Çlirim Hoxha/ Pashalimani baza ushtarake që nga lufta romako-ilire deri te konflikti shqiptar me Bashkimin Sovjetik

2427
Sigal

Nga Pashalimani dhe Karaburuni në Porto Palermo, ja si ndërthuren tre mrekullitë bregdetare

Gadishulli i Karaburunit për vet përbërjen e tij strukturore natyrale është një pikë strategjike mjaftë e vlerësuar në rrafshin ushtarak. Karaburuni është një vendstrehim i përkryer ushtarak dhe civil për të gjitha anijet që stuhia mund ti kap në udhëtim e sipër, por edhe si një bazë piraterie në kohët e vjetra dhe ekulibruese në kohët moderne. Atje ku sot gjendet një nga bazat më të mëdha ushtarako-detare të Mesdheut, Pashalimani, atje ka qenë edhe në lashtësi bazë ushtarake dhe kantier për ndërtimin e anijeve ilire. Afërsia me Llogaranë mundësonte marrjen e lëndës drusore për ndërtimin e anijeve. Fakti që në Gjirin e Dukatit janë gjetur skelete anijesh antike si dhe objekte të kohës, tregon më së miri për aktivitetin ushtarak dhe tregtar të kësaj pjese të Adriatikut dhe Jonit. Luftërat Iliro-Romake dhe Maqedonase kanë lënë gjurmët e tyre në zonën e Orikumit, ku gjendet Baza e Pashalimanit. Jo pa qëllim pushtuesit osman e përdorën Gjirin e Dukatit rrëzë Karaburunit për të dislokuar aty anijet e tyre luftarake. Ai liman u përdor nga osmanët për shekuj me radhë ashtu siç ishte përdorur nga pushtuesit e tjerë të Orikut të lashtë. Qëndrimi për një kohë të gjatë nënë komandën e një pashai turk bëri që vet garnizonet ushtarake osmane ta emërtonin atë liman si limani i pashait për nder të tij dhe sukseseve që ai pati në drejtimin e forcave detare turke në Adriatik dhe Jon. Turqit osmanë kishin kapur kyçin e Kanalit të Otrantos dhe kontrollonin të gjitha hyrje-daljet e anijeve në Adriatik dhe Jon duke pasur parasysh se Perandoria Osmane ishte më e fuqishmja e kohës në të gjithë Mesdheun. Emri Pashaliman mbijetoi në shekuj dhe sot ky toponim dhe kjo bazë ushtarako-detare është bërë simbol i Luftës së Ftohtë. Dihet tashmë se në vitet 50 të shekullit të kaluar kur nisi Lufta e Ftohtë midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë këtu edhe aleatët e tyre në përbërje të kampeve apo blloqeve, Traktati i Varshavës me në krye Bashkimin Sovjetik kërkonte një pikë strategjike që të ndodhej në kufijtë ekstrem të bllokut komunist, një avanpost ushtarak të fuqishëm me qëllim daljen përballë bllokut perëndimor ushtarak. Strategët ushtarak të kohës siç ishte Zhukovi, 4 herë Hero i Bashkimit Sovjetik dhe një nga gjeneralët më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore, por edhe vet Hrushovi erdhën posaçërisht në Vlorë për të parë nga afër bazën e vjetër ushtarake rrëzë Karaburunit dhe u mahnitën nga natyra brilante dhe pozicioni strategjik i gadishullit mistik shqiptar. Zhukovi, si strateg ushtarak pikasi, se në Karaburun dhe Pashaliman duhet të ndërtohet një bazë e fuqishme e Traktatit të Varshavës. Ai pa se pllaja e Ravenës në Karaburun do të ishte një bazë mjaftë frikëndjellëse për vendosjen e raketave tokë-tokë të cilat do ta kishin të gjithë Mesdheun deri në Gjibraltar në pëllëmbë të dorës. Ndërsa Hrushovi e quajti fushën e Dukatit rrëzë Karaburunit si një pikë strategjike për ndërtimin  e një aerodromi ushtarak misterioz. Vet Karaburuni me Bazën e Pashalimanit, Bazën e Raketave në Ravenë dhe aeroportin në fushën e Dukatit do të ishte bërë Baza ushtarake më drithëruese e globit në kulmin e Luftës së Ftohtë, plane që Enver Hoxha i hodhi në kosh në mbrojtje të Stalinit dhe kundër Hrushovit, por duhet thënë edhe në mbrojtje të sovranitetit të vendit. Gjatë kohës që Pashalimani mori një zhvillim të fuqishëm si një bazë ushtarako –detare në thelb të Karaburunit, nisën edhe planet e tjera për ta bërë këtë bazë sa më efikase dhe misterioze. U hodhën shumë ide dhe u planifikuan të tjera ndërhyrje për të hapur tunele të nënujshme pranë Pashalimanit dhe për të dalë në pjesën e pasme të Karaburunit, por gjerësia prej 3.5 km e gadishullit do të kërkonte investime gjigante, që ndoshta nëse nuk do të ishim prishur me rusët edhe mund të realizoheshin.  Karaburuni poziciononte veç Pashalimanit edhe dy vendstrehime apo vendqëndrime të tjera ushtarake, siç janë Raguza 1 dhe Raguza 2 përgjatë vijës së tij shkëmbore. Pa Karaburunin nuk do të kishte bazë ushtarake, nuk do të kishte reparte ushtarake të Luftës së Ftohtë. 4 nëndetëset e Pashalimanit do ta kishin Karaburunin si një mburojë detare të sigurt përpara daljes në det të hapur, apo gjatë kthimit të tyre në bazë. Ato nëndetëse misterioze zhyteshin në thellësi të mëdha brenda Gjirit të Vlorës ku thellësia shkon nga 50 në 100 m në dalje të gjirit. Të mos harrojmë se stërvitja e marinarëve të Bazës së Pashalimanit bëhej në Karaburun pasi Pashalimani është pjesë e pandarë e Karaburunit, e Orikumit dhe e Dukatit, por i lidhur pazgjidhshmërisht me ishullin e Sazanit.

