Lili Cingu:Si e morëm “Gjerdanin e Artë” në Dizhon të Francës dhe sukseset e mia kur jetoja në Kanada

1168
Sigal

Lili Cingu, kartolina e Ansamblit shqiptar të Këngëve dhe Valleve. Kush ishte debutimi i parë dhe i fundit në skenat shqiptare

Lili Cingu do të mbetet përgjithmonë kartolina e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare. Edhe pse s’është më pjesë e Ansamblit, ajo sërishmi nuk lë rast pa shkuar tek ky institucion. Aty ka shoqet, shokët, kujtimet më të bukura të jetës. Në shumë aktivitete ajo është sërishmi pjesë e këtij institucioni shumë të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Vazhdon të jetë një nga valltaret më të suksesshme të skenës me pjesëmarrje shumë dinjitoze në klipet më prestigjioze të këngëtarëve shqiptarë. Një jetë në skenë, Lili Cingu ka krijuar figurën e saj artistike dhe një karrierë që duket se po i mbijeton viteve. E freskët, plot larmi, portret të spikatur profesional, vallja shqiptare duket se nën interpretimin e saj ka marrë forcën dhe hijeshinë e bukur të melosit tonë tradicional, forcën dhe shprehurinë e saj më të mirë.
 
Debutimi i parë

Debutimi i parë ka ndodhur në fëmijëri, më pas si amatore në grupet e ndryshme. Me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore është përzgjedhur të punonte në vitin 1967.
Natyrisht që, bukuria ka ndikuar, pasi kur u aktivizua me ansamblin ishte 16-vjeç. Mendoj se, të meritosh të ngjitesh në një skenë të tillë duhet të kesh pasionin në radhë të parë dhe pa dyshim dhe talentin. Duhet të punosh shumë, të djersitësh jashtëzakonisht. Që në fëmijëri, duke parë gjithë ato valle të bukura të popullit tonë ndjeu dëshirën për t’i debutuar në skenat shqiptare. Për fat ju dha mundësia ta realizojë këtë ëndërr. Pati dhe fatin të bjerë në sy dhe të tregonte gjithë përkushtimin dhe dashurinë e saj ndaj këtij profesioni. Nuk mund të kërcente dot një valle dashurie, një valle siç mund të kërcehet tani. Atëherë, kërcehej me tematika të ideologjizuara. Tani ka tematika më të gjera dhe ka më shumë mundësi për t’u shprehur nëpërmjet lëvizjeve. Atëherë nuk ishte shkolla përkatëse siç e kanë sot. Sipas saj, shkolla është një institucion i rëndësishëm dhe ka një ndryshim mes kërcimit me shkollë dhe kërcimit si amatore. Zoti na i fali ato mrekulli që dhe pa shkollë shkëlqyen në skenë. Ansambli në gjithë botën ka lënë një emër të mirë dhe me të vërtetë që janë quajtur ambasadorët e Shqipërisë nëpër botë. Kjo gjë u bë nga këngët dhe vallet shqiptare. Në shumë skena të botës u  nderuan me çmime dhe mendoj se ky ka qenë treguesi i punës dhe aftësive…

Jashtë shtetit

Hera e parë që lëvizën nga Shqipëria ka ndodhur, kur ajo kishte vizituar dhe prekur pothuajse gjithë Shqipërinë. Udhëtimi me pasaportat diplomatike ka qenë Turqia në Festivalin e Izmirit. Ne i kemi vallet e mrekullueshme dhe bëjnë shumë jehonë: ne kemi vallen e shqipes, gështenjave, Tropojës, Peshkopisë. Kemi një burim të pashtershëm të folklorit shqiptar. Dhe hera e parë që ishin në Turqi ajo ishte vajzë dhe u befasua nga duartrokitjet e shumta kur dolën dhe interpretuan në skenë. I bëri shumë përshtypje që nuk i thërrisnin shqiptarë, por u thoshin arnautë. Më pas nëpërmjet përkthyeses kuptoi që kështu i thoshin shqiptarëve. Në veshin tonë ajo fjalë ka ngjyrim paksa negativ.
Por duhet thënë se aty u pritën shumë mirë. Duartrokitje të pambarimta, ovacione. Ishin më të mirët dhe morën çmimin e parë të festivalit. Sa herë që shkonin jashtë ktheheshin në Shqipëri me çmime.

