“Mos kini frikë, ne jemi dhe me lindjen dhe me perëndimin, komunistët kudo, pronarë ndërmarrjesh e kryetarë partish”

954
Ramiz Alia
Jetëshkrimi i një ish-Presidenti
Jetëshkrimi i një ish-Presidenti / Strategjia e Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë Politike të vitit 1989, ecejaket e vështira nga izolimi në pluralizëm dhe rrëzimin e komunizmit shqiptar
Lindi më 1925 në Shkodër. I diplomuar në shkollën e Partisë në Moskë (1954), Ramiz Alia ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, e cila udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1944–1990. Gjatë kësaj periudhe ai ka kryer detyra të larta në drejtim të PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar. Detyrat më të rëndësishme kanë qenë: sekretar i Parë i KQ. BRPSH (1949-1955), Ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991). Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri, të zhvilluara më 31 mars 1991, Parlamenti i ri pluralist, i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991, me propozim të PPSH-së, e zgjodhi zotin Ramiz Alia President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992, ku fitoi koalicioni i opozitës, më 3 prill 1992 Ramiz Alia dha dorëheqje nga posti i Presidentit. 

Historia
Ecejaket e vështira nga izolimi në pluralizëm
Më 1948-ën, me prishjen e marrëdhënieve midis Titos (Jugosllavi) dhe Stalinit, Partia e Punës e Shqipërisë, u bë aleate me Bashkimin Sovjetik. Në fillim të viteve ’60-të, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet me Moskën dhe u lidh me Kinën Popullore. Në vitet ’70-të Shqipëria u shkëput edhe nga Kina. Në Kongresin e tetë të PPSH-së Shqipëria u shpall “kundër imperializmit amerikan, social-imperializmit sovjetik, revizionizmit kinez dhe jugosllav, eurokomunizmit dhe socialdemokracisë”, duke dënuar edhe politikën e mosangazhimit dhe pajtimit evropian e përcaktuar në akordet e Helsinkit. Në këtë mënyrë Shqipëria u izolua plotësisht nga e gjithë bota. Enver Hoxha vdiq në prill të vitit 1985. Në vitin 1989 zëvendësuesi i tij, Ramiz Alia filloi një ristrukturim të pjesshëm të ekonomisë dhe u mundua të ndërpresë izolimin e vendit. Qeveria anuloi pengesat për hyrjen e turistëve, rivendosi marrëdhëniet me SHBA dhe BRSS, lejoi ritet fetare, reduktoi nga 34 në 11 dënimet me vdekje (e ndaluar për gratë). Në fushën e të drejtave shoqërore u miratua e drejta e pronësisë mbi banesën, hapja ndaj investimeve të huaja dhe zgjedhja e drejtuesve të ndërmarrjeve me votë sekrete nga punëtorët. Në shkurt 1990, u përsërit lajmërimi për një amnisti për të burgosurit politikë dhe ordinerë. Në nëntor Alia shpalli ndryshimin e Kushtetutës së 1976-ës. 