Shkatërrimi dhe ringritja e Pasha Limanit

Fillimi i viteve ‘90 i lëkundi seriozisht pozitat e Bazës së Pashalimanit rrëzë Karaburunit. Eksodet që pasuan njëri-tjetrin pas shembjes së regjimit komunist bënë që shumë anije ushtarake të bazës të rrëmbeheshin me qëllimin për të mbërritur në brigjet italiane. Këto rrëmbime anijesh arritën kulmin në vitin e mbrapsht ‘97 kur Baza e Pasha Limanit u sulmua dhe u grabit nga vandalët e kohës. U hapën magazinat dhe u vodhën materiale që ishin aty që nga koha e rusëve. U grabit nafta që gjendej në tunelet e Karaburunit dhe u rrezikuan seriozisht silurët që gjendeshin në depo, të cilat mund të shkaktonin një tragjedi të vërtetë për zonën përreth. Anijet e bazës u rrëmbyen me gjithë marinarët e ekuipazheve dhe u nisën drejtë Italisë duke kaluar rrëzë Karaburunit dhe Sazanit. Flota Luftarako-Detare e Atdheut u shpërbë për momentin dhe uzina e riparimit të anijeve u grabit dhe doli jashtë pune.  Pas normalizimit të situatës nisi rimëkëmbja e Pashalimanit. Gati pas 100 vjetësh turqit erdhën përsëri në limanin e Pashait të tyre të dikurshëm dhe investuan për ringritjen e uzinës së riparimit të anijeve dhe të objekteve të tjera të kësaj baze. Po kështu, u rehabilitua shkalla e nxjerrjes së anijeve në tokë. Drita e Pashalimanit po ndriçonte përsëri mbi Karaburun edhe në kuadër të NATO-s, interesi i së cilës u shtua shumë vitet e fundit. Ishte hera e parë që nga koha e rusëve që në uzinën e Pashalimanit u prodhuar katër anije të reja për flotën ushtarake shqiptare, përmes bashkëpunimit me një kompani holandeze. Ardhja përsëri e turqve në Pashaliman, ku prezenca e tyre është evidente edhe tani, nxiti xhelozinë e grekëve, por edhe një farë frike për daljen e turqve prapa shpinës së grekëve në Pashaliman. Grekët shkuan në Kepin e Rodonit për tu dalë prapa krahë turqve si në atë lojën e maces me miun, por ushtria turke është nga më të fuqishmet e botës moderne.

Rusët e Pashalimanit në Orikum dhe mbrëmjet e vallëzimit.

