Abdulla Omuri/ Shërbimet e Unazës, Shkozës dhe Saukut, në gjyq për dhunën ndaj invalidëve

    355
    Sigal

    Flet Abdulla Omuri, kryetari i shoqatës së Invalidëve të Punës: Në Shqipëri, nuk triumfon ligji, por vepron antiligji

    Shërbimet urbane të Unazës, Shkozës dhe Saukut do të përballen me drejtësinë për dhunën e ushtruar ndaj invalidëve. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” z. Abdulla Omuri, kryetari i shoqatës së invalidëve të punës, i cili tregon se ka fakte dhe foto, për këtë padrejtësi që u është bërë invalidëve, duke filluar nga 1 qershori i këtij viti. Z. Omuri tregon për takimet me institucionet përgjegjëse dhe përpjekjet e tyre në zbatimin e ligjit. Gjithashtu kreu i invalidëve të punës tregon me shifra edhe fitimet reale të këtyre shoqërive të transportit urban që nuk njohin ligjin, por vetëm interesat e tyre ekonomike.

     Si u njohët ju me padrejtësinë që po bënte Shoqata e Transportit Urban ndaj invalidëve të punës?

     I gjithë publiku që frekuenton shërbimin urban, është njohur me një njoftim nga Shoqata e Transportit Urban, i vendosur në autobusët që disponojnë këto shoqëri. Njoftimi deklaronte se duke filluar nga 1 Qershori 2014 asnjë invalid pune nuk do të lejohet të qarkullojë në autobusë falas, sipas ligjit. Njoftimi kishte të bënte edhe me trille, ku pretendohej se është ndryshuar ligji. Në fakt, ky ishte një mashtrim, se ligji kishte ndryshuar, por jo për përjashtimin e shtresave në nevojë, por ndryshimi kishte të bënte me çmimin e biletës, që do t’ i kalonte këshillave bashkiake.

     Cili ishte reagimi juaj si shoqatë?

     Duke ditur se në Shqipëri nuk funksionon ligji, por antiligji, drejtuesit e Shoqatës së Invalidëve të Punës së Shqipërisë filluan kontaktet me institucionet shtetërore, si: Kryeministrin, Ministrinë e Mirëqenies dhe Bashkinë Tiranë. U takuam me Zv/Ministren e Mirëqenies znj. Kospiri dhe një grup drejtorësh të këtij dikasteri. U bëmë të qartë se ligji për invalidët e punës nuk ka ndryshuar, por sipas kërkesës së përfaqësuesve të shoqërive që kryejnë transportin urban, një nga kërkesat e tyre në tryeza, ku ne kemi qenë të pranishëm, ka qenë edhe rimbursimi i shtresave në nevojë. Parimisht, unë nuk jam që këto shoqëri të rimbursohen, mbasi këto shoqëri kanë shumë të meta në plotësimin e kritereve për transport publik. Nuk po i trajtoj problemet që ata kanë në plotësimin e kritereve, por duhet t’u bëj të qartë të gjithë të interesuarve dhe publikut se:- Që nga momenti që një shoqëri, person juridik, apo fizik kërkon të kryejë shërbime publike,  përfshi këtu edhe transportin publik, duhet të ketë në radhë të parë një kulturë dhe mbi të gjitha të respektojë ligjin. Me gjithë takimet që patëm në Ministrinë e Mirëqenies, apo me zv/kryetarin e Bashkisë z. Bozdo, të gjithë na dhanë të drejtë dhe njoftimin e bërë nga Shoqata e Transportit, për vendimin që do të merrnin, e quajtën të paligjshme. Pra, ishte shkelje e ligjit. Në fakt, Ministri i Mirëqenies z. Veliaj me shkresën dërguar njësive të qeverisjes vendore dhe për dijeni edhe Prefektëve, ua kishte bërë të qartë se: Ligji për invalidët e punës nuk ndryshon, por të gjithë ata shoqëri që nuk do të zbatojnë ligjin për invalidët e punës do t’iu hiqet licenca. Po të njëjtën gjë bëri të ditur edhe n/kryetari i Bashkisë Tiranë z. Bozdo, por në fakt ndodhi e kundërta.

     Çfarë ndodhi në të vërtetë, edhe pse ju morët aprovimin e ligjshmërisë së kërkesës suaj nga dikasteret përgjegjëse si në nivel qendror, ashtu dhe vendor?

