Myzafer Spaho, si u rehabilitua pas takimit në shtëpinë e Enverit

390

DOKUMENT II/ Historia e mësuesit nga Devolli që u bë komisari i Brigadës së 3-të Sulmuese e më pas drejtoi punën e partisë në ushtri

Vangjel KASAPI

(Vijon nga numri i kaluar)

Dy vjet pas formimit të së parës Ndërmarrje Industriale Shtetërore të Shtypshkronjave (30.5.1946), për zhvillimin e mëtejshëm cilësor të saj, kërkohej në udhëheqje të vendosej një kuadër drejtues nga hierarkia e lartë, një figurë me besueshmëri të plotë, intelektual, me gjuhë të huaja dhe me të tjera cilësi të përshtatshme për frontin e botimeve: Një njeri i aftë për të përballuar kushtet dhe gjendjen shumë të vështirë të punës në atë sektor… Kështu u justifikua dhe u motivua dërgimi në atë sektor delikat e në zhvillim i Myzafer Spahos.

Motivin real e të saktë të transferimit nga ushtria në terren, sado u munduam ta gjenim nëpër dokumentet zyrtare, edhe në dosjen e oficerit nuk mundëm kurrsesi. Ishte e hënë e javës së parë të dhjetorit 1948. Ish-nëndrejtori politik i ushtrisë e ish-nënkolonel Myzafer Spaho nuk drejtohej më për në godinën prestigjioze të Ministrisë së Mbrojtjes, por për në zyrën e drejtorit të NISHSHSH. Nga një udhëheqës ushtarak me uniform dhe gradë, në një drejtues me rroba civile, si dikur arsimtar në Eçmenik. Çfarëdo ndjesie, mbrese dhe emocionoi quhej e natyrshme ato çaste, njerëzore, qytetare. Por Myzafer Spaho i përmbajti dhe nuk dha asnjë shenjë ligështimi

Drejtori i shtypshkronjave

Dy vjet pas formimit të NISHSHSH dhe 7 muaj nga emërimi, Sekretariati i KQ të PPSH, në një mbledhje të posaçme, mori në shqyrtim “Mbi punën në shtypshkronja”. Që nga Çlirimi, kjo ishte mbledhja e parë për problemin e shtypshkronjave, të botimeve, të përhapjes (shpërndarjes), të efektit sensibilizues dhe edukativ të tyre në masat punonjëse të Shqipërisë. Prej këndej buronte rëndësia e jashtëzakonshme e asaj analize. Për Spahon, ngarkimi dhe ftesa e tij për të raportuar, përbënte, ndoshta, ngjarjen më të shënuar, më prekëse, më emocionale dhe, posaçërisht, më përgjegjëse pas largimit nga Ushtria.

Së pari, ai u prit dhe u takua me radhë, me një përzemërsi të papritur, me anëtarët e Byrosë Politike e të Sekretariatit E. Hoxhën, H. Kapon, G. Nushin, B. Spahiun, S. Panon, T.Jakoven, Nj. Islamin etj., një pjesë të mirë të të cilëve i njihte fort mirë se kishin bashkëluftuar. Sipas proces-verbalit Nr. 40, dt. 20. VI. 1949, Sekretariatit i ishte paraqitur relacioni përkatës nga Komiteti i Partisë së Qytetit dhe Drejtoria e Ndërmarrjes, dhe mbi bazën e tij u bënë pyetje të shumta dhe u zhvillua një diskutim ndihmues nga ana e byroistëve, ku tonin e jepte Njëshi. Vëmendje të veçantë tërhoqi bashkëbisedimi pyetje (ndërhyrje)-përgjigje ndërmjet E. Hoxhës dhe Myzaferit. Dialogu u bë intim, pa droje, i çiltër, orientues për Myzaferin dhe informues e njohës për Enverin rreth gjendjes e perspektivës së shtypshkronjave në Shqipëri. Ja si e përshkruan vetë Spahua atë përjetim:

Dëshmia e Myzafer Spahos

“20 qershor 1949. Në ora 9 të mbrëmjes, së bashku me sh. Gogo Nushi, hyra në shtëpinë e sh. Enver. Aty ishte mbledhur Sekretariati i KQ të PPSH. Atë kohë shokët ishin në pushim. Shokun Enver e takuam në oborr. Ai u mor më tepër me mua. Më zuri përkrahu dhe ngadalë ngjitëm shkallinat e gurta për të hyrë në dhomën e mbledhjeve.

