duke parë që avioni nuk erdhi mbi aerodrom, i kërkon ekuipazhit vendndodhjen e avionit, por nuk merr përgjigje. Mbas 2 minutave e përsërit kërkesën për të dhënë vendndodhjen por përsëri nuk merr përgjigje. Të njëjtën kërkesë e përsërisin dhe Vendkomanda e Regjimentit dhe disa pilotë të tjerë që ishin në ajër, por nuk ka asnjë përgjigje. Pas kalimit dhe të kohës në të cilën avioni mund të qëndronte në ajër me karburantin e furnizuar, u bë e qartë se ka ndodhur ngjarje ajrore. Komisioni i posaçëm i ngritur nga Komanda e Aviacionit për këtë ngjarje, nga vrojtimi i vendit të ngjarjes, konstatoi se në afërsi të fshatit Karbunarë e Vogël në rrethin e Lushnjes, avioni me Nr. 4-20 ishte përplasur në tokë me një kënd me horizontin rreth 60-65 gradë, me shpejtësi të madhe përparuese dhe me rrotullim. Shkalla e dëmtimit të avionit është e tillë që dëshmon për një shkatërrim me eksploziv sapo ka ndeshur tokën dhe me shpejtësi të tillë që nuk ka pasur kohë as të marrë zjarr. Po cila është e vërteta e ngjarjes? Ajo nuk dihet. Të vërtetat e tragjedive në aviacion, ato më realet, më të hidhurat, paradoksalet, të rastit apo të çdo varianti tjetër nuk ka komision apo grup ekspertësh që t`i zbardhi apo vërtetoj.

    Po cilët ishin pilotët që humbën jetën?

    Piloti Fluturim Qani Molla është lindur më 17.07.1958 në fshatin Torrovec të Korçës. U titullua pilot në vitin 1980, pasi mbaroi studimet në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë. Gjatë viteve 1980-1983 ka kryer fluturime me avionin Mig-17. Në vitin 1984 ka bërë kalimin dhe ka fluturuar me avionin Mig-19. Gjatë gjithë periudhës që shërbeu në aviacion ka realizuar gjithsej1088 fluturime me kohën 274 orë e 10 minuta. Në vitin 1990 u emërua komandant katërsheje në skuadriljen e parë të avionëve Mig-19 dhe gjatë muajve nëntor-dhjetor është përgatitur për detyrën e instruktorit fluturues për pilotët e rinj të Regjimentit të Kuçovës. Nga kabina e dytë në avionin luftarako-mësimor reaktiv kishte kryer 70 fluturime me kohën 09 orë e 29 minuta. Piloti Fluturim Molla kishte pasion të madh për fluturimin, ishte korrekt në zbatimin e detyrave në ajër dhe me kërkesa në rritje ndaj vetes.

    Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Korçë. Piloti Eduart Qirjako Kostdhima është lindur në Vaun e Dejës, Shkodër më 10.11.1988. U titullua pilot në vitin 1990, pasi mbaroi studimet në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë. Në janar të vitit 1991 emërohet me detyrë Pilot, Komandant ekuipazhi në skuadriljen e avionëve Mig-17. Mbas kryerjes së përgatitjes teorike për kalimin në avionin Mig-17 është vlerësuar me notë mesatare mbi 8.5 dhe ka kryer fluturimin e parë vetëm në datë 11.02.1991. Gjatë gjithë periudhës që shërbeu në aviacion ka realizuar gjithsej 638 fluturime me kohën 125 orë e 15 minuta. Me vendimin Nr.49, datë 23.12.1994 të Këshillit të Rrethit të Durrësit është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Durrës.

    Shpallja “Qytetar Nderi”

    Shoqata “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”, me mbështetjen e madhe të komandës së Forcës Ajrore, ka ndërmarrë nismën për të realizuar propozimet për dhënien e titujve nderi nga Pushteti Vendor i vendlindjeve të dëshmorëve.  Në përvjetorë të rënies në krye të detyrës shumë prej tyre janë shpallur “Qytetar nderi”. Propozimi i Shoqatës gjeti miratim të plotë nga të zgjedhurit vendor të Lukovës dhe Moglicës dhe për të dy këta dëshmorë u organizuan ceremoni të veçanta. Në Lukovë, ditën kur u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për pilotin dëshmor, Eduart Kostdhima, bir i Bregut, kësaj treve të bukur shqiptare, ambientet e shkollës kishin një gjallëri të veçantë. Familjarë të dëshmorit, veteranë të Aviacionit, ushtarakë të Forcës Ajrore, pushtetarë vendorë, banorë të zonës e nxënës të shkollës kishin ardhur për të nderuar jetën, punën dhe sakrificën e tij sublime. Biri i bregut piloti Eduart Kostdhima mbeti përjetësisht në kaltërsitë e qiellit. Kryetari i shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit” Kujtim Serani shprehet se: “Ne, Familjarët e tyre jemi krenar që ATA kontribuuan dhe sakrifikuan për krijimin e zhvillimin e Aviacionit dhe nuk kursyen as gjakun e jetën e tyre për konsolidimin e kësaj arme. Ata janë krenaria dhe nderi i të gjithëve, simboli i mënyrës se si i duhet shërbyer atdheut. Marrja e këtij titulli të lartë i bën të pavdekshëm Dëshmorët e Aviacionit në vendlindjet e tyre”