Ja batërdia e afro 44 mijë diplomave fallco sipas rretheve

Nga Lindita MALO

Diplomat e falsifikuara i kan shkaktuar shtetit, një dëm prej 110 milionë euro

Ajo që ka ndodhur për shumë vite në universitetet tona publike, lidhur jo vetëm me denigrimin e strukturave drejtuese, dhe korrupsionin, por edhe me shkeljen më të rëndë ligjore, atë të diplomave fallco, mund të quhet pa asnjë mëdyshje skandali më i madh në fushën e arsimit të lartë, me një kosto që e kalon 110 milion euro deri sot. Themi deri sot, sepse po vazhduan të “prodhojnë” akoma universitetet tona publike diploma të tilla, kostoja financiare në kurrizin e buxhetit të shtetit, do të shumëfishohet. Kjo për faktin sepse, diplomat fallco të cilat kanë dalë dhe po dalin nga dyert e universiteteve tona publike (duke mos llogaritur ato private) mbeten sërish një shqetësim serioz. Shteti ka mbi 20 vjet që paguan me para taksapaguesish “drejtorë intelektualë, zyrtarë, kryetarë, deputetë, zv/ministra dhe ministra” me rroga të majme, vetëm sepse ata janë të pajisur me një diplomë të tillë të blerë në vlera të majme në universitetet tona publike. Në ato universitete, ku edhe sot e kësaj dite ka megakorrupsion të ngritur në sistem, ka idiotësi, ka injorancë, ka zyra të mbushura me farefis dhe miq, të cilët nuk bëjnë asgjë tjetër, por sa herë vijnë sezonet e provimeve bëjnë gati listat dhe caktojnë sekserin që mbledh paratë, duke futur në xhep miliona nga xhepat e studentëve, apo merren me tenderët dhe zhvatjen e përqindjeve. Me milionat e tyre, ata sot kanë goxha pasuri, vila, pallate, prona, biznese, konto bankare brenda dhe jashtë vendit, makina të shtrenjta, dhe askush nuk i ka dënuar, askush nuk i ka penalizuar, vetëm sa janë denoncuar. Kjo për faktin sepse rrjeti është ngritur dhe funksionon në atë mënyrë, që secili nga ata që ikin, dhe ata që vijnë, mbajnë njëri-tjetrin, u mbulojnë njëri-tjetrit të gjitha shkeljet ligjore, të gjitha abuzimet, duke vendosur kështu kodin e heshtjes. Një kod, që ka funksionuar dhe po funksionin mrekullisht në institucionet e arsimit të lartë, (dhe jo vetëm atje) duke i futur ato në listat e institucioneve më të korruptuara të vendit pas gjykatave apo edhe doganave. Por duke u ndalur tek një prej fakteve skandaloze që e ka kthyer shtetin në “shtet fallco” tek diplomat fallco, me dëshpërim të thellë konstatojmë se, në shkallë vendi janë mbi 44 mijë, (mund të jenë edhe më shumë) të tilla të cilat gjenden në CV dhe dosjet e zyrtarëve të mesëm dhe të lartë të institucioneve të këtij vendi, që prej 26 vitesh, po kalon pafundësisht tranzicionin, duke mos bërë të efektshme shumicën e reformave pikërisht nga paaftësia e shumicës së këtyre “të diplomuarve”. Si mund të pretendosh se “po bëj reformë në arsimin e lartë”, kur sot në universitetet publike ke akoma ata që i shkatërruan themelin këtij institucioni dhe po i heqin edhe tullën e fundit, kur në universitetet tona publike vegjetojnë pa zhurmë fare edhe sot, vampirët e parave të shtetit dhe studentit, kur akoma edhe sot, ata që kanë pasur dhe kanë dosje të mbushura me denoncime në Prokuroritë e rretheve, drejtojnë nga “hija” gjithçka që lidhet me emërimet, duke nisur nga departamentet, dekanatet, dhe deri tek emërimet e sekretareve në fakultete. Por sërish duke u ndalur vetëm tek diplomat fallco, nga burime të besueshme nga disa rrethe mësuam se “ato janë prodhuar, firmosur dhe vulosur pikërisht në zyra rektorësh prej vitesh, dhe janë blerë nga zyrtarë të punësuar në vende pikante, nga persona që prisnin emërimin pas fitores së zgjedhjeve, nga kandidatë për deputetë apo kandidate për kryetarë bashkish, që sot janë kthyer në bejlerë të pasur, nga ish-kryekomunarë, kryebashkiakë, madje me diploma të tilla ka sot edhe pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm në universitetet tona publike”. Ndërkohë mjafton të theksojmë edhe faktin se shitja e tyre vetëm nga kontingjenti i mijëra diplomave të cilat mbajnë firmën dhe vulën e universiteteve shtetërore dhe atyre private, gjithmonë sipas burimeve tona tepër të besueshme, në vite ka qenë si më poshtë: 