– Si je me shëndet, si ia kalon me punë, si i ke në familje…?, – ishin pyetjet që Ai më bëri njëra pas tjetrës. i emocionuar nga ky takim, unë përgjigjesha me fjalë të njëjta dhe memece: – Mirë…, faleminderit…

Mbledhja rifilloi me pikën që ishte në rendin e ditës “Mbi gjendjen në Shtypshkronja”. Prej 6 muajsh unë kisha shkuar si Drejtor i tyre. Në mbledhje ishte thirrur edhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit, Spiro Pano. Mbas një bisede të shkurtër se kush do të fliste-Ministri apo Drejtori- më ra radha mua. Sipas raportit që kishim parashtruar, unë bëra një përmbledhje të shkurtër të gjendjes e të nevojave. Dhashë përgjigje për pyetjet e bëra dhe u ula. Pas diskutimeve sh. Enver bëri konkluzionet dhe përcaktoi detyrat. Mandej, në mënyrë të papritur, Ai më pyeti me ngrohtësi:

– Po me marrëdhëniet në punë si dukesh? – Ke shqetësime? – Si të trajtojnë?

Pa u menduar thellë, pa hyrë në hollësira, u përgjigja: – Përgjithësisht mirë. Shokët më ndihmojnë dhe unë sikur i kam hyrë pak a shumë mirë njohjes së Sektorit. Shoku Enver nuk u kënaq me një përgjigje të tillë. Prandaj iu drejtua edhe sh. Spiro Pano. Si e dëgjoi edhe atë, Ai foli për kujdesin në ruajtjen e kuadrove nga goditjet e armikut, të mos lejohet askush që të marrë kuadrot nëpër këmbë. Ky kujdes i veçantë i sh. Enver, më forcoi edhe më shumë besimin e vendosmërinë për ta kryer sa më mirë detyrën e re që më ishte ngarkuar”.

Ankesat

Ndërkohë që Ndërmarrja e Shtypshkronjave “vuante” nga uria për t’u furnizuar me gjithfarë materialesh e pajisjesh, dikasteret, sidomos institucionet arsimore-shkencore-kulturore, donin dhe luteshin për shtesa në planin e botimeve ose për plotësime përpara kohe (me urgjencë) të disa botimeve. Ndaj Myzaferit iu desh të trokiste “derë-më-derë” për të siguruar ato që i mungonin për plotësimin e nevojave, sidomos pajisje, teknologji dhe lëndë të parë, pa të cilat “furrat”, siç quheshin shtypshkronjat, nuk mund të prodhonin natën dhe të shpërndaheshin ditën.

Shtypi pritej “me gojë hapët e veshët ngritur” dhe po të vonohej, bëhej “nami”, duke marrë ngjyrim politik. Prandaj Drejtori i kujdesshëm dhe sakrifikues nuk kursehej edhe natën. Sidoqoftë edhe ankesa kishte, por ato vinin nga mungesa e materialeve e të transportit. Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Adil Çarçani, përpiqej të ishte realist, kur ankuesit tendenciozë i sqaronte se “Mungesa e letrës sillte mosrealizime dhe jo mospërfillja ose konsideratat e pakta”. Gjithsesi, karshi kritikave Myzaferi ruante “nordin” dhe me gjakftohtësi bashkë me mjeshtërit e punëtorët, bënin maksimumin për përmirësime. Dhe, kështu, muaj pas muaji, NISHSHSH-ja mori udhën e funksionimit normal në prodhim dhe shpërndarje.

