Elbasan, ndjekje penale për 15 punonjës të Tatim-Taksave

633
Sigal

Prokuroria ngre akuzat: Shpërdorim detyre, abuzime dhe korrupsion

Prokuroria e Elbasanit ka nisur ndjekjen penale për 15 punonjës të Degës së Tatim-Taksave, duke ngritur akuzat ndaj tyre për “shpërdorim detyre, abuzime dhe korrupsion”. Burimet nga dega e Tatim-Taksave dhe Prokuroria e Elbasanit thanë për “Telegraf” se: “Shkeljet ligjore, abuzimet dhe shpërdorimet, janë disa prej akuzave të ngritura ndaj 15 punonjësve, të cilët kanë patur deri para pak ditësh detyrën e inspektorit, apo edhe detyra të tjera në sektorët e degës lokale, ata gjithashtu akuzohen edhe për favorizime dhe afera korruptive, me biznese të ndryshme, fakte, të cilat pasi janë zbuluar nga DPTT, po hetohen nga organi akuzës”. Drejtoria e Tatimeve në Elbasan, vazhdimisht ka qenë objekt i akuzave, të cilat janë bërë publike nga biznese dhe media, dhe duket se vazhdim i tyre, ka qenë edhe zbulimi shkeljeve të punonjësve të saj. Hetuesit kanë bllokuar dhe arkivuar qindra dosje që lidhen me aktivitetin e bizneseve dhe faktet që akuzojnë punonjësit e degës së Tatimeve. Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar nga DPTT bashkëpunim institucional, për të hetuar aktivitetin e degës Tatimeve në vite, duke synuar zbulimin edhe dokumentimin faktik të dhjetëra akuzave të mbërritura në organin e akuzës prej disa muajsh ndaj zyrtarëve lokalë. Duhet përmendur faktin se, edhe në këtë rast, ashtu si edhe 2 muaj më parë, drejtuesit e degës së Tatimeve në Elbasan, sërish mbeten hermetikë ndaj medias për t’i dhënë informacionin e duhur për problematika të tilla që përbëjnë gjithsesi interesim të opinionit publik dhe klasës së biznesit, pasi kjo e fundit mbetet më e dëmtuara nga veprimtari të tilla abuzive. Çdo institucion i shtetit, e ka të detyruar me ligj të jap dhe të informojë çdo përfaqësues të medias për gjithçka kërkon ai lidhur me natyrën e punës apo denoncimet që vijnë nga qytetarët për punonjësit dhe zyrtarët e tij. Në rastin konkret, informacioni është siguruar në rrugë të tërthorta nga burimet të sigurta zyrtare që “Telegraf” ka në organin e akuzës në Elbasan. Mbetet kjo e fundit të bëjë shumë shpejt publike fakte të reja lidhur me ecurinë e hetimit disamujor ndaj 15 punonjësve të degës së Tatimeve, për të përcaktuar edhe shkallën e dëmit financiar dhe abuzimin me detyrën.