Presidenti Trump: Irani, i paralajmëruar zyrtarisht

508
Shtëpia e Bardhë thotë se lëshimi i një rakete balistike nga Irani rrezikon marrëveshjen bërthamore të nënshkruar me këtë vend.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se Irani tashmë është “paralajmëruar zyrtarisht” për lëshimin e raketës balistike.
Mesazhi i tij u dha nëpërmjet Twitter, ku ai gjithashtu sërish dënoi marrëveshjen e arritur nga SHBA dhe pesë fuqi botërore duke synuar kufizimin e programit bërthamor të Iranit në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Presidenti Trump tha se Irani duhet të jetë mirënjohës për marrëveshjen nëpërmjet së cilës përfitoi miliarda dollarë fonde që kishin qenë të ngrira.
Lëshimi i raketës u dënua dje edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, i cili e përshkroi si episodin më të fundit në një seri incidentesh gjatë gjashtë muajve të fundit kur Irani ka kërcënuar SHBA-në dhe aleatët në rajon. Zoti Flynn tha se udhëheqësit në Teheran patën marrë kurajo për veprime të tilla nga një marrëveshje “e dobët dhe e paefektshme”, dhe pasi vendet e tjera të përfshira nuk kanë ndërmarrë hapa ndaj ambicieve ushtarake të Iranit.
Gjatë një sesioni informuese në Shtëpinë e Bardhë, zoti Flynn akuzoi ish-Presidentin Barack Obama dhe anëtarët e administratës së tij se nuk kanë qenë të ashpër sa ç’duhet me Iranin.
Sigal