Kontrolli i Shtetit

Fondi “Komisioni i Kontrollit të Shtetit” i Arkivit Qendror Shtetëror, rezulton i mbushur me dokumente të shumta kontrolluese në adresë të NISHSHSH që vërtetojnë se ajo ndërmarrje kishte kaluar nëpër një zinxhir kontrollesh të dendur e të hollësishëm. Mirëpo në akt-kontrollet vihet re se, ndërsa shkruante pak për anët pozitive, për përparimet dhe stadin ku kishte arritur ajo Ndërmarrje e re në fare pak kohë, në raport me atë që kish qenë në krijimin e saj, zotëronin kryesisht të metat, gabimet, shkeljet, kritikat, individët përgjegjës etj. anë negative.

Dhe, për më keq, duke parë akt-kontrollet e ndërmarrjeve të tjera, kryesisht të kryeqytetit, për të njëjtat periudha, vëren që NISHSHSH e Spahos jo vetëm është kontrolluar më shumë herë, por më me rreptësi. Megjithatë drejtor Spaho, kundrejt problemeve të panjohura mirë, të paverifikuara, të pakonsultuara nga kontrollorët e Komisionit të Kontrollit të Shtetit, nuk nguroi të kontestonte me shkrim, deri në organet më të larta, duke përdorur argumente me shifra e fakte dhe duke mëtuar ndaj kontrollorëve për konkluzione të gabuara, për ngutje, cektësi e mos thellim në gjendjen, nivelin, vështirësitë, hallet dhe mentalitetin e punonjësve tipografë dhe nëpunës të asaj ndërmarrje të re.

Ai vinte në dukje se toleranca njerëzore tek ata inspektorë linte mjaft për të dëshiruar. Pra, edhe në këtë aspekt, ai paraqitet shumë i pjekur, njohës i hollë i NISHSHSH, formulues me etikë i mos pajtimeve dhe kurajoz i përmbajtur, po aq sa pranues i vetëdijshëm i të metave, gabimeve, shkeljeve dhe detyrave të radhës, që i viheshin ndërmarrjes dhe vetë atij. Njëherësh ai e kuptonte fare mirë edhe prirjen e keqdashjen mbi vete atë të asaj morie kontrollesh, aktet e të cilave gjenden në Fondin 491, dosja 11 dhe 68.

Gjatë një takimi, drejtori i Poligrafisë, Jovan Semani, eprori i Myzafer Spahos, ndërmjet problemeve dhe kërkesave për NISHSHSH i raportoi zv. kryeministrit Manush Myftiu edhe “mbi largimin e drejtorit të Shtypshkronjave. “Ai kërkon të largohet nga puna duke nxjerrë si pretekst moskonsideracion nga nëpunësit”, – ishin fjalët e drejtor Jovanit, që shprehu njëherësh edhe keqardhjen e shqetësimin se si një drejtor elitar si Spahua kishte arritur në atë mendim. Manush Myftiu, sikurse udhëheqës të tjerë të Qeverisë, e njihte drejtpërdrejt militantin e vjetër të Partisë, udhëheqësin politik e ushtarak të Luftës e të UNÇ, bashkëpunëtorin e ngushtë si shefa në Drejtorinë Politike të UKSH, kuadrin parimor, me moral të pastër dhe kapacitete të çmuara, prandaj atë çast u mjaftua me këto fjalë: “Kjo çështje do të zgjidhet nga ana e jonë”.

Kërkesa për t’u riveshur ushtarak

Enveri e Mehmet Shehu i kthejnë krahët Myzafer Spahos

Po ç’ishte dhe ç’përmbante ajo kërkesë e Myzaferit? Sepse “preteksti” në analizën logjike të veprimtarisë drejtuese të tij nuk mbahej gjëkundi. NISHSHSH, me në krye atë dhe në solidaritet me punëtorët e nëpunësit, tashmë numërohej ndër ndërmarrjet e dalluara në Tiranë. Vetë ai si drejtor kishte fituar zemrat e tipografëve dhe të udhëheqësve të rrethit, duke u çmuar me vlerësime maksimale… Po atëherë? Mund ta mbyllim vetëm duke abstraguar se arsyeja duhej të ishte dëshira e synimi për t’u kthyer në Ushtri.

