Publikohet video e ISIS me deklaratat e terroristëve për sulmet në Paris

571
Shteti Islamik ka publikuar një video ku shfaqen 9 terroristët e sulmeve të Parisit, të cilët u morën jetën e 130 personave më 13 nëntor të vitit që lamë pas.
Ekstremistët shfaqen duke dhënë deklaratat e fundit para kryerjes së sulmeve, me mesazhe të ashpra e denigruese kundër Perëndimit, dhe në fund video mbyllet me një kërcënim ndaj Britanisë së Madhe.
Në një reagim nga New Delhi, presidenti François Hollande tha se Franca nuk do të stepet nga asnjë kërcënim terrorist dhe se do të vijojë të mbrojë vlerat mbi të cilat qëndron shteti, si liria dhe demokracia.
Hollande: “Franca nuk trembet nga asnjë lloj kërcenimi terrorist. Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur demokracinë. Prandaj është marrë edhe vendimi për zgjatjen e gjendjes së emergjencës, për të marrë masat e duhura në mënyrë që të mbrojmë vlerat mbi të cilat qëndron Franca”.
Video u publikua në kanalin zyrtar të Shtetit Islamik dhe sipas Global Partners, i cili monitoron mediat sociale të militantëve, video plotëson të gjitha kriteret e duhura të një njoftimi autentik dhe zyrtar të Shtetit Islamik.
Sulmuesit, të veshur me uniforma, shfaqen në një vend të shkretë dhe disa prej tyre duke prerë koka pengjesh, një taktikë e përdorur shpesh nga Shteti Islamik.
Noms de Guerre ka identifikuar kombësitë e sulmuesve në video: tre janë francezë, katër belgë dhe dy irakianë.
Natën e 13 nëntorit të 2015, nëntë burra, të ndarë në tre grupe, sulmuan stadiumin Stat de France, kafene, restorante dhe një prej sallave të teatrit Bataklan.
Salah Abdeslam, i vetmi i mbetur i gjallë, ndodhet në kërkim ndërkombëtar.
Sigal