Turnetë

Të gjitha turnetë i ka pasur me emocione. Ishin një grup shumë i mirë dhe në turnetë që merrnin pjesë jashtë shtetit përgjithësisht janë vlerësuar. Mban mend që çmimi më i madh është “Gjerdani i Artë” në vitin 1970 në skenën e Francës. Ka qenë festivali më madhështor që është zhvilluar ndonjëherë dhe ishte hera e parë që ne merrnim pjesë në një të tillë. Ishte Festivali i Dizhonit, ku merrnin pjesë grupe të ndryshme, veçanërisht ato nga Rusia që ishin të mrekullueshme. Ai turne bëri një bujë shumë të madhe dhe pati jehonë në gjithë botën. Në atë valle ishte soliste e dytë dhe ai Gjerdan i Artë në qafën e sajë të hollë ishte një dhuratë e jashtëzakonshme. Ajo i ka mbetur në kujtesë sepse ishte 19 vjeç dhe gjerdani rëndonte gati 5 kg. 

Jeta në monizëm
Ishte artiste që i ka takuar të ngjitej në skenë në atë kohë dhe është normale që shpesh në shfaqje do vinin udhëheqës të ndryshëm, por ne merrnin pjesë dhe në pritjet që realizoheshin në atë kohë. U ndodhte shpesh t’i takonin dhe sipas saj edhe mund të jetë takuar me të gjithë. Koha e Enver Hoxhës ka kaluar dhe nuk duhet ta kujtojmë. Artistët nuk kanë qenë kaq të lirshëm sa janë tani. Tani mund të shkëmbesh dhe mesazhe, urime, sms, telefonata urimi, takime më të shumta. Në ato vite maksimumi ishte një shkëmbim dore dhe vetëm kaq. Pavarësisht se, fëmijët e Enverit i kam pasur në shkollë dhe kishin shoqëri kanë qenë shumë të kujdesshëm, se mund të ndodhte e keqja kur nuk e prisje.

Vallja Çame

-Të kërcesh Vallen Çame është domethënie në vetvete, për vetë faktin se ai vend na takon neve dhe është pjesë e tokës amë. Lili pavarësisht se është nga Veriu e ka me pasion vallen çame dhe e kërcen me shumë dashuri. Sa herë ka hipur në skenë për të interpretuar vallet shqiptare, që kanë qenë të shumta ajo thotë se vallja çame i ka lënë një mbresë të ndryshme, të veçantë. Festivali i Sarandës ka disa vjet që organizohet dhe është një iniciativë shumë e lavdërueshme sepse preket dhe lëvrohet vallja çame që ka një dinamikë dhe lirizëm të jashtëzakonshëm. Për më tepër që banorët e zonave të Jugut e kishin shumë të nevojshëm organizimin e atij festivali. Aty  ajo pa këngë dhe valle çame duke qenë pjesë e jurisë, dhe thotë se e ndjeu veten e saj jo fajtore, sepse ajo e ka debutuar shumë herë vallen çame, por e ka ndjerë veten fajtore për të realizuar një klip dhe kënga e zonjës Enkelejda Arifi i plotësoi dëshirën që t’i kthehej me më shumë përkushtim valles çame. Gjithë klipi doli me sukses dhe ajo ka mbetur shumë e kënaqur.

– Po t’i përmbledhësh të gjitha, ajo nuk mund të veçojë asgjë jashtë karakterit të valles çame. Në këtë valle profesionalisht gjen dinamikën, lirizmin, forcën, vuajtjet e një populli të etur për liri dhe të drejta. Mendon se në interpretimin e valles çame tregohen të gjitha elementet e asaj krahine, gjithë ai shpirt luftarak, ajo dëshirë për të qenë vetvetja dhe me të vërtetë mund të klasifikohet ndër perlat e muzikës shqiptare.