    Në 1 Qershor, ashtu siç patën premtuar shkelësit e ligjit dhe ata që janë mësuar të fitojnë në kundërshtim me rregullat, duke mashtruar, qoftë popullin, qoftë edhe institucionet shtetërore dhe për më tepër në një ditë feste, ku shumë invalidë të punës, femra dhe meshkuj atë ditë kishin planifikuar të shoqëronin fëmijët apo nipërit e tyre, me të hipur në autobusë, ku u treguan faturinove dokumentet e invaliditetit, u përballën me fyerje e sharje. Për këto ngjarje ne kemi siguruar edhe fotot dhe deklaratat e invalidëve që përbëjnë një provë për në Gjykata. Pra, në një vend që pretendon të anëtarësohet në strukturat Europiane, siç është edhe Shqipëria, nuk triumfon ligji, por vepron antiligji. Pra, fitoi anarkia, u demonstrua qartë nga shoqëritë e transportit urban që mënyra për të fituar edhe në kurriz të shtresave në nevojë, nuk njeh kufi apo ligje. Ne e kuptojmë se janë gërshetuar gjërat në këtë vend në atë mënyrë që ata që shkelin ligjin nuk ndëshkohen, ata që janë të pamundur diskriminohen, ata që zbatojnë rregullat dhe ligjet nuk respektohen. Dua të sqaroj nga ana profesionale se:- Pretendimi i Shoqatës Transporteve se ligji është shfuqizuar nuk ka asnjë bazë ligjore. Veprimi i tyre ishte tepër abuziv dhe i ndëshkueshëm.

     Cilat janë linjat që kanë abuzuar më së shumti? A ka ndonjë përjashtim?

    Në këtë rast dua të falënderoj Shoqërinë e Transportit Urban, që kryen shërbimin urban Kamzë-Tiranë dhe anasjelltas, e cila ka qenë korrekte në veprimtarinë e saj për të cilën është licencuar. Gjithmonë kjo shoqëri ka kërkuar bashkëpunim me përfaqësuesit e shtresave në nevojë dhe ka patur rezultate. Pra, kjo shoqëri zbaton ligjin dhe duhet inkurajuar që të ketë akses edhe në linja të tjera, duke eliminuar ato shoqëri të cilat nuk ndjejnë përgjegjësi ndaj qytetarit dhe në rastin konkret ndaj ligjit. Ndërsa shoqëritë që kryejnë shërbimin e Unazës, të Shkozës dhe të Saukut do të përballen me padi penale ndaj atyre invalidëve të punës që kanë ushtruar dhunë.

     Si e shikoni ju zgjidhjen e këtij problemi?

    Ka mjaft operatorë të tjerë që kërkojnë për të hyrë në treg, duke plotësuar kërkesat e tregut dhe duke zbatuar ligjet. Nga ana tjetër do t’i kërkojmë Qeverisë në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë ndërkombëtarë, ku edhe ne përfaqësuesit e Shoqatës invalidëve të Punës do të kemi rolin tonë, që të krijojmë shoqëri transporti publik, ku do të punësohen rreth 2 620 invalidë pune që janë me të drejtë pune. Duke punësuar si faturino invalidët e punës do të zbatojnë ligjin në mënyrë korrekte, nuk do të fshehin të ardhurat siç i fshehin, aktualisht, punonjësit e këtyre shoqërive, duke mos pajisur qytetarët me bileta dhe mendojmë se do të zgjidhim problemin njëherë e përgjithmonë. Me krijimin e këtyre shoqërive, do të eliminojmë shkelësit e ligjit dhe lubitë në transportin publik, do të eliminojmë shkeljet në tregun e punës, ku aktualisht faturinot janë të pasiguruar nga pronarët e këtyre shoqërive, por nga ana tjetër punësojmë njerëz në nevojë dhe korrekte në punën e tyre.

    Monitorimi, ja sa fitojnë në ditë shoqëritë e transportit

    Shoqëritë e transportit, kanë deklaruar në media se në Tiranë udhëtojnë 40-50 mijë invalidë në ditë. Për të përgënjeshtruar këto deklarata Shoqata e Invalidëve të Punës mori nismën për të bërë një monitorim të këtyre shoqërive. Monitorimi u bë në dy faza: E para më 21, 23, 24 dhe 25 Janar 2014 nga ora 7 e mëngjesit dhe deri në orën 18 të darkës dhe rezultati ishte:- Në Tiranë udhëtonin në ditë 217 invalidë. U realizua edhe një monitorim i dytë me 4-5 shkurt 2014 dhe rezultati ishte:- Në Tiranë udhëtonin 186 invalidë në ditë. Dikush mund të pyesë, përse në monitorimin e parë ishte shifra më e madhe? Po shpjegohemi: Çdo muaj në Tiranë nga data 20-30 të çdo muaji invalidët dalin në kempin eprorë dhe janë të detyruar të dalin nga shtëpia e tyre.

