Partizania 16 vjeçare Theodhora Prendi

1669
Sigal

Intervistë e pa publikuar e ish -partizanes 16- vjeçare, Theodhora Prendit, dhënë  Radio -Tiranës, me rastin e 28-29 Nëntorit, 2001

 NE JEPNIM JETËN PËR LIRINË

  Në redaksinë tonë,  erdhi Pavlina Terpini,  mbesa e ish -partizanes, Theodhora Prenti. Ajo solli një intervistë interesante të partizanes, që është ndarë nga jeta, por që la prapa një emër të bukur… znj. Pavlina me një sjellje aristokrate, foli paksa si për hyrje rreth kësaj interviste dhe rreth idesë së saj për pasqyrim. Që në rreshtat e parë të intervistës pashë një botë gruaje shqiptare të rrallë, ku lufta kishte lënë gjurmët në mënyrën e përcjelljes së ngjarjeve. Gjeta aty një rrëfim zemre që vetëm një grua që ka përjetuar situate të vështira mund t’i rrëfejë me aq ndjenjë dhe saktësi.

Kjo është një intervistë e papërfunduar dhe e pa publikuar… E intervistuara, ish- partizania Theodhora Prendi, do të ndahej nga jeta në moshën 76- vjeçare, vetëm pak ditë pas  dhënies  së kësaj interviste interesante, që e solli në redaksi, mbesa e partizanes, Pavlina Terpini, punonjëse në Presidencën e Republikës…

  -Theodhora, ju jeni nga Vlora?

-Theodhora Po.

Sa fëmijë ishit në shtëpinë tuaj kur vendose të dalësh në mal?

Theodhora – Familja ime ishte e përbërë prej nënës sime, Aleksandra Prendi (Avrami) dhe katër motrave: Evlloqia, Afroviti, unë dhe Thanasulla. Babai im, Petro Prendi, ose Petro këpucari, siç i thoshin atëherë, ishte vrarë në 12 korrik 1936 në Sheshin e Flamurit nga xhandarët e Zogut.

– Po pse?

Theodhora – Në qytetin tonë u bë një ndeshje futbolli ndërmjet skuadrës vlonjate dhe asaj të Tiranës, që drejtohej nga motra e ish-mbretit Zog, princesha Sanie. Arbitri i ndeshjes dha disa ndëshkime të padrejta kundër skuadrës vendase. Penalltia e dhënë në favor të skuadrës tiranase revoltoi lojtarët, të cilët i dhanë arbitrit atë që meritonte, por atij i erdhën në ndihmë xhandarët që hynë në fushë për t’i arrestuar. Fill pas tyre hynë sportdashësit për të mbrojtur djemtë. Përleshja zgjati rreth gjysmë ore dhe populli i çarmatosi xhandarët. Ndeshja u ndërpre dhe nuk u përfundua. Rinia dhe qytetarët e pranishëm e kthyen demonstratën sportive në një demonstratë antizogiste, duke kënduar këngën “Vlora, Vlora”. Kur masat hynë në Sheshin e Flamurit, Komandanti i Xhandarmërisë, për të vënë në vend nderin e xhandarëve të armatosur, dha urdhër që të hapet zjarr kundër masave manifestuese. Nga ky zjarr mbetën disa të plagosur, midis tyre rëndë dhe babai im, i cili vdiq në spital pas dy orëve. Rinia vlonjate i bëri nderime të mëdha, duke e mbajtur në krah arkivolin e tij deri në varreza.[1]

GazetarjaMendon se kjo ngjarje ka ndikuar më shumë që ti të ishe pjesëmarrëse në luftë.

Përveç nënës sime Aleksandrës, ne  ishim edhe  katër motra, Evlloqia, Afroviti, unë dhe Thanasulla. Dy nga  motrat, ishin  partizane  (midis tyre, Dhora Prendi) dhe dy të tjerat ndihmuan Luftën Antifashiste në ilegalitet, ndërsa babai im Petro Prendi u vra prej xhandarëve të Zogut në “Sheshin e Flamurit”

 Theodhora – Jo, vetëm kjo, se unë dola në luftë për çlirimin e atdheut.