Karaburuni është pronar i shumë resurseve turistike dhe ushtarake të truallit të tij të lashtë. Madje për vet pasurinë që ka, mund të konsiderohet si një nga më të rrallët në botë. Ajo që dua të ngas më poshtë është përsëri Baza Ushtarako Detare e Pashalimanit. Në kohën e rusëve në këtë bazë apo qytetin e Orikumit zhvilloheshin mbrëmjet e të shtunave, ku ruset e bukura dhe burrat e tyre oficerë dëfrenin deri natën vonë nënë tingujt e muzikës ruse, por edhe të orkestrës që shkonte posaçërisht nga Vlora. Dikur, i madhi dhe i paharruari Leka Kruta “Artist i Merituar” dhe një nga legjendat e humorit vlonjat, ka treguar atë që ndodhte të shtunave në Orikum në kinemanë e qytetit. “Ne shkonim nga Vlora çdo të shtunë me orkestrën tonë”, tregonte ai, “dhe unë i bija baterisë. Ruset e bukura ngriheshin në vallëzim dhe nuk mbaheshin fare, ndërkohë që, shumë prej burrave të tyre deheshin me konjak “Korçe” dhe hanin çokollata “Butrinti” në klubin e kinemasë”. Të mos harrojmë, se rusët vdisnin për konjakun e Korçës dhe ruset vdisnin për qilimat e Korçës. Ruset ishin në hall, ato i donin burrat e tyre, por ata, një pjesë inxhinierë nëndetësesh dhe oficerë nënujës vinin shumë rrallë në shtëpi, një herë në 15 ditë. “Gjatë një mbrëmje vallëzimi”, vazhdoi Leka Kruta, “m’u afrua një ruse e bukur, një bionde safi dhe m’u lut që të vallëzoja me të. U zura ngushtë, unë i bija baterisë dhe po të ngrihesha do të prishej orkestra. Rusja quhej Julia dhe e kuptoi që unë u zura ngushtë, por nuk tërhiqej nga kërkesa për të kërcyer me mua. S’dija ç’të bëja, por e gjeta një zgjidhje. Ja lash shkopinjtë e baterisë një marinari dhe u ngrita. Duke kërcyer me rusen i thashë: Julia, ti nuk je për këtu. Ti je për artiste në Teatrin “Balshoje” të Moskës. Asaj i erdhi mirë për këtë kompliment dhe aty për aty ndali vallëzimin dhe iu drejtua të shoqit, një oficer i gjatë dhe biond. Muzh, të lutem hajde këtu. Oficeri u afrua i habitur. Më ke marrë më qafë Muzh, më ke sjellë në fund të botës, unë nuk jam për këtu, unë jam për artiste në teatrin “Balshoji”  të Moskës, -i tha ajo. Oficeri më vështroi mua në sy dhe unë pohova me kokë, ai qeshi dhe u largua, kurse ne vazhduam vallëzimin. Sapo vallëzimi mbaroi Muzh u afrua dhe nuk më la të ulesha, por më futi krahun dhe më shpuri tek lokali i kinemasë ku ne u bëmë xurxull me konjak Korçe shoqëruar me çokollata “Butrinti”, ndërkohë që, Muzh më futi në xhep një 500 lekëshe”,- vazhdoi i madhi Leka Kruta. Rrogat e tyre ishin shumë të larta. Një oficer sovjetik nëndetësesh të Pashalimanit e kishte rrogën 70 mijë lekë në muaj në vitet ‘57-‘61, më shumë se dyfishi i rrogës që merrte Enver Hoxha. Gratë e tyre rinin gjithë ditën brenda mes ushqimeve speciale, por të etura për burrat e tyre të ftohtë. Kjo gjë u kishte rënë në sy meshkujve të Dukatit dhe Orikumit, të cilët nuk kishin përtuar në disa raste, që t’ua çonin shpirtin në vend, sipas dëshmitarëve të kohës. Kur e pyetën Leka Krutën për ndonjë lidhje me ndonjë ruse në Orikum, ai u përgjigj: “Jo, nuk zura dashnore, kisha frikë se mos prishja miqësinë”! Vijon…

 Nga Pashalimani dhe Karaburuni në Porto Palermo.

