Kompanitë offshore të shtetarëve, lavatriçe të pastrimit të parave

782
Sigal

Kompanitë offshore mund të përdoren për pastrimin e parave

Sipas raportit të Moneyval, prezenca e kompanive pa pronësi të qartë, paraqet risqe për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

Prezenca e kompanive offshore në Shqipëri shihet me shqetësim nga institucionet ndërkombëtare. Raporti i fundit i Moneyval, mekanizimi i Komisionit Evropian, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit vë një theks të veçantë për risqet që paraqet prezenca e kompanive që nuk kanë pronësi të qartë, të ashtuquajtura “beneficiary onwnership”, pra ku përfituesit realë nga këto sipërmarrje nuk dihen. Raporti thekson se, ato mund të keqpërdoren për pastrim parash dhe bën thirrje që të ketë kushte më të forta dhe më shumë informacion për to. “Janë identifikuar mangësi teknike në lidhje me saktësinë dhe përshtatshmërinë e të dhënave në lidhje me kompanitë offshore si dhe kontrollin e informacionit të personave juridikë si dhe mungesa e masave për të garantuar që bartësit e aksioneve nuk keqpërdoren për pastrim parash, dhe financim të terrorizimit. Rekomandimet e reja të Task Forcës për Veprim Financiar vendosin kushte më të hollësishme në veçanti në lidhje me grumbullimin dhe disponueshmërinë e informacionit për kompanitë offshore”. “Nuk ekzistojnë mekanizma që identifikojnë dhe përshkruajnë proceset për sigurimin dhe regjistrimin e informacionit për kompanitë offshore përveçse si pjesë e proceseve verifikimit të të entiteteve raportuese. Shqipëria ka zhvilluar analiza risku që shfaqin organizatat jofitimprurëse për financimin e terrorizimit në nivel kombëtar.

Në mënyrë të veçantë Shqipëria ka kryer një Vlerësim Kombëtar Risku, ku u analizua risku i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit në disa sektorë financiarë dhe jo financiarë. Gjithsesi nuk është bërë asnjë vlerësim gjithëpërfshirës i risqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit që lidhen me të gjitha llojet e personave juridikë të krijuar në vend” thuhet në raport. Nga ana tjetër nënvizohet se, sot nuk ka kërkesa për personat juridikë dhe as për regjistruesit apo autoritete të tjera kompetente për të marrë mbajtur apo të vlerësojnë masa të arsyeshme për sigurimin në vijim të informacionit për pronarët përfitues. “Vetëm në rast se drejtorët apo anëtarët partnerët, aksionarët, themeluesit janë në të vërtetë pronarët përfitues informacioni në regjistër do të jetë i duhuri. Shqipëria mund të jetë duke zbatuar pjesërisht kërkesat për identifikimin e pronarëve përfitues përmes kërkesave që vijnë nga masat kundër pastrimit të parave apo lufta kundër terrorizmit për entitetet raportuese për të kryer verifikimin e pjesës që përfshin identifikimin e pronarëve përfitues të personave juridikë. Shqipëria është kryesisht në përputhje me kërkesat për identifikimin e llojeve të personave juridikë dhe regjistrimin e informacionit bazë. Megjithatë, ka dobësi në lidhje me vlerësimin e rrezikut lidhur me personat juridik; mungesa e një mekanizmi të qartë për të siguruar se informacioni i ruajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë është i saktë dhe të dhënat e mbajtura nga gjykata janë të përditësuar në mënyre të vazhdueshme; mungesa e sanksioneve për shoqatat, fondacionet dhe qendrat për të rifreskuar informacionin e regjistruar; mekanizëm për të siguruar disponueshmërinë, saktësinë dhe monedhën e informacionit të përfituesit të titullit, dobësitë në lidhje me rregullimin e aksioneve të bartësit dhe drejtorët e emëruar” vlerëson raporti. Viteve të fundit kompanitë offshore kanë rritur prezencën e tyre ne Shqipëri duke përfituar kontrata të rëndësishme koncesionare si në shfrytëzimin e burimeve të natyrës ashtu edhe në shërbime dhe kontrata pune. Rasti më i fundit dhe më flagrant ishte i kompanisë offshore DH Albania, e cila fitoi dy tenderë me vlerë totale 30 milionë euro për ndërtimin e një pjese të “Unazës së Re” dhe një linje të brendshme të interkonjeksionit të energjisë, ku mediat zbuluan se kompania kishte dokumente të falsifikuara, çka çoi në anulimin e tenderit.