Në jetën e saj

Ka fituar përvojën më të madhe si një titullare dhe si një artiste, ka fituar respektin dhe mirënjohjen e njerëzve për atë që ka dhënë në skenë. Gëzohet shumë kur kalon rrugës dhe njerëzit bisedojnë me njëri-tjetrin: “Kjo është Lili Cingu”. Kjo për të është kënaqësia më e madhe. Krahas talentit, perëndia i ka falur dhe bukurinë. Legjenda Besim Zekthi, fillimisht ka qenë solist dhe kur qëndroi në krahun e tij, ishte një vajzë e re, e sapoformuar. Me daljen e tij në pension, qëndroi në krah të Rexhep Çelikut, duke u vlerësuar nga shtypi i kohës, si dy shqiponja që fluturonim në skenën shqiptare dhe jashtë saj. Në vitin 1997, kur ka dalë në pension, por punon akoma për t’i dhënë talentit të ri karakteristikat e saj dhe bukurinë e valles shqiptare.

Kosova dhe babai

Kanë qenë emocione pa ndërprerje. Në çdo eveniment dhe turne që bënin. Më pas ndodhi që bënë turneun e parë në Kosovë në 1971-in. Lili ka babanë nga Gjakova dhe kur kujton vitin ‘71 menjëherë i lotojnë sytë. Duke qenë se, ne ishim të ndarë nga kufijtë, i atë ishte detyruar të vinte në Shqipëri në 1945-n dhe të mos kthehej më kurrë në vendlindje, Ikja e saj  atje ishte një gëzim i dyfishtë, sepse do takonte njerëzit e babait në Kosovë dhe njëkohësisht dhe familja e saj, gjithashtu, gëzohej sepse do prekte tokën, ku i ati kishte lindur, do takonte të afërmit, shtëpinë e tij. I ati kur kish ikur nga Kosova kishte marrë me vete një medaljon që ja kish dhuruar asaj dhe kur e panë të afërmit e tij u mallëngjyen akoma dhe më shumë. Pastaj pjesa artistike dhe pritja që u bëri publiku i Kosovës ishte diçka e papërshkruar dot me fjalë. Stadiumi në këmbë, njerëzit digjnin xhaketat.
Ishte një turne shumë mallëngjyes dhe për faktin që ishim një komb, një gjuhë të ndarë me kufi.

Largimi nga Shqipëria

Për disa vite me radhë Lili Cingu u shndërrua në një udhëtare të paepur. Duke qenë se doli në pension në vitin e mbrapshtë të ‘97-s shkoi në Kanada, ku ushtroi përsëri profesionin e saj. Por dhe pse në një botë të huaj të mbushur me të mirat materiale ajo nuk e ndjente veten të plotësuar. Kishte gjithë rininë dhe jetën e saj të përkushtuar ndaj profesionit. Ndaj mbas disa shfaqjeve të suksesshme jashtë kthehet përfundimisht në Shqipëri për të mos i munguar kurrë skenës shqiptare që e ngriti aq shumë duke u bërë përsëri me talentin e saj protagoniste.

Lidhjet mes artit dhe bukurisë

Bukuria e valles është e gërshetuar me bukurinë e fizikut të femrës shqiptare, të veshësh kostumin e bukur popullor shqiptar dhe të mos jesh e bukur, patjetër që vlerat nuk shfaqen aq bukur. Kur shikon një vajzë të bukur, me një kostum të bukur dhe që kërcen bukur vëmendja e publikut është më e madhe. Veten e saj nuk e quan të privilegjuar nga bukuria, e quan të privilegjuar nga talenti, nga sakrificat e saj, nga orar e pa orar për t’i dhënë skenës dhe publikut atë që kanë kërkuar.