Siç u vra babai, nëna ime u fut në punë në Spitalin e Vlorës, sepse kishte katër jetime për të ushqyer. Mua dhe motrën time më të vogël, na futëm në Strehën Vorfënore. Atje mbarova klasën e pestë. Prej andej  u kthyem sërish në shtëpinë tonë.

– Sa vjeç ke qenë kur dole  partizane?

Theodhora16 vjeç. Isha nxënëse në vitin e tretë të Shkollës Tregtare të Vlorës. Në atë kohë shkoja edhe në spital te nëna ku praktikohesha për infermiere. Në spital punonin edhe drejtuesit e Qarkorit të Vlorës dhe njësitit gueril të qytetit: Hysni Kapo, Ethem Gjinushi, Banush Goxho, të cilët e aktivizonin nënën time si anëtare të njësitit gueril, duke shpërndarë komunikata, trakte, material propagandistik, sanitar, veshmbathje dhe armë. Merrte pjesë në organizimin e nxjerrjes nga burgu të shokëve të arrestuar që vinin të sëmurë në spital, si ai i dëshmorit Fejzo Gjomemo[2].

       Veprimtarinë e saj e vazhdonte në shtëpi, që e ktheu në bazë kryesore dhe të vetme të lëvizjes në lagjen “Lirim”[3]. Në shtëpinë tonë strehoheshin ilegalë të njësitit gueril si: Kristo Papajani, Miti Shkurti, Vangjel Kule, Nuri Çakërri, Llazi Gjergji etj..

Duke qenë bazë e luftës, keni pasur probleme me regjimin e asaj kohe?

 Theodhora – Sigurisht. Ilegalët e kishin të lehtë të vinin në shtëpinë tonë, pasi shtëpia jonë ishte në të hyrë të Vlorës nga ana e Nartës. Fillimisht, për familjen time nuk dyshohesh, se ishim të gjitha femra dhe ekonomikisht nuk ishim mirë, sepse nëna, me rrogën që kishte, vetëm na ushqente.

Të rritura në këtë mjedis shoqëror e familjar, qëllimi dhe ideali im, i motrave të mia, si dhe i gjithë rinisë së atëhershme ishte lufta kundër fashizmit për të çliruar Shqipërinë. Shkolla ishte vatra që na përgatiti për këtë. Fillimisht, u organizuam në grupet edukative të rinisë.

       – Mund t’i thuash emrat e shoqeve?

Theodhora – Naile Gjinushi, Vitore  Xhelo, Stoli Lipivani etj..

Ne vendosëm që të dilnim në mal komplet si klasë, por unë dola më përpara nga shoqet e mia, sepse u rrethova.

Gazetarja – Si ndodhi?

Theodhora – Më 7 prill të vitit 1943 jam rrethuar në shtëpinë time, bashkë me  Banush Goxhon. Kemi shpëtuar për një pe, sepse njëri nga xhandarët që bëri kontrollin, njihte Banushin, si anëtar i njësitit gueril. Xhandari, për të mos u bërë ndonjë reprezalje, u tërhoq e tha: “Lëreni, se kjo është familje e një polici të Kuesturës dhe ky është i zoti shtëpisë.”

Me të ikur xhandarët, ne u larguam. Unë shkova në shtëpinë e Manush Myftiut, sepse motrën e Manushit e kisha sekretare të organizatës sime. Ajo më dha udhëzimet dhe u nisa për në çetë, natën, rrugës së Nartës, për të mbërritur në Topallti. Sapo mbërrita në fshatin Oshtimë, kemi bërë pritjen e parë për të liruar të burgosurit që do t’i çonin në burgun e Porto Romanos.

U liruan.

Theodhora – Jo të gjithë, disa prej tyre, pasi ne ishim pak vetë, ndaj edhe u tërhoqëm e ikëm.

Po nga motrat e tjera doli ndonjëra partizane?

