Agjencia e pronave nis shpërndarjen e parave për pronarët. Ja dokumentet për ata që nuk kanë përfituar

100

ATP nis shpërndarjen e shpërblimit financiar për pronarët që preken nga ndërtimet informale, ja afati dhe dokumentet që duhen dorëzuar

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka njoftuar nisjen e procedurave për shpërndarjen e kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale. ATP bëri të ditur se është në pritje të pranimit të kërkesave nga ana e pronarëve të pasurive të paluajtshme, si dhe të dhënat e dokumentet përkatëse që nevojiten për kompensimin e tyre. Këto dokumente pasi të jenë gati duhet të dorëzohen në zyrat përkatëse të Agjencisë së Pronave. Në njoftimin e ATP përcaktohet se pranimi i kërkesave do të fillojë që prej datës 20 maj të këtij viti, dhe afati i kohëzgjatjes është i pakufizuar.

Dokumentet e nevojshme

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka përcaktuar listën e dokumenteve të nevojshme për plotësimin e kërkesës për kompensim. Dokumentet përfshijnë: Kërkesën për kompensimin e pronës, dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare, fotokopjen e dokumentit të identifikimit dhe mandat pagesën.

Njoftimi i plotë i ATP

Njoftim publik Për fillimin e procedurave për kompensimin financiar Të pronarëve, të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, sipas VKM nr.254, datë 24.04.2019

Në zbatim të VKM Nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton:

Fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr.254, datë 24.04.2019. Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 20.05.2019 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë. ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumenteve përkatës. Subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;
  2. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;
  3. Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);
  4. Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;
  5. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;
  6. Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 (dymijë) lekë.

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.