Arrestohen qindra njerëz në protestën për gazetarin rus

145

Qindra njerëz janë arrestuar gjatë një mitingu në Moskë, të cilët kërkuan dënim për policët që arrestuan gazetarin Ivan Golunov.

Sikurse shkruan “BBC”, policët u përleshën me protestuesit gjatë marshimit në mbështetje të gazetarit. Mes të ndaluarve, ishin gazetarë si dhe udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny.

Golunov u lirua nga burgu të martën pasi akuzat për drogë kundër tij u hodhën poshtë pas një proteste publike.

Ministri i Brendshëm Vladimir Kolokotsev tha se oficerët që kishin marrë pjesë në arrestimin e gazetarit do të pezulloheshin gjatë një hetimi.

Përkrahje për gazetarin e akuzuar për shitje droge më parë kanë shfaqur edhe tri gazetat kryesore ruse, të cilat e kanë publikuar një shkrim të përbashkët, ku kërkohej lirimi i tij.

Mediat lokale thanë se më shumë se 2,500 njerëz kishin marrë pjesë në tubim, edhe pse autoritetet thanë se ishte më pak se gjysma e atij numri.

Një grup monitorues tha se më shumë se 400 vetë u arrestuan në protestë, ndonëse autoritetet ruse deklaruan se bëhet fjalë për rreth 200.

Protestuesit tundnin banderola dhe mbanin bluza me sloganin “Unë / Ne jemi Ivan Golunov” dhe akuzuzonin policinë për sjellje kriminale në arrestimin e gazetarit.