Ja kush ishin 12 shoqëritë më të famshme të grave dhe burrave të Korçës

608
KORÇË – Një nga shoqëritë më të famshme të Korçës ishte “Dituria Shqip” e themeluar më 15 shtator të vitit 1908, e cila u ndoq nga një sërë shoqërish të tjera, po kaq të fuqishme, të cilat bën emër në kohën e tyre, veçanërisht në ngritjen e shkollave shqipe. Më pas, më 7 prill 1909, u themelua shoqëria, “Vëllazëria”, ndërsa pas Kongresit të Elbasanit, i cili u mbajt më 2 shtator 1909, u krijua shoqëria “Përparimi”. Më 5 tetor 1911 u themelua “Shoqëria shkollore e Korçës”. “Qëllimi i saj, sipas studimit, “Një vështrim historik mbi zhvillimin e filantropisë në Shqipëri”, ishte ngritja e shkollave të mesme me karakter të përgjithshëm, tregtar dhe bujqësor, shkollave fillore në fshatrat e Korçës si dhe dërgimin e studentëve shqiptarë me studime në universitetet evropiane për drejtimet pedagogji, filologji, tregti dhe bujqësi. Kjo shoqëri ishte e hapur ndaj të gjithë atyre, përfshi edhe të huaj, që dëshironin arsimimin e të rinjve shqiptarë”. Megjithatë shumë nga emrat e themeluesve të këtyre shoqërive kanë mbetur të panjohur edhe sot e kësaj dite. Për këtë arsye, ne po rendisim disa nga shoqëritë më në zë të Korçës, të cilat mbetën të paharruara jo vetëm për Korçën por për gjithë hapësirën shqiptare. Një ndihmesë jo të vogël në krijimin e shoqërive dhanë edhe gratë korçare.

1. Shoqëria “Dituria Shqip”

“Shoqëria “Dituria Shqip”, u themelua më 15 shtator 1908, qëllimi i së cilës ishte hapja e shkollave shqipe në mbarë vendin dhe shtypja e librave për to. E njëjta pleqësi u zgjodh edhe në vitin 1909: Ja çfarë thuhet në kronikat e kohës: “Dje u zgjodh pleqësia e re e klubit “Dituria Shqip”, e cila është kjo, kryetar i nderit Ymer bej, kryetar Orhan Pojani, arkëtar Idhomene Kosturi. Pleq: Thomaq Eqimi, Qani bej Dishnica, Hafëz Ali, Çikozi Miçe, Ismail bej, (Leskoviku) Tefik Efendi (Panariti)”. (Gazeta “Korça” 26 vjesht e III-të 1909)

2. Shoqëria “Vllazëria”

“Djemuri e Korçës filluan një shoqëri “Vllëzëria” për të hapur ndjenjat kombiare midis djemurisë”. (Gazeta “Korça”, 21 prill 1909).

3. Shoqëria “Ylli i Mëngjesit”

“E para mbledhje e përgjithshme e shoqërisë “Yll i Mëngjesit” u bë më 13 të këtij muaji, të premten pas drake. Shumë zonja dhe zonjëza të krishtera dhe myslimanka morën pjesë në këtë mbledhje. Zonja Qirias, me fjalë të bukura e të kthjellëta, dorëzoi shoqërinë. Pastaj foli kryesonjësja e shoqërisë, zonjëza P. Qirias. Fjala e kryesonjëses qe shumë e bukur dhe u prit me gaz të madh prej ndëgjonjësve. Nxënësit e shkollës dhanë vjersha dhe kënduan këngën e shoqërisë. Gëzohemi shumë që u themelua një e tillë shoqëri, e cila mundet të mbushtë dëshirat tona. Është koha që dhe gratë dhe çupat shqiptarka të zgjohen nga gjumi e të punojnë me të gjithë fuqinë e tyre për të mirën e kombit tonë të dashur se vërtet është e mira e së ëmblës Shqipëri, që të zgjohen bijat e saj, të cilat pastaj do të nisin një risi të ndriçme e kombëtare. Pra, lipset të kuptojmë se kjo shoqëri është vërtet si një yll që do të rrëfenjë udhën e drejtë edhe për këtë shkak i falemi nderës Zonjzës P. Qirias, e cila pat këtë mendim të shkëlqyer. Por nga ana tone, në daçim të mbajmë shoqërinë, lipset të punojmë, të punojmë pa pushim”. (Gazeta “Korça”, 31 mars 1909)

