Selime Bregu/ Auditimi suprem dhe përmirësimi i qeverisjes

883
Besimi i qytetarëve ndaj qeverisë varet nga tre faktorë: integriteti qeverisës, kompetenca dhe transparenca. Një auditim cilësor që manifeston të tre këta tregues, ka potencialin të rrisë besimin e qytetarëve tek qeverisja. Promovimi i ndershmërisë dhe qeverisja kompetente jane thelbësore në përmirësimin e punës së një Qeverie. Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucionit më të lartë publik që kryen auditimin e jashtëm në vendin tonë, kanë detyrë parësore të promovojnë integritetin dhe kompetencën profesionale të strukturave qendrore të qeverisjes, por ky proces është gjithëpërfshirës. Përbën detyrë dhe angazhim të të gjithë aktorëve dhe faktorëve, përfshi zyrtarët e zgjedhur, administratën publike, shoqërinë civile, median, etj. Efektiviteti i auditimit varet nga faktorë që lidhen me këtë proces drejtëpërsëdrejti si dhe nga perceptimi mbi rolin e tij nga vetë audituesit dhe të audituarit. Rezultati që del pas një procesi transparent auditimi është vlerë e shtuar në veprimtarinë e entiteteve qeveritare. Shpesh kjo vlerë e shtuar nuk është shumë domethënëse nga pikëpamja ekonomike direkte, por vlera që sjell në përmirësimin e shërbimeve ndaj publikut është dukshëm pozitive, duke realizuar ndryshimin pozitiv të perceptimit të publikut dhe qytetarëve, por edhe të vendim-marrësve qeveritarë, kundrejt procesit të auditimit, duke e konsideruar tashmë këtë proces si domosdoshmëri dhe nevojë. Kuptimi si vlerë e shtuar i ndihmon njëstë qendrore të qeverisjes për të realizuar një analizë gjithëpërfshirëse e të thellë të çështjeve të audituara, duke i parë si një e tërë. Kjo mënyrë i aftëson ato në përcaktimin e saktë dhe profesional të problemeve, dhe mbi këtë bazë, rezultatet e auditimit i ndihmojnë bordet/dhe organet vendimmarrëse të enteve qendrore qeveritare të marrin masat e duhura. Një qeverisje e mirë duhet të mbështetet fuqishëm në përgjegjshmërinë menaxheriale të drejtuesve të saj në të gjitha nivelet. Këta të fundit në veprimtarinë e tyre duhet të respektojnë parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar, të ligjshmërisë dhe të transparencës në menaxhimin e fondeve publike. Ata duhet te mësohen te japin llogari për veprimet e tyre dhe rezultatet ekonomike që burojnë prej aktivitetit publik te tyre, përpara organit që i ka emëruar ose u ka deleguar përgjegjësinë. Kjo bëhet shumë e dukshme dhe thelbësore në auditimin e veprimtarisë së ministrive publike. Përgjegjshmëria menaxheriale është themeli mbi të cilin ngrihet dhe funksionon efektivisht sistemi i kontrollit të brendshëm në njësitë publike, qofshin qendrore, lokale apo të niveleve të tjera. Është e domosdoshme që çdo nëpunës i nivelit menaxherial dhe punonjës në stafet drejtuese apo administratë të ndjejë përgjegjësinë ligjore të moskryerjes efektive të detyrave në shkallë hierarkike deri tek titullari, duke shmangur njëherë e mirë militantizmin politik e duke luftuar mefshtësinë e paaftësinë profesionale që shfaqen në administratën aktuale dhe në rekrutimet e reja. KLSH me auditimet e tij, të bazuara në eksperiencat më të mira të fituara prej audituesve dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze standardet profesionale të fushës ISSAI, ka arritur gjatë viteve të fundit 2012-2015 që të nxjerrë përgjegjësinë publike dhe menaxheriale të titullarëve dhe personelit tjetër drejtues të enteve qendrore publike. E ka bërë këtë me kuraje dhe profesionalizëm, duke u bazuar vetëm në detyrat e tij kushtetuese dhe në standardet e INTOSAI-t. Një qeverisje e mirë përcaktohet nga lider-shipi, masat dhe toni i vendosur dhe i praktikuar nga organi qeverisës/ekzekutiv, të cilat kanë një ndikim të thellë mbi mënyrën se si punonjësit zbatojnë përgjegjësitë e tyre në një njësi publike të caktuar, duke influencuar në përmbushjen e misionit të njësisë. E njëjta gje mund të thuhet edhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në vitet 2012-2015, nën drejtimin e z. Bujar Leskaj, institucioni ka fituar në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të fushës, ISSAI, të cilat përpara vitit 2012 njiheshin apo jo nga pesë ose gjashtë auditues të KLSH. Sot njohuritë si teorike ashtu dhe ato praktike të standardeve ISSAI janë pronë e çdo audituesi, të vjetër dhe të ri, nëpërmjet trajnimeve të shumta të kryera brenda dhe jashtë vendit gjatë gjithë vitit, publikimeve dhe manualeve të auditimit financiar, të performancës, etj, që institucioni ka kryer dhe botuar. E gjitha kjo është bërë nën nxitjen dhe orientimin e drejtpërdrejtë të Kryetarit të KLSH, gjë që ka sjellë në rritjen e përgjegjësisë në punën audituese dhe në rritjen e transparencës, zbatimit të kodit të etikës dhe parimeve të integritetit në Institucion. Mirëqeverisja dhe lider-shipi marrin një rëndësi akoma dhe më të madhe në auditimin e enteve qendrore qeverisëse, ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore. Objektivat e Qeverisë do të arrihen vetëm nëse ajo me formatimin e duhur të administratës publike do të arrije të sigurojë integritetin personal dhe etikën profesionale të nivelit menaxhues dhe punonjësve të tjerë publikë, politikat menaxheriale dobiprurëse, struktura organizative efikase, ndarje të qartë detyrash, hierarkinë dhe rregulla të qarta, të drejta, përgjegjësitë dhe funksionimin realisht të linjave të raportimit, si dhe politikat dhe praktikat e mira të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe aftësitë profesionale të punonjësve. Audituesit e KLSH janë gjithnjë në detyrë dhe pranë enteve qeveritare, për të ndihmuar në përmirësimin e qeverisjes publike, duke e bërë këtë si me denoncimin dhe kallëzimin penal të abuzimeve me detyrën publike, ashtu dhe nëpërmjet këshillimit profesional(nëpërmjet auditimit të performancës kryesisht, por edhe në llojet e tjera të auditimit) dhe propozimit të masave korrigjuese menaxheriale, organizative dhe disiplinore. 
Audituese, KLSH


Sigal