Në Elbasan qytet pas vitit 1997 e deri para një viti janë prodhuar dhe shitur me firmë dhe vulë të rregullt mbi 11 mijë të tilla.
Në Korçë janë prodhuar dhe shitur 3316 të tilla. 
Në Vlorë janë prodhuar dhe shitur 4180 të tilla, 
Në Durrës janë prodhuar dhe shitur 2800 të tilla, 
Në Tiranë (kryesisht fshatra dhe rrethina e qyteteve të qarkut) janë prodhuar dhe shitur mbi 24500 të tilla,

Në Shkodër janë prodhuar dhe shitur mbi 9250 të tilla, kurse pjesa tjetër afro 3 mijë diploma janë blerë nga persona me banim në rrethet e veriut në filialet e tyre.

Të gjitha të shitura me një vlerë, e cila niste nga 1500 dollarë deri 5000 euro. Të gjitha këto “diploma” duhet të jenë patjetër objekt i punës së organeve policore dhe hetimore, pasi janë pasojë e një veprimtarie, e cila ka afro 20 vjet që ka nisur dhe i ka vënë njollën e turpit, jo vetëm institucioneve të arsimit të lartë, por ka ngritur dhe krijuar një kastë zyrtarësh dhe drejtuesish mashtrues dhe të paaftë, që në emër të “intelektualizmit” kanë përfituar jo vetëm rroga dhe shpërblime të majme nga arka e shtetit, por kanë ngjyer duart e tyre edhe me milionat e investimeve publike. Nuk është çudi që pas hetimeve (në rast se nisin) ndonjë me diplomë të tillë, të dalë se ka punuar, apo dhe punon edhe në paradhomat e ndonjë (ish) ministri, madje pse jo edhe të (ish) kryeministrit. Nga viti 1998 deri sot, Prokuroria e Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Tiranës, Korçës, Vlorës ka hapur dhe ka mbyllur në mbi 864 raste dosjet për pedagogët e këtyre Universiteteve, por ndëshkimi është marrë vetëm në pak rast pavarësisht se ka pasur fakte konkrete për shumë prej këtyre pedagogëve dhe lidhjet e tyre me ish rektorët dhe dekanët e universiteteve shtetërore dhe private. Ardhja në krye të Universitetit të Elbasanit e Rektorit Skënder Topi ka bërë që situata të ndryshojë në lidhje me allishverishet e diplomave dhe të kontrollohet çdo diplomë që del me logon e këtij Universiteti. Nga ana tjetër Prof. Topi, u bën thirrje të gjithë studentëve që të denoncojnë çdo rast apo tentativë e cilitdo pedagogu që ul dhe dëmton imazhin e Universitetit të Elbasanit. Ky ogur i mirë dhe këto metoda po i japin fund kohës kur studentët vlerësoheshin pa shkuar në provime apo shkonin në emër të tjerëve dhe ky shembull duhet të ndiqet edhe nga Universitetet e tjera. Gazeta “Telegraf “ në numrat në vazhdim do t’ju njohim me korrupsionin edhe në të tjera universitete publike të vendit, me aferat e emërimeve dhe gradave shkencore etj. si dhe do mirëpret çdo denoncim nga studentët, familjarët e tyre dhe pedagogët e ndershëm të këtyre universiteteve.