Shqipëri-Turqi, marrëveshje bashkëpunimi mes bankave

Bankat Qendrore të Shqipërisë dhe Turqisë nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një vizitë zyrtare guvernatorin e Bankës Qendrore të Turqisë, Murat Çetinkaya. Gjatë kësaj vizite, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të një memorandumi, që ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit midis dy bankave qendrore. Gjatë fjalës së tij, guvernatori Sejko u shpreh se dy vendet kanë shumë elemente të përbashkëta për të ndërtuar e konsoliduar urat e bashkëpunimit dhe ky memorandum është shprehje e vullnetit dhe e dëshirës së përbashkët për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin reciprok që të dy institucionet kanë pasur në vite. Më tej, guvernatori Sejko theksoi se bashkëpunimi ekonomik dhe financiar me Turqinë është i një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, duke qenë se vendi fqinj përfaqëson një partner kryesor për ekonominë e vendit tonë. Në vijim, shefi i Bankës Qendrore të Shqipërisë nënvizoi se për një bashkëpunim sa më frytdhënës, është i domosdoshëm intensifikimi i shkëmbimit të informacionit, opinioneve dhe ekspertizës në fusha të ndryshme të bankingut qendror, si: mbikëqyrja, stabiliteti financiar, puna kërkimore, edukimi financiar etj. “Banka e Shqipërisë është një mbështetëse aktive e integrimit financiar dhe ekonomik, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat më të rëndësishme për të çliruar potencialin e ekonomisë”, u shpreh Sejko. Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore Turke, Murat Çetinkaya, theksoi se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende me marrëdhënie të ngushta të mbështetura në miqësinë dhe besimin reciprok; veçanërisht kohët e fundit vihet re që marrëdhëniet dypalëshe janë rritur në një nivel më të lartë dhe është shtuar solidariteti mes tyre në arenën ndërkombëtare.