4. Shoqëria “Përparimi”

“Pardje u zgjodh pleqësia e shoqërisë shkollare “Përparimi”. Kryetar u vu zoti Orhan Pojani, nënkryetar z. S. Karoli, këshillonjës z. Behar Hafiz Ali, Sami Pojani; shkronjës z. Mihallaq Gërmenji. Shpresojmë se kjo pleqësi do të vështrojnë këtë detyrë të vjejtur”. (Gazeta “Korça” vjesht’ e I-rë 1909)

5. Shoqëria e mësonjëtoreve shqip “Përparimi”

“Me anë të kësaj marrim nderë t’u lajmërojmë se pas vendimit të kongresit të Elbasanit u fillua këtu në Korçë, shoqëria e mësonjëtoreve shqipe “Përparimi”, e cila ka për qëllim pikë së pari, të përmbajnë mësonjëtoren për mësonjës (Ecole Normale në Elbasan), që u hap këtë vjeshtë), edhe veç kësaj do të përkujdeset që të hap një mësonjëtore shqip ku ta dojë nevoja në Shqipëri edhe t’u ndihmojë atyre që janë hapur, po s’mundin të mbahen plotësisht. Po për të mbaruar këtë qëllim kaq të nevojshëm dhe të fisëm, e ditur është se do të mundim ta mbarojmë vetëm duke pasur ndihmën e bashkët të çdo klubi, shoqërie dhe çdo atdhetari që dëshiron përparimin, qytetërimin dhe lulëzimin e kombit shqiptar… Duke ndjerë këto nevoja që thamë më sipër u fillua kjo shoqëri me emrin “Përparim”, e cila do të njihet si arkë e përgjithshme, ku do të mblidhen të hollat e se këtejmi do të përhapen ku ta dojë nevoja për mësonjëtore shqip. Pas vendimit të kongresit të Elbasanit kjo shoqëri me ndihmën e tërë klubeve do të përpiqet të njihet zyrtarisht (persone morale et juritique) nga Mbledhja e Kombit. Pleqësia e shoqërisë është kjo: Kryesonjës Orhan bej Pojani, arkëtar Idhomeno Kosturi, shkronjës Mihallaq Grameno, nënkryetar Stavri Karoli, këshillonjës Belul Efendi, Hafëz Ali, Sami bej Pojani. Shoqëria e Mësonjëtoreve Shqip, Korçë 18, vjesht’ e III-të 1909”. (Gazeta “Lidhja Orthodhokse”, 16 shënëndre 1909)

6- “Shoqëria shkollare”

