Kadri Dingu, luftëtar dhe mbrojtës i flaktë i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

Nga Muharrem DARDHA 

Me rastin 90-vjetorit të lindjes
Para pak kohësh Kadri Dingu, veterani i mirënjohur i LANÇ-it, mbushi plot 90 vite jetë. Me këtë rast, në shtëpinë e tij erdhën dhe e uruan përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të Veteranëve dhe të Shoqatës Patriotike “Myslym Peza”. Teksa merr në duar certifikatën “Krenaria e Shoqatës Patriotike “Myslym Peza”, historiani dhe veterani i nderuar mbushet plot gjallëri. Kadriu mbetet një arkiv i gjallë për historinë e dekadave që ai ka jetuar, sidomos për LANÇ-in, të cilën e quan një aset të madh dhe të papërsëritshëm për mbarë kombin shqiptarë…Ai është një tiranas i vjetër nga fisi i Dingu, i vendosur aty në rrugën “Hoxha Tahsin” mbi 150 vjet më parë. Këtu ai banon edhe sot së bashku me familjen e djalit të tij, Edit, ndërsa një vit e ca më parë përjetoi dhimbjen e thellë të vdekjes së bashkëshortes së tij të shtrenjtë, Qefserit. Kadriu Dingu, ndonëse në moshë të thyer, vazhdon të kontribuojë në mbrojtjen e LANÇ-it. Është autor i mbi 12 botimeve dhe studimeve, i dhjetëra dhe qindra artikujve dhe shkrimeve, ku mund të veçojmë polemikat e guximshme me studiues dhe personalitete të ndryshëm për ngjarje dhe dukuri të luftës së madhe çlirimtare, të cilës ai dhe mijëra të rinj të tjerë bashkëkohës i kushtuan rininë e tyre dhe bënë sakrifica të papara...

Fëmijëria
Kadriu Dingu lindi me 12 mars 1927. Në moshën 6 vjeç, babai e regjistroi në Shkollën Amerikane që ishte hapur asokohe në rrugën e Elbasanit në shtëpinë e Sefer Gjyshit, ku është sot Liceu Artistik. Nxënësit banonim në konvikt dhe hanim ushqim në mensë. Vetëm një ditë në javë shkonin pranë familjes. “Unë e pata të vështirë që të mësohesha, - kujton Kadriu, - prandaj i kërkova babait që të më largonte nga kjo shkollë, por ai nuk pranoi. Kjo më hidhëroi dhe fillova të mungoja në mësim. Një ditë kujdestari ynë më thirri dhe tentoi të më çoi me forcë në mësim. Unë e kundërshtova dhe duke vrapuar kalova telat rrethues të oborrit, shkova te shtëpia e gjyshit nga nëna, që ishte afër shkollës sonë. Ata i kërkuan babës tim që të mos më çonte në konvikt”… Një vit më pas u regjistrua në shkollën fillore “Ali Kukaleshi”, ku kreu klasën e parë, ndërsa klasën e dytë deri në klasën e pestë e bëri në shkollën “Jani Vreto”, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Gjatë këtyre viteve krijoi shoqëri të ngushtë me Skënder Baftjari, Maliq Huta, Fadil Rada, Shefki Keçi, Hamdi Boja etj, shoqëri të cilën e forcuan më shumë gjatë viteve të pushtimit fashist me pjesëmarrjen në luftën çlirimtare. “Më kujtohet një ngjarje në vitin 1938, kur ishim në klasën e pestë, - tregon Kadriu. - Një ditë djali i Abdurrahman Krosit (ish-ministër i qeverisë së Zogut), që ishte nxënës në klasën tonë, më ofendojë, duke me thënë “ik ore teneqexhi, varfanjak…na shet mend si i pari i klasës”. Nuk durova dhe në orën e pushimit e godita keq. Në këtë kohë xhandari që e ruante atë tentoi të më kapte, por nuk mundi sepse i dolën përpara shokët e mi. Ai rrëzohet, ndërsa unë u largova me vrap. Pasdite në shtëpinë tonë erdhën tre xhandarë, më arrestojnë dhe më fusin në burgun e postës së xhandarmërisë që ishte tek Pazari i Ri. Të nesërmen shokët e klasës me në krye mësuesin e paharruar Shefqet Tirana braktisën mësimin dhe vijnë të protestojnë para postës së xhandarmërisë për lirimin tim. Por që të dilje nga burgu