BSH: Janar-mars 2014, bankat rrisin fitimet

709
Sigal

Bankat e nivelit të dytë rrisin fitimet e tyre në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Ja bankat më fitimprurëse

Sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit bankar për tremujorin e parë arriti 4.5 miliardë lekë, një nivel rekord ky, që nuk ishte shënuar asnjëherë në historinë e sistemit bankar, as në periudhën 2005-2008 kur bankat kanë shënuar rezultatet më të mira financiare. Sipas të dhënave më të detajuara, arsyeja kryesore e këtyre fitimeve të larta lidhet me tkurrjen e ndjeshme të shpenzimeve për provigjionime (fondet që bankat lënë mënjanë për kreditë me probleme). Këto të fundit prej vitesh po gërryenin ndjeshëm fitimet e bankave. Ndonëse kreditë me probleme u rritën me gati një pikë përqindjeje në tremujorin e parë, duke arritur në 24.08%, shpenzimet për provigjionime ishin negative, një rregullim ky në bilancet e bankave, që ka bërë që ata të shohin fitime të paarritura ndonjëherë. Ndërkohë, të ardhurat nga veprimtaria normale e bankës nuk kanë shënuar ndonjë ndryshim të dukshëm.

 Pse kriza nuk i preku bankat e nivelit të dytë në Shqipëri

 Norma e interesit për kredi nëpër bankat tregtare në vend vazhdon të jetë më e larta në rajon, duke bërë kështu tregun bankar si më fitimprurësin, ku gati 80 % e popullsisë i përket një shtrese të ulët. Interesi i kredisë në bankat e nivelit të dytë është shumë i lartë dhe për më tepër janë shtrënguar shumë kushtet për të marrë kredi. Nga ana tjetër norma e interesit në depozita ka një vlerë shumë të ulët dhe norma e interesit në kredi është dhjetëra herë më e lartë se sa norma e interesit në depozita, një veprim jonormal që aplikohet në një shtet jofunksional.Bankat që në Shqipëri, kryesisht janë me kapital të huaj dhe në vazhdimësi po e rrisin fitimin, duke rrjepur qytetarët shqiptarë. Gjithmonë është dyshuar nga specilistët se bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kanë mes tyre një marrëveshje të fshehtë (kartel) për ruajtjen e normës së kreditimit, por deri më tani nuk është konfirmuar një gjë e tillë nga Autoriteti i Konkurrencës.

Shtrëngimi i kushteve të kredisë

Shtrëngimi i kushteve të kredisë në bankat e nivelit të dytë, duket se është një skandal më vete, edhe pse guvernatori i Bankës së Shqipërisë ardian Fullani ka bërë thirrje me dhjetëra herë për rritjen e kreditimit, aq shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Kreditimi duhet të jetë roli primar i një banke, por drejtuesit e bankave të nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë, duket se e kanë ndryshuar këtë qëllim, duke punuar vetëm për xhepin e tyre personal.

 Ankesat e bizneseve dhe qytetarëve

Të marrësh një kredi bankare në vendin tonë, është kthyer gati e pamundur, ose në rastin më të mirë, e arrin këtë vetëm nëse paguan ryshfet. Denoncimi vjen nga biznesmenë dhe individë të ndryshëm, të cilët kanë provuar të aplikojnë për kredi bankare në shuma të konsiderueshme, por përgjigja ka qenë negative, nëse nuk plotësonin më parë kushtet e vëna personalisht nga drejtuesit e këtyre bankave. Ankesat e qytetarëve flasin për një situatë kaotike në tregun bankar në vend, ku veç problemeve të shumta me kushtet e kontratave, një tjetër shqetësim mjaft i mprehtë mbetet dhe tarifa ose komisioni për çfarëdolloj shërbimi, sado i rëndomtë qoftë ky i fundit. Aktualisht, bankat janë kthyer në një makth për qytetarët shqiptarë, të cilët për shkak të gjendjes ekonomike që po përballojnë u duhet të pranojnë kushtet e paravendosura, por dhe ato që u shtohen rrugës, në shkelje të kontratës mes dy palëve.

Open Data: Bankat nё Shqipёri nuk e ndjenё krizёn, rritёn fitimin

 Bankat nё Shqipёri nuk e kanё ndjerё krizёn ekonomike duke mbledhur mё shumё fitim. Sipas njё studimi tё kryer nga “Open Data Albania”, mёsohet se në fund të vitit 2013 fitimi bankar arriti në 6.5 miliardë lekë duke shënuar kështu një nga nivelet më të larta. Kundrejt vitit 2012 fitimi bankar është rritur me rreth 50%.Shkak për rritjen e fitimit bankar është bërë rritja e ndjeshme e të ardhurave nga procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bankat, ‘shpenzime për provigjone’. Një faktor favorizues për bankat është edhe niveli i normave të interesit të ulëta për depozitat dhe të larta për kreditë, çka ndikon në rritjen e fitimeve. Në fund të 2013-të, totali i depozitave ishte rreth 933 miliardë me një rënie prej 6% kundrejt vitit tё kaluar. Përsa i përket kreditimit, bankat kanë qenë shumë të rezervuara duke e ulur atë me 2.1% në vitin 2013 kundrejt vitit 2012. Sistemi bankar shfaqet i mirëkapitalizuar në kushtet kur kreditë zënë rreth 58% të depozitave dhe kanë një diferencë prej mbi 403 miliardë lekë. Peshën më të madhe të depozitave e zënë ato në lekë, me 52% të totalit. Banka me rritjen më të madhe të fitimeve është Banka Kombëtare Tregtare, me një zgjerim prej rreth 700 milionë lekë. Kjo bankë është ndër të paktat në sistem që po vijon të rritet shpejt edhe gjatë viteve të vështira të krizës ekonomike.