Lëvizja më e pamenduar nga ana teknike dhe ushtarake u bë kur u mor vendimi që katër nëndetëset e Pashalimanit të transferoheshin në Bazën e Porto Palermos matanë Karaburunit dhe në afërsi të Himarës. Nuk ishte ndonjë lëvizje strategjike, por një lëvizje kot, meqë  plani për të cilin u ndërtua Baza e Porto Palermos ra, atje u dërguan nëndetëset për t’u strehuar, por që u dëmtuan duke qenë larg uzinës së riparimit. Por urdhri ishte urdhër dhe duhej zbatuar dhe të katërt gjigantët e detit u zhvendosën në tunelin e Porto Palermos. Tuneli i Porto Palermos nisi të ndërtohej matanë mesit të viteve ‘60, fill pas prishjes me sovjetikët dhe lidhjes me kinezët. Madje, kinezët mbështetën planin për ndërtimin e bazës së Porto Palermos, si një nga bazat më të sigurta ndaj sulmeve ajrore dhe si një bazë sulmi të befasishëm dhe tërheqje dhe zhdukje pa lenë gjurmë në thellësitë e tunelit misterioz. Qëllimi i ndërtimit të Bazës së Porto Palermos ishte dislokimi i katrave silurues raketa hedhës 100 ton, të cilët do të strehoheshin në tunelin e bazës. Këta katra silurues 100 ton do të vinin nga Kina sipas një marrëveshjeve midis të dyja qeverive, por prishja e marrëdhënieve për shkak se shkoi Niksoni në Kinë dhe nuk pyeti Enverin, bëri që projekti të mbetej i papërfunduar. Ndërtimi i tunelit ishte një punë e mundimshme që shkoi në rreth 20 vjet. Gjatësia e tij shkonte në rreth 800 m me dalje nga prapa. Thellësia e gërryerjes së shkëmbit nënujor shkoi në 12 m, me bankina dhe trotuare nga të dyja krahët. Tuneli në vetvete kishte shumë xhepa, ose tunele të tjerë anësor, ku ishte instaluar hoteleria, zyrat, ofiçina, kuzhina, magazinat e armatimeve dhe materiale të tjera etj. Tuneli ka dy porta të mëdha, ku njëra prej tyre peshon 12 ton. Dërgimi i nëndetëseve të Pashalimanit në Porto Palermo ishte një aventurë e kotë, për të justifikuar boshllëkun që krijoi mos ardhja e katrave raketalëshues 100 ton nga Kina.

Karaburuni, bazë për trafikantët, koralet e kuqe lakmi e zhytësve italianë

Karaburuni i kohëve moderne u përdor edhe si një bazë për trafiqet e qenieve njerëzore dhe drogës gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri. Lulëzimi i “perandorisë” së skafeve dhe gomoneve gjatë viteve ‘90 bëri që shumë prej tyre të shfrytëzonin Karaburunin, gjiret, plazhet dhe shpellat e tij si bazë për nisjen drejtë Italisë. Madje shumë klandestinë që donin të shkonin drejtë Italisë detyroheshin të kalonin nëpër shtigjet mbi Dukatin e ri, mbi Bazën e Pashalimanit dhe të dilnin në gjiret, plazhet apo shpellat e gadishullit. Përleshje të përbindshme kanë ndodhu midis skafistëve dhe Guarda di Financës italiane në tentativë për ti bllokuar. Nata ka qenë aleati më i mirë i trafikantëve, madje edhe në det të trazuar pasi në atë situatë Guarda di Financa e kishte të vështirë të ndiqte gomonet që fluturonin si taksitë e detit drejtë brigjeve të Pulias. Shkatërrimi i reparteve ushtarake dhe lenia e Karaburunit në mëshirë të fatit, bëri që ky tempull natyror, turistik dhe ushtarak të pushtohej nga trafikantët, të cilët grumbullonin dhe transportonin drejtë Italisë klandestinë shqiptar, kurd dhe kinez, që vinin në mbrëmje dhe thoshin mirëmëngjes. Transportonin hashash, transportonin edhe femra për tregun evropian të mishit të bardhë. Por Karaburuni fsheh prapa tij në thellësitë detare 10-20 m koralet e kuqe, një pasuri kaq të lakmuar në tregun e zu ku një degë e saj shkon deri në 2000 euro. Piratë italian të kohëve moderne, nënë petkun e eksploratorëve të pavarur, kanë depërtuar disa herë duke u zhytur në thellësitë e Karaburunit për të grabitur koralet e kuqe, pasuri e deteve të Shqipërisë. Kuptohet, rimëkëmbja e flotës ushtarako-detare të Pashalimanit dhe patrullimi i rrallë i anijeve të saj kanë bërë që ky fenomen të mos dëgjohet më si një lajm në mediet e shkruara dhe vizive të vendit. Karaburuni, Orikumi, Llogoraja janë vendet nga ku buron era e jugut, më e fuqishmja dhe më e llahtarshmja që mund të keni hasur ndonjëherë.