duhej paguar edhe 5 franga. Këto i sigurojë Shefkiu që ia mori babait të tij që kishte dyqanin tek Pazari i Ri… Kjo ishte shoqëria jonë e atyre viteve të paharruara…”. Krahas shkollës, Kadriu punonte edhe te dyqani i babait të tij, që ushtronte zanatin e teneqexhiut në Pazarin e Vjetër. Në vitin 1938 përfundoi shkollën fillore me rezultate të larta në të gjitha lëndët. “Drejtori i shkollës që ishte dhe mësuesi personal i Princ Tatit (djalit të vëllait të mbretit), së bashku me mësuesin Shefqet Tirana, - tregon Kadriu, - erdhën një ditë në dyqan dhe i propozuan babait që të më lejonte të vazhdoja shkollën e mesme me bursën e shtetit. Por ai nuk pranoi, sepse kishte nevojë për mua në dyqan, pasi vetëm nuk mund të përballonte punët dhe nevojat ekonomike të familjes”. 

Në vitet e LANÇ-it
Kur më 7 prill 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, Kadri Dingu punonte në dyqanin e babait. Gjatë kësaj kohe edhe me shokët e shkollës nuk i ndërpreu marrëdhëniet. Kadriu kujton me nostalgji ditët kur ai së bashku me nxënësit e shkollave të mesme, të gjimnazit, të Teknikes dhe të Institutit Femëror, por edhe me mjaft punëtorë, filluan të demonstrojnë nëpër rrugët e qytetit dhe t’i kërkonin mbretit Zog armë për të luftuar kundër forcave ushtarake italiane që priteshin të zbarkonin në Durrës. Këtu nis dhe pjesëmarrja e tij në lëvizjen e madhe antifashiste që do të fillonte pak më vonë. Gatë viteve 1939-1941 pushtuesit italian ndërmorën ndërtimin e mjaft objekteve ushtarake në tokën shqiptare, sidomos në Tiranë ku kishte përqendruar forca të mëdha ushtarake, si ndërtimi i fushës së aviacionit ushtarak në Laprakë, ndërtimi i kazermave në fshatin Sauk, depot e armatimeve në grykën e fshatit Linzë, ndërtimi i spitalit ushtarak dhe i Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Italiane në rrugën e Dajtit (sot Akademia Ushtarake) etj. Në disa nga këto objekte Kadriu ka punuar dhe ai kujton protestat që ata bënin për diferencimet në pagesat mes punëtorëve shqiptarë e atyre italianë, si dhe punët e rënda për 11-12 orë në ditë. Por pjesëmarrja e tij më aktive në lëvizjen kundër pushtuesve fashistë fillon me organizimin e organizatave të rinisë komuniste në Tiranë, pas dhjetorit të vitit 1941. Një e tillë u krijua edhe në lagjen e tij “Sulejman Pasha” që përfshinte pjesën veri-lindore të qytetit të Tiranës. Kjo bëri që të bashkoheshin në lëvizjen antifashiste shokët e fëmijërisë dhe të shkollës si Maliq Huta, Fadil Rada, Gjergj Frashëri (të tre dëshmorë të LANC-it, të pushkatuar në masakrën e 4 dhe 28 shkurtit 1944 në Tiranë), si dhe me dy shokë çirakë në Pazarin e Vjetër, Kasem Dauti dhe Mendu Mehmeti, me të cilët punuam së bashku për tërheqjen e të rinjve të tjerë në LANÇ. “Në vitin 1942 anëtarët e organizatës sonë, - kujton Kadriu, - morën pjesë në disa aksione politike, sidomos në disa demonstrata antifashiste, siç ishte manifestimi në përvjetorin e 30-të të 28 Nëntorit 1912, ditës së Pavarësisë, shndërrimi i një mitingu në kinema “Nacional” në përkujtim të përvjetorit të marshimit fashistë mbi Romë në një manifestim të madh antifashist etj. Gjatë viteve të luftës dyqani i tyre në Pazarin e Vjetër dhe shtëpia u kthyen në baza ilegale të lëvizjes antifashiste. Aty organizoheshin takime dhe mbledhje të ndryshme, u strehuan drejtues të rezistencës antifashiste të Tiranës si: Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Ibrahim Sina, Ismail Çaushi, Meriban Qeaja, Nexhmije Xhuglini etj. 

