Vijojnë kundërshtitë në Kosovë, por opozita tërhiqet nga protestat

567
Partitë opozitare kanë vendosur të mos protestojnë , edhe pse sot ata kishin paralajmëruar se do të dalin në rrugë për të kundërshtuar marrëveshjet si dhe lirimin e deputetes Donika Kadaj Bujupi.
Ndërkohë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj u takua me liderin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin dhe atë të Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj për të diskutuar për hapat e mëtejshëm të opozitës.
Gjatë deklaratës për media Haradinaj tha se ajo që ka ndodhur dje është ajo që është paralajmëruar nga Isa Mustafa për ta ndëshkuar opozitën.
“Ata që po kundërshtojnë ‘Zajednicën’ janë sulmuar tek familjet e tyre. Kundërshtimi ynë politik për këto tema të dëmshme do të vazhdojë edhe nëse Mustafa, Thaçi, Shpend Maxhuni janë në gjendje me hedh aq shumë gaz për ‘Zajednicën’. Ndaluni sa s’është bërë vonë”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka thënë se nuk do të ndalen në kërkesat e tyre ndërsa i ka bërë thirrje policisë që mos të bëhen instrument i politikës.
Edhe kryetari i Nismës Fatmit Limaj ka thënë se kundërshtimi i tyre do të vazhdojë edhe më tutje.
Liderët e opozitës kanë bërë të ditur se takimi i tyre i radhës do të jetë më 28 Nëntor.
Në protestat e djeshme, sipas Policisë, janë arrestuar 22 persona. Ndërkaq, ndihmë mjekësore në spital kërkuan disa persona. Tre prej tyre ishin policë, dy protestues dhe dy qytetarë. 
Sigal