“Le Monde”: Ndryshimi klimatik faktor destabilizimi dhe migrimi

512
Bëhet fjalë për një “krizë” refugjatësh? Apo është më shumë për shkak të krijimit të një regjimi të ri migrimi, i ushqyer nga ndryshimi klimatik që po ndodh?
Fluksi i imigrantëve dhe refugjatëve që kërkojnë azil në Evropë aktualisht shkaktohet kryesisht nga luftërat civile dhe rënia e qeverive në Lindjen e Mesme, por roli i klimës, ndonëse i pamundur të përllogaritet aktualisht, është mëse i dukshëm.
25 milionë të shpërngulur
“Nëse Evropa tashmë po ndjen efektet direkte dhe indirekte, madhësia e këtyre migrimeve do ta kalojë atë që ne po njohim sot”, parashikon Monique Barbut, sekretare e përgjithshme e Konventës së Kombeve të Bashkuara për luftën kundër shkretëtirëzimit (UNCCD), gjatë një konference më 9 shtator me temë “Çregullimi klimatik dhe krizat humanitre”, të organizuar nga ministria franceze e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS) dhe organizata të tjera të rëndësishme.
Kjo ishte gjithashtu një mundësi për 67 OJQ që t’i dorëzonin ministrit francez të Punëve të Jashtme, Laurent Fabius, një letër të hapur duke insistuar mbi urgjencën e një marrëveshjeje ambicioze, në fund të vitit në Paris, mbi çështjet klimatike.
Sipas “Internal Displacement Monitoring Center” (IDMC), mes vitit 2008 dhe 2014, është regjistruar një mesatare vjetore prej 25 milionë personash të shpërngulur çdo vit për arsye të katastrofave natyrale, ku më shumë se 80 për qind janë për arsye të situatave hidro-klimatike (stuhi, përmbytje, erozion i brigjeve etj.).
“Ndikimi që këto ndryshime klimatike kanë mbi migrimin për momentin nuk mund të përllogariten”, shprehet François Gemenne, kërkues (në Universitetin “Versailles-Saint-Quentin”) në shkenca politike dhe i specializuar në migrimet për shkak të mjedisit.
Ndonëse nuk mund të përllogaritet ekzaktësisht ndikimi i ndryshimit klimatik i lidhur me shpërnguljet e popullsisë në raport me atë të problemeve politike (luftë, dhunë etj.) që sipas IDMC-së kanë shkaktuar më shumë se 38 milionë të shpërngulur të brendshëm në vitin 2014.
“Megjithatë ka një konsensus të përgjithshëm që pranon se klima është një faktor destabilizues, se ka një lidhje të fortë mes klimës dhe sigurisë”, thotë François Gemenne.
Ky konstatim nuk është i ri. Në mars të vitit 2008, një raport i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Mbrojtjes identifikonte zonat që rrezikoheshin më shumë nga ndryshimi klimatik që po ndodh.
“Ndryshimet klimatike, rrezikojnë të sjellin, në të ardhmen, incidente mbi stabilitetin social dhe politik në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut”, thekson raporti në mënyrë shumë të qartë.
Ky tekst fokusohet më shumë në “tensionet e lidhura me menaxhimin e burimeve hidrike të luginës së Jordanit dhe të ultësirës së Tigrit dhe Eufratit, që po rallohen si dhe përkeqësimi i këtyre tensioneve për shkak të rritjes së temperaturave”.
Teksti thekson gjithashtu se “një rritje e ndjeshme e popullsisë së Magrebit dhe të Sahelit gjatë viteve të ardhshme, kombinuar me ndryshimet klimatike dhe zvogëlimin e sipërfaqes bujqësore, mund të sjellë tensione sociale, një destabilizim politik dhe mund të rrisë presionet për migrim”.
Gjithashtu raporti parashikues i Përfaqësuesit të lartë thekson se “në Jemen nën efektin e ndryshimit klimatik dhe të rënies së prodhimit bujqësor, situata mund të arrijë një pikë kritike, duke sjellë një destabilizim politik dhe social”.
Shtatë vite pas redaktimit të këtoj raporti, Gemenne konstaton se Siria jep shembullin e një shoqërie të destabilizuar për shkak të rreziqeve klimatike.
“Një pjesë e krizës siriane gjen origjnë në një seri thatësirash që kanë goditur vendin”, shpjegon studiuesi. Madje këto lidhje janë në qendër të shumë punimeve të fundit akademike.
“Ka një seri provash që tregojnë se thatësira mes viteve 2007 dhe 2010 që preku Lindjen e Mesme ka kontribuar në konfliktin sirian. Kjo thatësirë, nga më të fortat të regjistruara në rajon, shkaktoi dëmtime në të gjithë bujqësinë dhe rriti migrimin në masë nga zonat rurale drejt qendrave urbane”, theksojnë studiues të drejtuar nga Colin Kelley (Universiteti i Kalifornisë në Santa Barbara) në një studim të publikuar në mars 2015 në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences”.
Pra ndryshimet klimatike që po ndodhin, shkruajnë studiuesit, trefishojnë thatësirën e fortë dhe të gjatë në “Gjysmëhënën” pjellore.
Në Siri më shumë se një milion persona janë të prekur nga pasiguria ushqipore, që janë detyruar të largohen nga tokat e tyre.
“Një eksod rural që ka kontribuar në futjen e vendit në konflikt”, thekson Monique Barbut që vërren se në Nigeri dhe në Mesopotami, Boko Harami dhe Shteti Islamik (ISIS) po shfrytëzojnë këtë situatë.
“ISIS ka zënë burime të rralla me ujë për të rritur pushtetin dhe influencën e saj”, shtoi ajo.
Rrallim i ujit dhe tokave bujqësore
Në vitet në vijim, ndryshimi klimatik do të sjellë një degradim të tokave një rrallim të burimeve të ujit. Tokat bujqësore në dispozicion dë të zvogëlohen ndjeshëm deri në vitin 2050, ndërsa dallimi mes nevojave për ujë dhe burimeve në dispozicion mund të arrijë në 40 për qind në dy dekadat e ardhshme.
“Kur nuk mbetet më asgjë, personat e depresuar kërkojnë një rrugë tjetër. Migrimi është gjëja më e mudshme”, shprehet Monique Barbut duke shtuar se deri në vitin 2020, 60 milionë persona mund të migrojnë nga pjesët e degraduara të Afrikës nënsahariane drejt afrikës së Veriut dhe Evropës.
“Vështirësia gjithnjë e më e madhe për të gjetur uji dhe lëndina të gjelbërta detyron personat të përshkruajnë me kilometra të tëra. Është një burim i konsiderueshëm konfliktesh.
Zhdukja për 10 vite e 80 për qind të ujit të liqenit Çad shkaktoi tensione të forta mes fermerëve të ardhur nga veriu i Nigerisë dhe bujqve që tradicionalisht jetonin përreth liqenit”, dëshmon Hindou Oumarou Ibrahim, koordinatore e Shoqatës së Grave Peul të Çadit.
“Çështja klimatike do të jetë një faktor madhor destabilizimi dhe migrimi në shekujt e ardhshëm. Duhet më shumë punë mbi çështjen klimatike pasi zgjedhjet politike luajnë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizave”, shprehet François Gemenne./ ATSH 
Sigal