Theodhora – Po, motra e vogël, Thanasulla, doli në mal në pranverën e vitit 1944 dhe u rreshtua në Brigadën XII, ndërsa dy të tjerat, u martuan, por punuan aktivisht në Vlorë, sepse ju thashë se shtëpia ime ishte një bazë e luftës. Pas Çlirimit veprimtaria e nënës dhe familjes sime u vlerësua nga historianët e bashkëkohësit, të cilët e kanë renditur emrin e saj në Muzeun Kombëtar, Pavijoni i Luftës Nacionalçlirimtare midis nëntë emrave të tjerë nënash. Përveç asaj në murin e shtëpisë sonë në Vlorë pushteti vendor ka vendosur pllakatin “Bazë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.

 Duhet të them që në fillim se ndihma ime në luftë ka qenë mjekimi i të plagosurve. Pas përpjekjes që bëmë në Oshtimë për të liruar të burgosurit, mua më caktuan infermiere në shpellat e Tërbaçit. Rrugës së gjatë për në Tërbaç u shoqërova nga Thanas Nano, i cili do të shkonte në Agjitprop[4]. Sapo kishte përfunduar lufta e Selenicës ku ishin vrarë Mumini e Mithat Dauti. Kur mbërrita në fshatin Brataj, një i plagosur, daja i shokut Hysni, kishte nevojë për ndihmë. E mjekova atë dhe vazhduam rrugën. Gjatë gjithë rrugës për në krahinën e Mesaplikut mjekoja, sepse kishte vazhdimisht përpjekje.

Ku ishit e inkuadruar?

Theodhora – Fillimisht, në çetën “Kanan Maze”, pastaj në çetën “Halim Xhelo” dhe disa ditë në “Çetën Plakë”. Kam kaluar fraksionin e xhepit; prej andej u ndamë me njëri-tjetrin, sepse dikush nga shokët edhe tradhtonte. Atëherë nuk isha anëtare partie.

Vijojmë rrëfimin tuaj pas vajtjes në Shpellën e Tërbaçit.

Theodhora – Pas Tërbaçit jam futur në çetën hakmarrëse “Kastriot Muço”. Kjo çetë u formua, duke mbledhur partizanë nga të gjitha repartet e Vlorës. Unë, motra e Hysni Kapos, Rexhoja, Liri Arapi edhe shokë të tjerë vlonjatë do të vendoseshim kuadër për në Brigadën e Dytë, sepse në atë kohë kjo brigadë ishte copëtuar. Komandanti ynë ishte Halim Xheloja. Ikëm dhe arritëm deri në Përmet. Aty në Qafë të Kiçokut është vrarë Kastriot Muçoja, shoku ynë i Shkollës Tregtare. Pas vrasjes së Kastriotit vendosëm t’ia vëmë emrin çeta hakmarrëse “Kastriot Muço”.

– Arritëm deri në Voskopojë ku do të formohej Brigada e Katërt. Para se të shkonim ne, ishte bërë luftë dhe ishte vrarë Jorgo Plaku. E mbaj mend shumë mirë atë çast, se në dëborën e bardhë mblodha trutë e tij të kuq nga gjaku dhe i vendosa sërish brenda kokës, pastaj hapëm gropën që e varrosëm. Atëherë vetë ndjenja njerëzore të bënte të veproje kështu. Arritëm deri te Barangat e Raqit, korçarët e dinë mirë se cilat janë këto baranga. Unë i kam kaluar me këmbë Shipskën e Gjergjevicën.

Kur filloi operacioni në gjerësi, neve na urdhëruan të ktheheshim prapë për në Vlorë nga ana e Potomit, Panaritit, Përmetit, Zagorisë e Kurveleshit. Në Vlorë Brigada e Pestë u formua në fshatin Gumenicë të Vlorës. Rrugës hanim vetëm koçimare.

–  Sikur është formuar në Tërbaç?!

Theodhora – Jo, Brigada e V  më parë u formua në muajin nëntor në fshatin Gumenicë, pastaj u inkuadrua më mirë në Bramyshje të Tërbaçit. Aty u ndamë, sepse filloi operacioni i Dimrit.

Albert Z. ZHOLI