Tirana, qyteti më i shtrenjtë në botë për blerjen e një shtëpie afër qendrës

558
Sigal

Personave më të paguar në vend do t’i duheshin 50 vite për të pasur një banesë në mes të kryeqytetit

Shqipëria është vendi më i shtrenjtë në botë edhe për punonjësit më të mirë paguar për të pasur një shtëpi në zonën e qendrës. Një profesionist të punësuar do t’i duhen mesatarisht mesatarisht 50 vite për të pasur një shtëpi në qendër të Tiranës .

Nga të dhënat e INSTAT, të paguarit më mirë në Shqipëri janë profesionistët e punësuar në sektorin financiar dhe të sigurimeve, me një pagë mesatare prej 104,000 lekë. Një shtëpi rreth 60 m2 në zonat e qendrës, me çmim mesatar 2,500 euro, kushton 150 mijë euro.

Ndërsa prej të ardhurave mujore, një profesionist i punësuar përllogarit rreth 3060 euro të ardhura të disponueshme vjetore. Të ardhurat e disponueshme vjetore janë të ardhurat që mbesin pasi zbriten të gjitha shpenzimet dhe taksat.

Ky raport i çmimit të një apartamenti në qendër përkundrejt të ardhurave të profesionistëve me pagën më të lartë në Shqipëri është 49 vjet, pra rreth gjysmë shekulli do t’ju duhet për të blerë një shtëpi në qendër, bazuar në vlerën në kohë të parasë.

Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, profesionistit do t’i duhen mesatarisht 23 vite e gjashtë muaj. Çmimi mesatar i apartamenteve brenda unazës së vogël është 1200 euro, ndërsa një apartament 60 m2 kushton 72 mijë euro.

Jashtë qendrës, ku një apartament ka një çmimi mesatar prej 700 euro, një profesionisti do t’i duhet mesatarisht 13.7 vite për të blerë një apartament me vlerë 42 mijë euro dhe sipërfaqe 60m2.

Në krahasim me rajonin Tirana është shumë më e shtrenjtë, teksa tek ne pagat për profesionistët janë më të ulëta dhe shtëpitë më të shtrenjta. Ndërkohë shtëpitë në qendër në Tiranë janë shtrenjtuar së fundmi, duke ia kaluar dhe Beogradit, që dikur ishte më i shtrenjti.

Në Serbi, një profesionisti me pagën më të lartë sipas statistikave zyrtare të Serbisë, do t’i duhen rreth 30 vite për të blerë një apartament në qendër të Beogradit. Në botë, Hong Kong renditet ndër qytetet më të shtrenjta në botë për të pasur një shtëpi, e matur sipas aftësisë blerëse.