Pluralizmi
Rrëzimi i komunizmit shqiptar
Në dhjetor 1990 u lejua aktiviteti i partive politike të pavarura dhe u shpallën zgjedhjet, mbas 46 vjetësh të hegjemonisë komuniste. Votimet u shtynë për më 31 mars 1991, për shkak të paqëndrueshmërisë politike të provokuar nga largimi në masë të mijëra shqiptarëve në drejtim të Italisë, Gjermanisë dhe Greqisë. Pothuajse dy milionë shqiptarë duhet të zgjidhnin midis një mijë kandidatëve për deputetë dhe 11 partive politike, nën vëzhgimin e qindra inspektorëve ndërkombëtarë dhe më shumë se 250 gazetarëve të huaj. Në këto votime, ku pati mjaft denoncime për mashtrime, komunistët siguruan 156 deputetë nga 250 gjithsej. Në maj 1991 më shumë se 300 mijë punëtorë filluan një grevë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë komuniste dhe një rritje rrogash prej 50%, e ndjekur nga një grevë urie e ish-të burgosurve politikë. Në një katastrofë të plotë ekonomike zgjedhjet politike të marsit 1992 shënuan një triumf të madh (65,6% ) të Partisë Demokratike ndaj Partisë Socialiste (22,6%).
ARKIVA/ Strategjia e Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë Politike të vitit 1989 
Komunistët kudo, pronarë ndërmarrjesh e kryetarë partish
Kur nga dita në ditë Byronë Politike po e kapte frika e përmbysjes së regjimit komunist, sekretari i Parë i KQ të PPSH-së, Ramiz Alia kërkon që t’i bëjë parapritë dhe të qetësojë anëtarët e saj. Në vitin 1989 ai bën një mbledhje të Byrosë Politike. Dokumenti në fjalë, i cili botohet më poshtë në gazetën “Telegraf”, është fjalimi që konsiderohet si sekret i Ramiz Alisë për strategjinë për të mbajtur gjallë sistemin komunist. Ky dokument vjen në formën e një dorëshkrimi, origjinali i të cilit ekziston edhe në Arkivin Qendror të Shtetit, por për shkak të ligjit nuk mund të publikohet, duke qenë se nuk është mbushur afati kohor. 
Ndërsa më 12 gusht 1990 Ramiz Alia ka thirrur disa nga intelektualet kryesore te Shqipërisë për një bisedë mbi gjendjen e vendit. Ky takim është bërë vetëm një muaj për hyrjes në ambasadat e huaja të mijëra shqiptareve. Gjithashtu ky takim përkonte dhe shume prej ndryshimeve që u bënë në atë kohë në vendet e Lindjes. Duke shfrytëzuar këtë situatë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe drejtues më i lartë i Partisë së Punës, Ramiz Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritero Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Megjithatë më poshtë po japim pjesët më kryesore që Ramiz Alia ka bërë në Byronë Politike, disa muaj përpara këtij takimi:
Fillimi i fjalimit
I ndodhur përballë kushteve të reja, Ramiz Alia do të deklaronte: “Sistemi ynë tanimë është drejt kapitullimit përballë sistemit kapitalist. Kështu na lind si detyrë që të ndryshojmë strategjinë tonë. Ndryshimet do të jenë në dy drejtime kryesore: në krijimin e pluralizmit politik dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Me këto të fundit edhe mund të abuzohet, pasi të drejtat janë gjëra që rregullohen brenda për brenda me ligj, por pluralizmi duhet të vendoset patjetër”. 
Kontrolli mbi politikën
Ndërkohë Ramiz Alia e kishte një plan, plan i cili ka vazhduar të ishte në aplikim edhe shumë vite pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Kështu ai shtron si detyrë: “Le të krijojnë kundërshtarët tanë parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim dhe ne vetë, por kryesore është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë, edhe programet e themelimit duhet t’i formulojmë ne. Për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, jo vetëm që është e lirë të shajë pushtetin, por këtë ta bëjë fort, sepse kështu do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste”. 
Të persekutuarit politikë
Për armiqtë e pushtetit, ata që vuanin dënimin nëpër burgjet e Burrelit, Spaçit apo gjetkë, Ramiz Alia do të shtronte këtë plan: “Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, sigurisht që do të na shajnë. Por edhe pse këta e urrejnë komunizmin, do ta shihni që do të na vijnë afër dhe do të na përkrahin. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të ndryshme, por jo të rëndësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të na përvetësojnë pushtetin. Dhe e dini pse?! Sepse sapo të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe do t’u shërbenin atyre, në vend që ta të na shërbejnë neve. Në zbatim të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit polikë t’i kompletojmë me komoditetet banimi”.
Të shpronësuarit
Si ka mbaruar me të të persekutuarit, Ramiz Alia ka kërkuar të zgjidhet edhe një hallkë tjetër e fortë, këtë herë me të shpronësuarit. Ndaj ai në fjalimin e tij përpara byroistëve shtron: “Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i ngatërrojë njëri me tjetrin. Por një gjë duhet të kemi parasysh; të kemi kujdes nga fëmijët e të persekutuarve politikë, pasi ata vetë janë aq pleq apo të sëmurë sa mezi rrinë në këmbë. Kësaj kategorie mendoj që t’i japim pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë”. 
Planet e importuara
Duke iu referuar bashkëpunimit “nën rrogoz” Ramiz Alia shton: “Gorbaçovi më dërgoi disa dokumente e plane dhe po i studioj prej kohësh. Ata janë shumë më përpara se ne, por këto janë gjëra që ne i kemi diskutuar afërsisht dhe jo me të gjithë anëtarët e Byrosë, pasi nuk dihet se kush është miku dhe kush është armiku. Kjo është një mbledhje vetëm për ne më të besuarit, ndaj le të flasim hapur. Ne kemi kuadro sa për shtatë Komitete Qendrore, pra frika nuk duhet të ekzistojë”. 
Kundërshtarët
Me gjithë masat që kërkon të marri, Ramiz Alia e parashikon dhe pjesën e kundërshtarëve të cilët do t’i dalin kundër: “Shumë intelektualë do të na kundërshtojnë, por me ta do të rregullohemi duke u dhënë punë apo ngritur paksa rrogën. Problem mund të jenë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe të Punës, pastaj do t’u japim nga një minipension”. 
Për Kosovën
“Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Është punë e tyre, ne e kemi programin dhe platformën tonë. Strategjinë është e qartë dhe kemi përcaktuar rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste”, thotë Ramiz Alia gjatë fjalimit të tij në Byronë Politike. 