“Më 5 të këtij, në “Banda e Lirisë”, ku gjendet sot shkolla e djemve u mbajt mbledhja e përgjithshme e shoqërisë shkollare. Një shumicë mjaft e madhe vrapoi në thirrje të komisionit të të përtanishmit. Si u këndua edhe u pëlqye kanonizma nga gjithë atdhetarët u shkrojtën anëtarë dhe u nënshkruan për të paguar cilido pas fuqisë nga një pagesë të moçme.(vjetore). Pastaj me vota u zgjodh sipas kanonizmës komisioni i përhershëm kësisoj: Siri bej Leskoviku, kontrollor: Riza efndi Dërsinku, Stavre Karoli, Viskë Gorguzi, Qani bej Dishnica, Vasfi Iljas Kole, Hazo Progëri, Kristaq Zografi, Mihal Grameno, Qamil Panariti, Mustafa Selenica, Memdu bej Zavalani, Sotir Peci, Spiro Xega, Nepsi Kerenxhiu, Vani Qiro, Fehim Xhaferi, Memda Panariti, Abedin Tuxhari, anëtarë. Pas kanonizmës, të cilën do ta botojmë në gazetë si të shtypet, komisioni u mblodh më 8 të këtij dhe duke marrë llogaritë e komisionin të vjetër, zgjodhi pleqësinë kësisoj: Qani bej Dishnica, kryesonjës, Viskë Gorguzi nënkryetar, arkëtar Stavre Karoli, shkronjës Dr Kristaq Zografi dhe pleq: Sotir Peci, Riza Efendi Dërsinku, Spiro Xega, Memdu bej Zavalani dhe Fehim Xhaferi. Ky komision do të mblidhet një herë në javë dhe do të kujdeset për nevojat e shkollës. Komisioni i madh prej 20 vetash do të mblidhet një herë në muaj për të këqyrur veprimet e komisionit sundimtar. Kontrollori ka fuqi të plotë për të kontrolluar shkollat edhe gjithë punët e shoqërisë kurdoherë që të dojë. Programi edhe qëllimi i kësaj shoqërie është vetëm shkollar edhe do të kujdeset për të përmbajtur shkollat e Korçës dhe qark Korçës, kur të mundnjë t’i përmbajë andaj nuk dyshojmë që të gjithë atdhetarët jo vetëm korçarët do të ndihmojnë këtë shoqëri për të mundur të mbushnjë këtë qëllim të shenjtë. Letërkëmbimi edhe ndihmat i dërgohen kryesonjësit të shoqërisë shkollare”. (Gazeta “Koha”, 18 shënëndre 1911) 

7. Shoqëria shkollare “Vllazëria”

“Javën e parë u mblodhën në shkollën shqipe, në mëngjes, anëtarët e shoqërisë “Vëllezëria”, pasi u këndua kanonizma edhe u biseduan shumë çështje për përparimin e kësaj shoqërie u vendos që të zgjidhet pleqësia. Anëtarë me vota të fshehta u zgjodhën këta zotërinj: kryesonjës Karaman beu, Stavre P. Taçi arkëtar, dhe këshillonjës Faik Emin, Muharrem Rexhep, Nikola Rodhe; Koço Grameno, shkronjës edhe Hasan Shaqir, Thoma Avrami, edhe Vasil Ilias Kole kontrollorë”. Gazeta “Koha”, 22 vjesht e I-rë 1912

8. “Shoqëria shkollare”

Për shkak të pjesëmarrjes së drejtuesve të shoqërisë më luftimet me armë kundër pushtuesit, u pa e nevojshme zgjedhja e një pleqësie tjetër. Sipas kronikave te kohës pleqësia e re është kjo: “… U zgjodh një pleqësi e re e cila do të përkujdeset nga këta zotërinj: Orhan bej Pojani, Islam bej Këlcyra, Mina Frashëri, Abedin effendi Tuxhari, Stavre Karoli, Riza Efendi Dërsniku, Idhomene Kosturi dhe Andrea N. Katundi. Shpresojmë që gjithë atdhetarët të këtushëm dhe të mërgimit do të mos kursehen, po do të ndihmojnë me gjithë fuqinë këtë shkollë kombiare edhe të mos turpërohet Korça, e cila ka qenë djepi i ndjenjave kombiare”. Gazeta “Koha”, 22 vjesht- e I-rë 1912

9. Shoqëria e zonjave shqiptare “Bashkimi”

“Më 30 të qershorit, pas një mbledhjeje që u bë prej shumë zonjash të qytetit tonë u themelua Shoqëria e Zonjave Shqiptare “Bashkimi”. Qëllimi i kësaj shoqërie është kultural dhe patriotik e për të hapur ndjenjat Patriotike. Shoqërisë i urojmë ketë jetë të gjatë, përparim dhe mbushje të qëllimeve”. (“Gazeta e Korçës” 3 korrik 1926)

