Arben Ahmetaj: Investitorët austriakë, pjesë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare

609
Sigal

Tiranë, zhvillohet Forumi Ekonomik Shqipëri-Austri

U zhvillua dje në Tiranë Forumi Ekonomik Shqipëri-Austri, ku morën pjesë rreth 70 kompani austriake që operojnë në vendin tonë. Në Forum morën pjesë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, Presidenti i Dhomës Ekonomike Federale të Austrisë, Dr. Cristoph Leitl, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, Zëvendësdrejtori i ADVANTAGE Austria, z. Karl Hartleb, Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, znj. Manjola Gjoni, përfaqësues të bizneseve austriake që operojnë në vendin tonë, si dhe përfaqësues të bizneseve nga të dy vendet. Në fjalën e tij, Ministri Ahmetaj shprehu kënaqësinë për zhvillimin e Forumit dhe pjesëmarrjen e të rreth 70 kompanive austriake, që tregon se Shqipëria është një treg dhe një vend interesant, se Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm të ekonomisë së saj. Ministri u shpreh se, investitorët austriakë janë pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare dhe theksoi se, tregu shqiptar, i cili është dhe një port rajonal, ka mundësi të afrojë pafundësi ekonomike në një treg jo thjesht me 3 milionë konsumatorë, por me 26 milionë konsumatorë. Sfida e qeverisë dhe ekonomisë shqiptare, tha Ministri Ahmetaj, ka të bëjë me rritjen ekonomike, nga e cila të përfitojnë qytetarët shqiptarë. “Në qoftë se Bashkimi Europian sot rritet me 1 për qind dhe ne rritemi me 6 për qind, vetëm në vitin 2038 të ardhurat për frymë të qytetarëve shqiptarëve do të barazohen me të ardhurat për frymë të qytetarëve të Bashkimit Europian. Kjo është sfidë e drejtpërdrejtë për një qeveri si e jonë, për të bërë të pamundurën që të hapë ekonominë shqiptare, të hapë tregun shqiptar, sepse pa investimet e huaja nuk ia dalim”,- u shpreh Ahmetaj. Ekonomia shqiptare, theksoi më tej Ministri, i ka konsumuar gjeneratorët tradicionalë, si ndërtimi apo remitancat, dhe sot përballet me domosdoshmërinë për një model të ri ekonomik, i cili do të bazohet patjetër në një ekonomi të hapur, në inovacion dhe kreativitet, për të kaluar përtej rritjes lineare me 1 apo 2 për qind, por për të arritur një rritje mbi 5 apo 6 për qind. Vetëm atëherë, sipas Ministrit Ahmetaj, qytetarët shqiptarë do të arrijnë të marrin benefitet e rritjes ekonomike. Në fjalën e tij, Presidenti i Dhomës Ekonomike Federale të Austrisë, Dr. Cristoph Leitl tha se, Austria është investitori i tretë më i madh në Shqipëri me një volum tregtar prej 500 milionë eurosh dhe kjo tregon se, Austria ka besim te Shqipëria dhe njerëzit e saj. Ai shprehu interesin e investitorëve austriakë për të investuar në fusha si, infrastruktura, energjia, shërbime dhe vuri theksin te fushat e asgjësimit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe turizmit, si fusha me potencial të madh. Investimi në arsimin profesional, sipas Dr. Leitl, përbën një tjetër fushë ku Austria mund të investojë, duke qenë se ajo është e njohur në këtë aspekt. Para nisjes së Forumit Ekonomik Shqipërisë-Austri, ministri Ahmetaj dhe  Dr. Leitl dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Në këtë konferencë, ndër të tjera, Ministri Ahmetaj bëri një panoramë të zhvillimeve të fundit ekonomike në vend dhe renditi lehtësirat që ofron Shqipëria për investitorët e huaja, si sistemi i taksave i drejtpërdrejta dhe i thjeshtë, niveli i taksës 15 për qind mbi korporatat, procedurat automatike të rimbursimit të TVSH-së, reduktimin e numrit të licencave që kërkohen dhe autorizimeve teknike, si dhe krijimin e një klime të re për tërheqjen e investimeve.