Si një aktivist dhe guerilas mjaft aktiv Kadriu ra në sy dhe kuestura e Tiranës përgatiti planin për arrestimin e tij, por një natë shkurti 1943, me porosi të qarkorit, ai së bashku me të tre shokë të njësitit të tij kaluam në çetën e Pezës. “Pa u zbardhur, kujton ai, u takova me shokët dhe shoqëruesin tek kodra e Kishës së Shën Prokopit. Në orët e pasdites arritëm në Pezë të Madhe. U paraqitëm në shtabin e çetës, që ishte vendosur në shtëpinë e Babë Myslymit. Aty takuam komisarin, shokun e paharruar Kristo Themelko. Më pas erdhi Babë Myslymi, i cili na përqafoi dhe pasi biseduam pak dha porosi që të na sillnin për të ngrënë. Mbaj mend se na sollën një tas me përshesh me dhallë e bukë misri. Pastaj Babë Myslymi na thirri prapë dhe na caktoi çetat ku do të bënim pjesë. “Ju mund të keni dëshirë që të jeni bashkë siç keni qenë në Tiranë, në një njësit gueril, - na tha Babë Myslymi, - por ne kemi nevojë për ju se qenkeni edhe me shkollë dhe na duheni qe t’i mësoni shkrim e këndim shokëve e shoqeve partizane...”. Si pjesëtar i Çetës partizane të Pezës Kadriu ka marrë pjesë në disa aksione e luftime që janë zhvilluar gjatë muajve mars-qershor 1943, si në goditjen e autokolonave të ushtrisë italiane në rrugën Peqin-Rrogozhine-Kavajë, por veçanërisht në luftimet që u zhvilluan ndaj forcave pushtuese italiane në operacionin që ndërmorën me 13 qershor 1943 kundër forcave partizane të Pezës. Në këtë operacion u mobilizuan mbi 1400 forca nga ushtria italiane dhe milicia fashiste, të shoqëruar me reparte të kavalerisë, artilerisë dhe aviacionit. “Me datën 12 qershor, - kujton Kadriu, - çeta jonë ndodhej në fshatrat në periferi të Rrogozhinës, por si zonë luftarake iu caktua prita në Qafën e Belbës. Në orën 5 të mëngjesit çeta zuri pozicion luftimi në krahun e majtë të grykës së Belbës dhe në orën 7 u përballëm me pararojën e forcave të ushtrisë italiane që vinte nga fshatrat e bregut të Erzenit. Pasi pararoja hyri thellë në grykë, i goditëm me zjarr të përqendruar me të gjitha armët që kishim nga dy krahët. Me goditjen e parë armiku pësoi shumë të vrarë e të plagosur, në mes tyre dhe komandantin e operacionit, kolonel Bartholomeo”... Me rritjen e forcave partizane në Pezë, pas 10 korrikut 1943, ato u organizuan në katër batalione, ku Kadriu u caktua në Batalionin e Dytë që vepronte në periferinë e Tiranës dhe u zgjodh sekretar i rinisë i batalionit. Me krijimin e Brigadës III S në Arbanë, nga forcat partizane të Pezës që u caktuan të kalonin në brigadë ishte edhe Kadriu bashkë me shumë partizanë nga qyteti i Tiranës. Përgjatë gjithë vjeshtës së vitit 1943 kjo brigadë zhvilloi një varg luftimesh dhe betejash kundër pushtuesit gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre Në një nga këto luftime ishte edhe ajo më 7-8 nëntor 1943, kur brigada fillojë lëvizjen në drejtim të Cermë-Bërzhitë me qëllim që të çante rrethimin dhe të hidhej në zonën e Dajtit. Partizanët duke çarë me gjoks ujin e rrëmbyer të në përroi u futën në pyll dhe nga kodra e Shënkollit në befasi sulmuan forcat gjermane, të cilat vinin nga Petrela dhe Elbasani. Luftime të ashpra u