Qëndrimi ndaj mediave, Erdogan akuzon “New York Times”: Ku ishit kur Izraeli vriste gazetarë?!

50
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka sulmuar ashpër gazetën prestigjoze amerikane “New York Times” pas një artikulli të shkruar në të ku ai kritikohej për qëndrimin që ka mbajtur ndaj mediave.
Në një aksion që kundërshtarët e tij politikë e kanë quajtur si fushatë kundër zërave disidentë, Erdogan ka kritikuar edhe gazetën turke “Hurriyet”, ndërsa Prokuroria është përpjekur që të mbyllë dy televizione opozitare me akuza që i lidhnin me terrorizmin.
Erdogan:“Kjo gazetë braktisi të gjitha detyrat e veta dhe na ka sulmuar. Ata po i bëjnë thirrje NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që të marrin masa ndaj nesh. Ndërsa unë i bëj thirrje atyre: Ju doni të na mësoni mbi lirinë e shtypit, por pse heshtët kur 16 gazetarë u vranë nga avionët izraelitë në Gaza? Janë veçse sharlatanë të paguar dhe luftëtarë të intrigave”.
Edhe pse Presidenti i vendit është i ndaluar me Kushtetutë që të mbështesë ndonjë parti politike, Erdogan ka mbajtur disa fjalime në të gjithë vendin përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit me shpresën që Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim të fitojë shumicën, në mënyrë që të ketë votat e mjaftueshme në parlament për të ndryshuar Kushtetutën për t’i garantuar më tepër fuqi postit që mban.
Të mërkurën, gazetari amerikan, Stefen Kinzer, zbuloi pasi kishte mbërritur në Turqi, se ceremonia e organizuar për nder të tij për artikujt e shkruar mbi mbrojtjen e arkitekturës antike në vend, ishte anulluar me urdhër të Erdoganit për shkak të një editoriali të tij kundër regjimit në një tjetër gazetë amerikane.