Malaj: Fatkeqësitë natyrore, më katastrofike dhe më të kushtueshme

883
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, analizoi për mediat situatën e krijuar në vend për shkak të përmbytjeve dhe koston financiare të dëmeve të shkaktuara. “Faktori kryesor në këto raste, po të shohim edhe vendet evropiane, është fatkeqësia natyrore, që edhe sipas studimeve janë bërë më të shpeshta. Përpara ndodhnin një herë në 15 vjet, tani ndodhin një herë në 2-3 vjet dhe janë bërë më katastrofike. Kompanitë e sigurimeve në botë që studiojnë kostot e fatkeqësive natyrore japin të dhëna të frikshme se sa shpejtë po vijnë fatkeqësitë natyrore dhe sa të kushtueshme po bëhen ato”, u shpreh Malaj në emisionin “Ekopolitikë”. Sipas tij, buxhetimi afatmesëm dhe vjetor bëhet sipas prioriteteve të shkallës së riskut ku mund të ndodhin ngjarjet, aq sa mund të përballohet, disa nga buxheti, disa nga donatorët. “Sapo të qetësohet situata, qeveria shqiptare duhet të bëjë vlerësimin menjëherë me ekspertë dhe nëse shkalla e riskut është shumë e lartë do të aplikohet për të marrë fonde edhe nga Bashkimi Evropian. Kur ndodh një fatkeqësi nuk ka më hesap për paratë, se sa për të shpëtuar jetët e njerëzve”, vlerësoi Malaj. Për ish-ministrin e Financave, edhe Gjermania që ka rregullat më strikte të buxhetimit dhe ka vendosur deri në Kushtetutë faktin se qeveria mund të përdorë deri në 2 % të GDP-së, nëse vendi shkon në luftë apo është në fatkeqësi natyrore, ia ka lënë këtë hapësirë qeverisë. “Në Shqipëri, në raste emergjence qeveria bën ndryshime në buxhet me Akt Normativ, por problemi është që sa më të vogla të jenë humbjet”, u shpreh Arben Malaj.
Sigal