Parlamenti grek “Po” referendumit. Tsipras: Të votojmë “Jo” për të refuzuar “fyerjen”

424
Të dielën e 5 korrikut qytetarët grekë do të thirren për të shprehur nëse janë pro apo kundër ofertës së avancuar të kreditorëve.
Ndërkohë 48 orë nga momenti kur skenari për daljen nga Eurozona bëhet edhe më konkret parlamenti grek miratoi kërkesën e kryeministrit Alexis Tsipras për referendumin,për të marrë mbështetjen e popullit për të refuzuar propozimin.
Parlamentarët grekë autorizuan mbajtjen e referendumit propozuar nga qeveria, duke ia lënë kështu në dorë të popullit vendimin për të pranuar apo refuzuar ofertën e kreditorëve ndërkombëtarë.
Tsipras “jo” për të refuzuar “fyerjen”
Të ashpra fjalët e prononcuara në parlamentin grek nga kryeministri. Aleksis Tsipras mbylli debatin duke kërkuar bashkëkombasve të vet të votojnë ‘jo” për të refuzuar “fyerjen” e bërë nga kreditorët. Ai e ka quajtur ofendues për vendin e tij.
“Është momenti i së vërtetës për të ardhmen e tyre- tha ai- momenti kur Greqia do ta shohin se nuk dorëzohet, se Greqia nuk është një lojë që mund ti jepet fund”
“Nuk kemi ndërmend t’i kërkojmë vendit ku ka lindur demokracia, të marrë leje nga zoti Shojble apo zoti Dajselblum për t’i dhënë zë vullnetit të popullit. Nuk do t’i marrim leje atyre për të mbrojtur demokracinë ne djepin e saj. Referendumi ku njerëzit do të vendosin për fatin e tyre do të mbahet të dielën, duan apo nuk duan partnerët tanë
“Jam i sigurtë se populli grek do të jetë në lartësinë e këtyre rrethanave historike për të thënë jo të fortë ultimatumit”.
Me deputetët e të majtës radikale të Syrizës kanë votuar në favor të referendumit dhe deputetët e të djathtës radikale të formacionit neo-nazist Agimi i Artë. Kundër konsultimeve janë neo europianët e qendrës së djathtë Neo Demokracia dhe socialistët e PASOK, deputetët e qendrës së To Potami dhe komunistët e KKE-së
Miratimi i referendumit mori 178 vota pro nga 298 deputetë që ishin të pranishëm, megjithatë nuk munguan debatet dhe ndërprerjet e seancës, pas përplasjeve mes shumicës dhe opozitës për drejtimin që duhet të marrë vendi.
Samaras: “Këtu nuk bëhet fjalë për të votuar pro apo kundër propozimeve të trojkës apo qeverisë Tsipras, populli grek është thërritur të vendosë për t’i thënë “po” apo “jo” Europës dhe euros, dhe ne duam që grekët të qendrojnë në zemër të Europës”
Sot mbledhja e drejtuesve të Bankës Qëndrore Europiane
Pas zhvillimeve dramatike të ditës së djeshme, mes çarjes mes Eurogrupit dhe Athinës dhe deklaratës se program I ndihmës do të skadojë më 30 korrik, nga të dy palët vijon puna për të përballuar situatën. Sot pritet organizimi i një videoconference e Këshillit drejtues të BQE-së për të vendosur për masat që duhet të ndërmerren në lidhje me 4 bankat e mëdha greke mbi të cilat BQE ka fuqinë e mbikqyrjes.
Tusk: Greqia duhet të qëndrojë në Eurozonë
Ndërkohë Donald Tusk presidenti i Këshillit të BE-së ka deklaruar se Greqia duhet të vijojë të jetë pjesë e Eurozonës. Tusk, edhe pse nuk ka asgjë në dorë sa i takon cështjes së monedhës Euro, ka konfirmuar se nga ana e tij do të bëjë gjithçka që Athina të mos largohet nga Euro.
Për të bërë të mundur që referendumi të mbahet pa vënë në presion popullin grek, qeveria kërkoi shtyerjen e programit të shpëtimit dhe pagesën e këstit ndaj FMN-së përtej të martës, kërkesë kjo që u refuzua ministrat e Financave të Eurozonës pas mbledhjes së të shtunës, 27 qershor që mund të quhet një dështim.
Shefi i Eurogrupit, Jerun Dajselblum tha që tani i takon Bankës Qendore Europiane të vendosë nëse do të vazhdojë të furnizojë me fonde emergjence sistemin bankar grek, ndërsa shefja e Fondit Monetar, Kristin Lagard, e bëri të qartë që çdo vendim i referendumit të 5 korrikut do të jepet mbi marrëveshje që nuk janë më të vlefshme, edhe pse pranoi që nëse grekët do të votojnë masivisht “pro” qendrimin në eurozonë, atëherë përgjigja e kreditorëve do të jetë për t’i dhënë një tjetër shans në tavolinën e bisedimeve.
Sigal