    U monitoruan të gjitha linjat për të parë se sa pasagjerë udhëtonin nga ora 7 e mëngjesit dhe deri në orën 18 të darkës. Rezultati ishte:- Mesatarisht në një autobus udhëtonin 1612 pasagjerë, flasim vetëm për Tiranën.

    1612 pasagjerë – 200 invalidë = 1412 pasagjerë

    1412 x 30 lekë =  42 360 lekë (të reja)

    42 360 – 18 000 lekë karburant = 24 360 lekë

    24 360 – 1 000 lekë faturino (rrogë) = 23 360 lekë

    23 360 lekë – 2 000 lekë shoferi (rrogë) = 21 360 lekë

    21 360 lekë – 3 000 lekë (avari të ndryshme) = 18 360 lekë (të reja) është fitimi i një autobusi në ditë.

    Ndërsa një grup ekspertësh të tjerë e ka nxjerrë 15 000 lekë të reja fitimin në ditë të një autobusi. Pra, mendoni se çfarë kërkojnë këta pronarë autobusash sot. Kërkesa e tyre është:- Na zëvendësoni me operatorë të tjerë. E, vërtetë,  këtyre shoqërive duhet t’u hiqet licenca, nuk janë të drejtë për transport publik.

    Veliaj-bashkive: Respektoni ligjin për statusin e invalidit

     Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, i bëri thirrje dje bashkive që të respektojë ligjin për statusin e invalidit, i cili u garanton atyre udhëtim falas në transportin qytetas. Teksa ka hipur vetë në njërën nga linjat e autobusëve që operon në Tiranë për të inspektuar urdhrin e nxjerrë para pak ditësh nga MMSR për udhëtimin falas të personave me aftësi të kufizuar, Ministri Veliaj tha se problemet më të mëdha janë vërejtur në Bashkinë e Tiranës. “Më rezulton se problemet më të rënda janë vërejtur në Bashkinë e Tiranës. Përveç linjës së Kamzës, asnjë nga linjat e tjera nuk e ka respektuar urdhrin. Prandaj, hipa sot në autobus, së bashku me disa qytetarë që janë të pajisur me dokumentin e invaliditetit, për të parë respektimin e ligjit. Me sa duket, ligji u njihka, por disa njerëz zgjedhin të mos e zbatojnë atë”, u shpreh z. Veliaj. Ministri i bëri thirrje edhe shoqërive të transportit që ta respektojnë ligjin.

    Bozdo i kërkon qeverisë t’i japë zgjidhje transportit publik falas

     Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo i kërkoi sot qeverisë që të zgjidhë ngërçin e transportit publik falas, apo të rimbursuar sipas kategorive. Pas takimit që ai pati me krerët e shoqatave dhe grupet e interesit, që përfitojnë nga transporti publik falas, Bozdo u shpreh se qeveria do të marrë përgjegjësitë e saj, bashkë me ministritë përkatëse. “Kemi dalë sot në një qëndrim të përbashkët, bashkë me përfaqësuesit e shoqatave dhe i kërkojmë qeverisë që brenda afatit një mujor të zbatojë vendimin e Këshillit të Ministrave ku përcakton qartë, kriteret, procedurat dhe subvencionimi i shtresave në nevojë për transportin publik falas ose të rimbursuar. Kemi vendosur një afat 30 ditor me shpresën se pas kaq e kaq muajsh, qeveria do të marrë përgjegjësitë e saj, bashkë me ministritë përkatëse, sipas rastit për të respektuar vendimin e KM”, u shpreh Bozdo për mediat.

    Kapedani-transportit urban: Zbatoni ligjin

     Komisioneri i Avokatit të Popullit, z. Ermir Kapedani, lidhur me përjashtimin e personave me aftësi të kufizuar nga të drejtat e shërbimit publik për transportin urban, u kujton operatorëve të transportit publik, se edhe pse janë sipërmarrje private, kryejnë shërbim publik, të deleguar nga pushteti vendor. “Sjell në vëmendjen e të gjithë aktorëve shqetësimin e personave me aftësi të kufizuara, të cilëve duke filluar nga 1 Qershori, operatorët privatë të transportit nuk iu ofrojnë facilitetet që u njohin një sërë ligjesh të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas tij, të gjitha aktet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare ia njohin këtë facilitet personave me aftësi të kufizuar. Z. Kapedani i bën thirrje qeverisë, “që në një kohë sa më të shpejtë të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtyre ligjeve, të cilat që nga viti 2012, përkatësisht për personat që përfitojnë nga Statuset e të Verbrit dhe Para/Tetraplegjikut, nuk kane akte nënligjore për zbatimin e tyre. Shpresojmë të jetë hera e fundit që operatorët privatë, që ofrojnë shërbime publike, të cenojnë të drejtat e personave me vulnerabël të shoqërisë”.