FJALIMI/ “Të jeni te sigurt që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë!”

Strategjia e re: Ne komunistët kapitalistët e ardhshëm
“Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjislaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurt që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, gjithnjë e sigurt, sepse për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe pasardhësit tanë. Po rastisi që të na e përvetësojnë pushtetin apo të rrezikohemi, atëherë mos u gëzofshim asnjëherë, nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si në rininë tonë të hershme. Ndaj, për të mbrojtur mbajtjen e pushtetit duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët; në rrugën paqësore dhe në atë të luftës së armatosur”. 

Kërcënimi i Ramizit
Mos kini frikë, ne jemi dhe me Lindjen dhe me Perëndimin
“Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës. Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Jua them këtë që të mbani lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, që ju i dini mirë se sa na kanë ndihmuar. Pavarësisht konflikteve të fundit që kemi pasur me ta, duhet ta dini se na bashkon kauza e pushtetit të komunistëve, pavarësisht nga nuancat dhe përplasjet e përkohshme. Përveç aleatëve ideologjikë, do të kemi edhe mbështetjen e aleateve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha. Këta të fundit do t’i përdorim vetëm nëse do të jetë shumë e nevojshme. Shoku Enver dikur, dhe unë sot, i kemi ruajtur këto lidhje që të garantojnë pushtetin tani edhe në të ardhmen, përgjithmonë! Ju garantoj se pavarësisht nga rrethanat e vështira aktuale, sido që të shkojnë punët, uji do të rrjedhë në mullirin tonë. Për këtë jeni të garantuar sot e përgjithmonë. Kërkoj nga ju që të mos keni frikë, të mos shtrëngoni radhët dhe të mos dekurajoheni nga situatat e vështira që po kalojmë, sepse në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni. Ju uroj punë të mbarë, mobilizim dhe mendje të kthjellët! Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona! Do të bisedojmë dhe do të vendosim përsëri në përputhje me evoluimin e situatave. Ju uroj punë të mbarë!”
Nesër do të lexoni :
– Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualet e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990
– Ramiz Alia ka thirrur, më 12 gusht 1990, disa nga intelektualet kryesorë të Shqipërisë, vetëm një muaj pas hyrjes në ambasadat e huaja të mijëra shqiptarëve 
– Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër ore në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektuale, mes të cilëve Dhimiter Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. 
– Intelektualët, si i kërkonin llogari Ramiz Alisë dhe debatet Alia –Berisha –Shuteriqi etj…
Sigal