zhvilluan në drejtim të qafës së Cirmë-Bërzhitë. Në këto përpjekje u vra partizani Seid Koka dhe u plagosën katër të tjerë. Plagë më të rënda morën Petraq Cuka nga Durrësi dhe Kadri Dingu. “Pas dhënies së ndihmës së parë nga infermieri i batalionit,- kujton Kadriu,- ne dy të plagosurit më rëndë na transportuan natën në fshehtësi. Fillimisht u sistemuam në një shtëpi të veçuar, më pas në Mullet dhe prej andej na futën ilegalisht në Tiranë, ku na dërguan në Spital”. Kadriu kujton me shumë mirënjohje kujdesin që treguan për kurimin e tyre kirurgu i njohur, Shiroka dhe Maksut Dërasa, i cili ishte ndihmës i tij. Pas shërimit të plotë, me vendim të komitetit qarkor, Kadri Dingu u caktua të merrej me forcimin luftarak të njësiteve guerilje. Gjatë muajve maj-shtator 1944 ai është në krye të disa aksioneve si për likuidimin e postë-komandave të xhandarmërisë kuislinge në Yzberisht, te Rrapi Trish, në Teqen e Bektashijve, në rrugën e Durrësit etj. Por kontributi i njësiteve guerile u shpalos madhërishëm sidomos në luftën për çlirimin e Tiranës, e cila ka qenë një ndër betejat më të ashpra e më të gjata të UNÇl. Për 19 ditë e net, në shi e në të ftohtë, u zhvilluan luftime të panumurta për të marrë çdo rrugë e rrugicë, ku nga forcat pushtuese gjermane u përdorën të gjitha llojet e armëve, si artileria e të gjithë kalibrave, aviacioni dhe me dhjetëra tanke e autoblinda...Mëngjesin e 17 Nëntorit 1944 Tirana u çlirua. Në këtë betejë forcat gjermane pësuan dëme të mëdha, mbi 3000 të vrarë, të plagosur e të zënë rob, si dhe lanë pas një arsenal të madh armatimesh. Ndërsa nga forcat tona partizane u vranë 265 dëshmorë, u dogjën dhjetëra shtëpi, i gjithë pazari i vjetër dhe shumë dëmtime të tjera.

Pas çlirimit filloi puna për rindërtimin e vendit. Në ballë të këtyre punëve dhe aksioneve u vu rinia. Dhe Kadri Dingu ishte një ndër të rinjtë flamurtarë të kësaj pune titanike. Ai është pjesëmarrës në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi. Në këtë aksion të parë kombëtar, - tregon Kadriu, - morën pjesë mbi 3000 vullnetarë, që do të ndërtonin rreth 50 km rrugë në një terren tepër malor. Kadriu ishtë në krye të Brigadës së Rinisë së Tiranës deri në përfundim të këtij aksioni të madh. Që këndej filloi edhe karriera e tij e gjatë si një udhëheqës i rinisë dhe më vonë, pas arsimimit të plotë në ish-Bashkimin Sovjetik, në krye të sektorëve të rëndësishëm të administratës shtetërore të kohës në Tiranë dhe ne rrethe, duke e mbyllur si pedagog në Universitetin e Tiranës. Pas daljes në pension ai për asnjë çast nuk e ka parë veten të shkëputur nga jeta dhe nga puna. Për shumë vite ka qenë i zgjedhur në kryesinë e Organizatës Kombëtare të Veteranëve të Shqipërisë, në Shoqatën Patriotike Kulturore “Myslym Peza”, është një ndër krijuesit e gazetës “Kushtrim Brezash” dhe gazetës “Peza”, autor i dhjetëra librave dhe i qindra artikujve në shtypin e përditshëm. Doc. Kadri Dingu është një historian i nderuar që me guxim dhe vërtetësi shkencore ka ditur të shkruajë e të mbrojë historinë e LANÇ-it, për të cilën, siç thotë ai, do të shkrinte gjithçka që i ka mbetur nga kjo jetë.