Nisur për këtë abstragim edhe nga fakti që po atë kohë i kishte bërë një letër konfidenciale gjeneral Mehmet Shehut, ku i shkruante se “Dua të kthehem në Ushtri”. Mirëpo Shehu, gjithashtu njohës me Myzaferin në Luftë e në UNÇ, që bashkëpunuan kur udhëhiqte Shtatmadhorinë, dhe kishin udhëtuar së bashku në disa delegacione jashtë shtetit, ngaqë s’mund ta ndreqte lëvizjen e dy viteve të shkuara, miqësisht e shoqërisht i ktheu përgjigje: “I dashur Myzafer! Tashti i je përshtatur një Ushtrie tjetër. Të dyja ushtritë i shërbejnë Atdheut dhe popullit. Të uroj suksese dhe të dalësh i pari në beteja!”. Bashkëkohës, sipas bisedave me Myzaferin, tregojnë se kërkesa për t’u riveshur ushtarak pat vajtur edhe në vesh të Enver Hoxhës, por edhe ai, ashtu si udhëheqësit Mehmeti e Manushi, e quante të mbyllur për Myzaferin kapitullin e Ushtrisë.

Detyra e re

Spaho drejton transportin rrugor

Nga më të spikaturit në administratën e viteve ’60 rezulton Myzafer Ahmet Spaho. Me kontribut nisur nga fillimi në vitin 1955, kur caktohet shef i Degës së Transportit Automobilistik në Ministrinë e Komunikacionit. Ajo degë (drejtori), në dikasterin e Ministrisë së Komunikacionit, renditej, e para dhe më e rëndësishmja. Por, megjithë rëndësinë e veçantë, dimensionet e aftësive të tij të gjithanshme, e tejkalonin atë funksion. Gjithsesi u konsiderua si një rehabilitim për të, fillim ngjitje për të dalë sërish në kupolën e administratës shtetërore. Dega e Transportit Automobilistik, ku Myzaferi u caktua shef, kishte 5 vetë dhe quhej më kryesorja e Ministrisë së Komunikacionit.

Që nga krijimi i shoqërisë “Bashkimi i Transportit Automobilistik të Kamionëve”(10 gusht 1946), me një inventar të vogël prej rreth 300 makina të tipave e tonazheve të ndryshëm derisa qëndroi Myzaferi, inventari arriti në rreth 5000 copë. Dhe nëse gjeti 8 parqe (ndërmarrje shtetërore) automobilistike, numri i tyre sa ishte ai shef i Transportit Automobilistik të RPSH, arriti në 22, duke u shtrirë pothuaj në të gjithë rrethet e në disa rajone kyçe (tranzite). Myzafer Spahos iu desh të merrej me gjithçka ku duheshin “rrotat e makinave”.

Kështu që në gjithë sistemin e transportit, nga njësia më e vogël deri në dikaster, kryesisht në sektorin e Spahos, punohej ditë e natë, me nerva të ngritura. Dhe s’mund të ndodhte ndryshe. Porsa erdhi shef e në vazhdimësi, Myzaferi e kuptoi fare mirë dhe u angazhua totalisht që të ndiqte realizimet e shumë-lloje mallrave, të ndërhynte pandërprerë për normalizimin e gjendjes, të shkelte vetë në pyje, miniera, fabrika, ekonomi bujqësore, vepra ndërtimi etj. dhe t’u përgjigjej në çdo çast organeve të larta.

Në ministrinë e Arsimit

Pas plenumeve, ku u dënuan grupet antiparti

Misioni i drejtorit me “Mendje dhe dorë e fortë”, Myzafer Spahos, në transportin rrugor, kishte përfunduar me sukses të plotë. Spahon e mirënjohur në opinionin e lartë zyrtar të Tiranës, qenë gati ta merrnin të gjithë dikasteret, në radhë të parë Ministria e Arsimit dhe e Kulturës me ministër Thoma Delianën, ish-shok i Normales së Elbasanit, i cili për fat të keq “nuk e gëzoi”, mbasi ato kohë u shkarkua si Ministër dhe u dënua nga Partia me internim në Sinanaj-Tepelenë.

