I emëruari për drejtor të FBI-së zotohet për pavarësi

445
I emëruari i Presidentit Donald Trump për të drejtuar FBI-në u zotua t’i rezistojë çfarëdolloj presioni politik nga Shtëpia e Bardhë dhe shprehu mbështetje për hetimin rreth ndërhyrjes së Rusisë që po zhvillohet nga prokurori special. I emëruari Christopher Wray, i cili nëse konfirmohet do të marrë stafetën pas drejtorit të shkarkuar të FBI-së, James Comey, i bëri komentet gjatë një dëshmie në Komisionin Juridik të Senatit.
Dy muaj pasi Presidenti Trump shkarkoi papritur drejtorin e FBI-së, James Comey, dhe vetëm pak javë pasi Comey dëshmoi se Presidenti i kishte bërë presion rreth hetimeve për Rusinë, ligjvënësit kërkuan garanci të qarta prej personit që është propozuar të zëvendësojë zotin Comey.
“FBI-ja është dhe duhet të vazhdojë të jetë një organizatë e pavarur e zbatimit të ligjit dhe e pandikuar nga influencat politike. Dhe kjo fillon që nga koka”, tha Senatorja demokrate Dianne Feinstein.
Christopher Wray, ish-jurist i Departamentit të Drejtësisë, tha se Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump nuk i ka kërkuar të zotohet për besnikëri ndaj saj, dhe se ai nuk do ta ofronte edhe nëse kjo do t’i kërkohej.
“Nuk do të lejoj kurrë që puna e FBI-së të drejtohej nga diçka tjetër përveç fakteve, ligjit, dhe përmbushjes së paanshme të drejtësisë. Pikë”, deklaroi i emëruari për drejtor të FBI-së, Christopher Wray.
Zoti Wray tha se nuk mund të komentojë për shkarkimin e zotit Comey, por komentoi për mënyrën se si Presidenti Trump ka përshkruar hetimin e Rusisë nga prokurori special.
“Nuk e konsideroj gjueti shtrigash punën e zotit Mueller”, deklaroi ai.
Zoti Wray shtoi se ai nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim vlerësimet e komunitetit të zbulimit për ndërhyrje në zgjedhje të Rusisë.
Dëgjesa u zhvillua vetëm një ditë pasi i biri i Presidentit publikoi email-e ku shprehte etjen për të marrë materiale të ofruara nga Rusia për të dëmtuar kandidaten, Hillary Clinton, kundërshtare politike e të atit.
“Do të dëshiroja t’i thonit çdo politikani se nëse kontaktohet për ndonjë ndihmesë të mundshme nga ndonjë qeveri e huaj për të denigruar kundërshtarët politikë, ai duhet t’i telefonojnë FBI-së”, kërkoi Senatori republikan Lindsey Graham.
“FBI-ja do të ishte e interesuar të informohej për çdo kërcënim apo përpjekje të ndonjë shteti apo aktorësh joshtetërorë për të ndërhyrë në zgjedhjet tona”, u përgjigj zoti Wray.
Zoti Wray ka punuar në Departamentit e Drejtësisë gjatë administratës së Presidentit George W. Bush. Grupet aktiviste për të drejtat civile thonë se emri i tij figuron në dokumente që lidhen me teknikat e avancuara të marrjes në pyetje. Gjatë dëgjesës, zoti Wray nuk i pranoi aludimet se ai mbështet ushtrimin e torturës ndaj të dyshuarve për terrorizëm.
“A jeni dakord se mbytja e simuluar me ujë është një torturë e paligjshme?” pyeti Senatori demokrat Patrick Leahy.
“Po”, u përgjigj zoti Wray.
Megjithë shqetësimet që mund të kenë ligjvënësit, anëtarët e të dyja kaheve politike dëshirojnë caktimin sa më shpejt të drejtorit të FBI-së, në këtë periudhë turbullirash politike në Uashington.
Sigal