Viti i Ri – Urimi i Obamës: Të punojmë së bashku për një Amerikë më të fuqishme

449
Sigal

Presidenti në ikje i
Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka uruar Vitin e Ri popullit amerikan,
duke vlerësuar edhe të gjitha arritjet e presidencës së tij. Në mesazhin e tij,
presidenti gjithashtu nxiti amerikanët të vijojnë të punojnë së bashku për të
ndërtuar një Amerikë edhe më të fuqishme. Trashëgimia e presidentit Obama do të
jetë në dorën e pasuesit të tij Donald Trump dhe gjykatave amerikane, të cilat
do të vendosin për shumë nga politikat e administratës së tij.

Presidenti në largim i
Shteteve të Bashkuara, Barack Obama i ka uruar Vitin e Ri të gjithë amerikanëve
dhe ka vlerësuar ato që ai quajti si arritje të presidencës së tij. Në
adresimin e tij të përjavshëm, Obama nxiti amerikanët të qëndrojnë të bashkuar.

“Gëzuar Vitin e Ri të
gjithëve. Në një kohë kur e kthejmë faqen e këtij viti dhe shohim drejt të
ardhmes, dua t’ju falenderoj për gjithë çfarë ju keni bërë, për ta bërë
Amerikën më të fuqishme në këto 8 vitet e kaluara. Kemi bërë progres të
jashtëzakonshëm si vend. Asgjë nuk ishte e pashmangshme. Ishte rezultati i
vendimeve të vështira që kemi bërë, dhe rezultati i punës tuaj. Që Amerika të
ecë përpara, kjo është një detyrë që na përket të gjithëve. Të ruajmë dhe të
ndërtojmë mbi ato çfarë kemi arritur – kjo kërkon që të gjithë ne të
bashkëpunojmë. Kjo ka qenë gjithnjë historia jonë.”

Kur Obama të largohet
nga zyra e presidentit në 20 janar, pas 8 vitesh në këtë detyrë, disa prej
iniciativave të tij më madhore do të mbeten pezull ligjërisht, që do të thotë
se gjykatat amerikane dhe pasuesi i tij, Donald Trump, do të luajnë një rol të
madh në formësimin e trashëgimisë së tij.

Sfidat aktuale
ligjore nga shtetet e qeverisura prej republikanëve dhe grupeve të biznesit, po
shënjestrojnë ligjin e mirënjohur të shëndetësisë të presidentit Obama, planin
e tij për të luftuar ndryshimet klimaterike, një iniciativë kyçe mbi
emigracionin, politikën e tij mbi të drejtat e transgjinorëve, pagesën shtesë
për punëtorët dhe politika të tjera të administratës Obama.