Ishte koha kur një pas një zhvilloheshin Plenumet e KQ të PPSH, që dënuan njëri pas tjetrit të ashtuquajturit grupe antiparti të fushave ushtarake, ekonomike dhe në ideologji (1974-1975). Në këto rrethana të rënduara në politikë Spaho u emërua në Drejtorinë e Planit e të Prodhimit të asaj Ministrie me detyrën e Inspektorit për institucionet e ndërmarrjet me karakter arsimor, kulturor e artistik prodhues, siç ishin: Ndërmarrja e Mjeteve Mësimore, Kulturore dhe Sportive; Ndërmarrja e Shtypshkronjave “Mihal Durri” (shkëputur nga Kombinati Poligrafik e lidhur drejtpërdrejt me Ministrinë); Drejtoria Poligrafike; Kinostudioja “Shqipëria e Re”, pjesa e prodhimit dhe shpërndarjes së filmave; Ndërmarrja ose Baza Grosiste e Tregtimit të Librit për Import në Durrës.

Luftëtari në pension

Viti 1979. Titullari i dikasterit të Arsimit e Kulturës së RPSH, me ngrohtësi, njëherësh edhe me ndjenjë keqardhje, i komunikon punonjësit 60-vjeçar Myzafer Spaho se “Ndonëse jeni përfshirë në klasin e kuadrove të lartë drejtues, përsëri edhe ndaj jush qëndrojnë rregullat e caktuara si për çdo shtetas e punonjës”. Njoftimi zë ulët, i qetë e pa koment i shefit për nxjerrjen e tij në pension, nuk la shteg për ndonjë mendim. Ndaj me vetëpërmbajtjen që e karakterizonte, prej nga lëshoi nëntekstin se e mirëkuptonte, Myzaferi heshti nën atë ngarkesë shpirtërore të çastit. Nxirrej në pension brenda limiteve ligjore. Që nga 1940-ta, kur nisi karrierën si arsimtar, gjer më 1979, i llogariteshin 38 vjet shërbim: 2 mësues + 2 luftë + 4 në Ushtri + 25 në ekonomi + 5 në arsim.

“Ikja”

Homazhi për komisarin I lodhur nga lufta e puna me ngarkesa të jashtëzakonshme, streset, mostrajtimet e merituara në vitet e mesme të karrierës, për të cilat kurrë s’u ankua e u qëndroi si trim, ai mbylli sytë më 13.03.1988, vetëm 69 vjeçar. Vdekja e rrëmbeu, siç e perifrazon populli “Aktiv, me plot mend, me shumë nder, në lëvizje e kudo i mirëpritur”, rrethuar me aureola dashurie, si Njeriu i Pavdekshëm! Ceremonia e lamtumirës u organizua më 14.03.1988, siç e meritonte një rilindës i ri i zjarrtë, një figurë e çmuar kombëtare, një lider i LANÇ e i Ushtrive, një kuadër drejtues i kulturës, ekonomisë e arsimit shqiptar.

Arkivoli, mbuluar me flamur “Kuq e Zi”, mbushur me lulet e Tiranës dhe nga fusha e Devollit, u vendos atje ku ai nderonte gjithmonë njerëzit. Sipas lajmërimit nga Radio-Televizioni Shqiptar në varrimin e tij shpejtuan nga Tirana, Devolli, Korça, Elbasani e nga rrethe të tjerë; nga KQ i PPSH, Kuvendi Popullor, Kryeministria, Ministria e Komunikacionit dhe Arsim-Kulturës, NISH Shtypshkronjave, Parku Automobilistik të Elbasanit, Organizatat Shoqërore, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar etj. Të shumta ishin ato ditë humbje, telegramet, letrat, kartolinat, telefonatat, vizitat në familjen Spaho, me shprehjen e ndjenjave të thella, të dashurisë e të respektit për hidhërimin, dhimbjen e ngushëllimet për Njeriun Myzafer.