Tatimet “vjelin” 133,3 milionë lekë, vetëm nga përditësimet e të dhënave

102

QKR Tiranë, mizëri biznesmenësh për të rinovuar kontratën. Afati deri në 10 mars

Mizëri biznesmenësh në zyrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit në Tiranë për rinovimin e kontratave të subjekteve të tyre tregtare. Fillimisht, biznesmenët kanë marrë vesh se rinovimin e licencës duhet ta bënin brenda 3 ditëve, (sipas njoftimit të parë të Tatimeve), se në të kundërt do të përballeshin me gjoba administrative. “Afati për përditësimin e të dhënave pranë QKR-së është data 01 mars 2015. Në bazë të ligjit “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” Nr.9920, datë 19.5.2008 i ndryshuar, kur organet tatimore konstatojnë se tatimpaguesit nuk respektojnë kërkesat lidhur me përditësimin e të dhënave, i dënon ata me gjobë 10 000 lekë për biznesin e vogël dhe 15 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin”, thuhet në njoftimin e parë të Tatimeve. Por, administrata tatimore nuk i kishte bërë mirë llogaritë (në këtë limit kohor ishte përfshirë dhe fundjava, që është pushim për administratën publike), ndaj doli me një tjetër njoftim, ku thuhej se “për arsye të fluksit të madh të aplikimeve, afati përfundimtar për përditësimin e adresave kryesore dhe sekondare të bizneseve si dhe përditësimin e kodeve ekonomike pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) shtyhet deri në datën 10 mars 2015”. Porse as kjo shtyrje afati nuk i kënaqi biznesmenët, të cilët në përpjekje për të mbaruar punë brenda afatit kohor, përballen me një fluks të jashtëzakonshëm të interesuarish, duke humbur ditë të tëra pune, pasi me këtë fluks, është e pamundur të mbarosh punë brenda ditës. Sjellja arbitrare nga ana e Tatimeve, duke vënë limite kohore kaq të ngushta, ka acaruar me të drejtë biznesmenët, të cilët nuk e quajnë normal një vendim të tillë.

 Situata në QKR Tiranë

Ishte ora 13.00 e ditës së djeshme, kur roja mbylli qepenin e hyrjes së QKR-së, megjithëse jashtë kishte ende persona të cilët prisnin, madje me numrin e radhës në dorë. Kjo gjë shkaktoi irritim mes tyre, edhe për faktin se ende nuk kishte mbaruar orari zyrtar, i cili nga e hëna në të enjte ishte deri në orën 14.00, ndërsa të premten ishte deri në orën 13.00. Nuk vonoi shumë dhe roja e hapi sërish qepenin (mesa duket për shkak të ardhjes së mediave në QKR).

 Biznesmenët flasin për “Telegraf”

Ishte i ndjeshëm tensioni brenda ambientit të QKR-së. Pothuaj të gjithë ata që ishin aty, kishin ardhur që në mëngjes dhe shpresat i kishin të vagullta se do të mbaronin punë po atë ditë. Shumë prej tyre, ishin informuar nëpërmjet internetit për këtë njoftim të Tatimeve, ndërsa të tjerë fare rastësisht. Diçka tjetër i kishte sjellë në derën e QKR-së dhe aty kishin marrë vesh se duhet të bënin përditësimin e të dhënave të subjekteve të tyre, që kishte një afat kohor dhe nëse nuk zbatohej, ata do të penalizoheshin me gjobë. Pyetjes së “Telegraf” sesi u informuan për këtë procedurë të detyrueshme, një nga biznesmenët aty u shpreh se: “e mora vesh në internet, formova niptin dhe më doli njoftimi se duhet të paraqitesha në QKR. Kurse për afat nuk thuhej gjë”. Edhe pse me nga një biletë në dorë (ku shkruhej numri i radhës), ata ende nuk ishin të qartë se çfarë dokumentesh duhej të paraqisnin. Shumë prej tyre kishin marrë vetëm licencën, ndërsa të tjerë me niptin në mend kishin ardhur për të përfunduar këtë procedurë të detyrueshme. “S’kam asnjë dokument me vete, do jap niptin dhe do rikonfirmoj të dhënat e mia. Thjesht rikonfirmim kërkohet”, thotë një prej të pranishmëve në hollin e QKR-së. Të gjithë të pranishmit të cilët kishin një numër në dorë, përpara se të hynin, sipas radhës së përcaktuar, duhej të paguanin një faturë paraprake në vlerën prej 120 lekësh të reja. “Po, pagova 120 lekë, taksë e cila paguhet për çdo veprim që bëhet në QKR”, thotë një tjetër biznesmen, i pyetur nga “Telegraf” për faturën që mbante në dorë. Por, edhe pse u shty afati nga Tatimet, biznesmenët janë skeptikë se do të mbarojnë punë të gjitha subjektet në afatin e caktuar. “Si mund të aplikojnë në kohë gjithë këto biznese? Tani, në orën 13.30 shërbimi ka arritur deri te numri 208, ndërkohë unë kam numrin 273 (unë jam i 236-i thotë një tjetër), edhe pse kam që në orën 9 të mëngjesit. Kur do të përfundojmë ne dhe kur do të përfundojë gjithë ky fluks i madh që ka për çdo ditë”, shprehet një tjetër biznesmen, i cili shtoi se vetëm për dje numri kishte vajtur 500. Një tjetër shqetësim për biznesmenët është dhe fakti i kthimit të nesërmen, nëse nuk mbaronin punë brenda ditës. Kjo, për ta, përkthehej në kosto. “A mi kompenson mua shteti këto ditë të humbura pune, duke pritur radhën këtu?”, shtrojnë pyetjen ata.

133,3 milionë lekë për Tatimet vetëm nga rinovimi i kontratave

 Qeveria ka gjetur një mënyrë për të mbushur arkën e saj dhe për të përmbushur planin (apo dhe për ta tejkaluar atë siç njoftohet rëndom) sipas parashikimeve. Kështu, vetëm nga rinovimi i kontratave të bizneseve QKR do të fusë në arkën e saj 133,3 milionë lekë (saktësisht 133,299,600). Referuar burimeve zyrtare, 111 083 është numri i ndërmarrjeve të regjistruara, sipas INSTAT (deri në vitin 2013). Nëse 111 083 (numri i ndërmarrjeve) do ta shumëzonim me 1 200 lekë të vjetra (fatura e QKR-së) do të na jepte shifrën e mësipërme prej 133,299,600 lekësh.

Por, nëse bizneset nuk do të arrijnë të kapin limitet kohore, atëherë tatimet do të dilnin më të fituara duke vjelë gjobat nga bizneset për shkak të moszbatimit të afatit kohor, prej 10 000-15 000 lekësh.