10. Shoqëria “Gruaja shqiptare”

“Dje pasdreke, një shumicë gra të mbledhura në sallën e kinemasë “Majestik”, formuan degën e shoqërisë ‘Gruaja shqiptare” që është themeluar para ca kohe nën kujdesin dhe patronazhin e Nalt Madhërisë së Saj, Mëmës Mbretëreshë dhe nën kryesinë e Naltësisë së Saj, Princeshës Sanije Zogu. U ndodhë përmbi 40 gra të shquara të qytetit pa ndryshim (dallim) feje e klase. Disa nga të ftuarat justifikuan shkaqet e mungesës me letër dhe luteshin të pranoheshin si anëtare. Mbledhjen e çeli prefekti Hil Mosi me një fjalë fort të bukur dyke shpjeguar gjendjen e sotshme të gruas shqiptare e duke përmendur shkallën në të cilën ajo duhet naltësuar për përparimin e zhvillimin e kombit tonë. Kryetare e mbledhjes u zgjodh zonja Violet Kennedy dhe sekretare zonja Eftimia Loni Kristo. Zonja Kennedy mbajti një fjalë të shkurtër dyke shpjeguar rëndësinë e mbledhjes. Pasi u çel mbledhja, zonja Praksithe V. Plumbi mbajti një fjalë të bukur. Pas kësaj zonja kryetare lëçiti disa nga nyjat më kryesore të statutit të shoqërisë “Gruaja shqiptare” dhe ftoi gratë të zgjedhin këshillën e shoqërisë. Pasi u përndanë biletat filloi votimi, i cili u bë me vota të fshehta dhe rezultoi kështu: zonja Violet Kennedy, nënkryetare me vota të plota, zonja Eftimia Loni Kristo, sekretare me 30 vota, zonja Efigjeni Mëria, arkëtare me 24 vota. Këshilltare: Zonja Ismete Sali Zavalani me 31 vota, zonja Viktori Mosi me 23 vota, Zonja Balkëze Frashëri me 15 vota dhe zonja Fiqiret S. Mborja me 14 vota…” (“Zëri i Korçës” 9 korrik 1929)

11. Shoqëria “Cinematro”

“Në mbledhjen e përgjithshme që mbajti shoqëria anonime “Cinematro” zgjodhi këshillën e re e cila përbëhet prej zotërinjve: Dhimitër Mano, kryetar; Selim Mborja, nënkryetar; Llambro Mborja, anëtar; Ibrahim Baçe, anëtar; Qazim Frashëri, anëtar; Thoma Orolloga, inspector; Pando Mulla, zëvëndësinspektor”. (“Gazeta e Korçës”, 9 shkurt 1929

12. Shoqëria “Tenis klub Korça”

“Pas dy mbledhjeve të përgjithshme që u bënë, njëra të hënën e shkuar dhe tjetra të premte mbrëma, u themelua definitivisht “Tenis Club i Korçës”. Mbledhja e parë bisedoi dhe votoi statutin dhe mbledhja e dytë zgjodhi këshillën, e cila u formua kësisoj: kryetar Selim Mborja, nënkryetar z. major Lissoni, sekretar, Gaqo Geço; arkëtar z. Mario Astarita, director i Bankës Kombëtare; drejtor sportiv z. kapiten Von Nechvatal. Këshilltarë: z. Saint Genez, profesor në lice dhe Taqi Fundo. Shoqërisë së re që u themelua për përhapjen e tenisit dhe që ka për të ndihmuar kësisoj në zhvillimin social të qytetit tone, i urojmë suksese” (“Gazeta e Korçës”, 12 maj 1931)