Zbulohen lidhjet e dy oficerëve të policisë me sekserin e prostitutave

545
Nga LINDITA MALO
Si u denoncua skandali në organet e rendit dhe presionet ndaj qytetarëve për të tërhequr dëshmitë. Ndërhyrja e prokurorisë së Elbasanit
Prokuroria e Elbasanit ka nisur një çështje penale ndaj një polici të burgu, pasi dyshohet se ka lidhje me një rrjet prostitucioni. Burime hetimore thanë se “personi i denoncuar dhe akuzuar, është polic në një prej burgjeve të Elbasanit, dhe prej kohësh kryen edhe rolin e “kapos” të një rrjeti prostitucioni, por së fundi kemi zbuluar edhe lidhjet e tij me dy shefa policie të cilët kanë pasur dhe kanë rolin e tyre në këtë veprimtari të paligjshme dhe kriminale”. 

Polici i burgut ka vite që punon edhe si “gardian” seksi në një banesë në një nga lagjet e Elbasanit dhe gjithçka dukej sikur ecte normalisht, deri në momentin kur dy komshinj të tij kanë sinjalizuar në organet policore. Por edhe pse kishin kaluar mbi 2 muaj nga denoncimi, nga policia nuk ka pasur asnjë lëvizje gjurmuese dhe konstatuese, gjë e cila ka pasur më vonë shpjegimin e vet. Sipas njërit prej denoncuesve, “policia në vend të vepronte sipas metodave të saj, ka nisur presionet dhe kërcënimet ndaj nesh, duke na thënë se, ‘na keni mashtruar, do t’ju prangosim për dëshmi të rreme, mbyllni gojën’, dhe e gjitha kjo sepse në ‘tavë’ ishin edhe dy oficerë policie, ndaj ne u detyruam të trokisnim tek Prokuroria e cila na thanë se, ka nisur një hetim prej të cilit shpresojmë të arrestojnë policin e burgut dhe kumbarët e tij, sepse po fitojnë para të pista duke shfrytëzuar vajza dhe gra hallexhie”. 

Por duket se situata në të cilën po kalon qeverisja e vendit, u ka dhënë rastin edhe personave të tillë që fatkeqësisht kanë arritur të punësohen edhe në organet policore dhe më keq akoma, në institucionet e riedukimit, të merren me veprimtari të tilla kriminale, duke fituar miliona. Implikimi real në rrjetin e prostitucionit të punonjësve të policisë tregon dramën e tmerrshme që ka përfshirë një pjesë serioze të strukturave të kësaj qeverie. Denoncuesit në takimin e parë me hetuesit kanë treguar se “një banesë fare pranë tyre, ka kohë që është kthyer në strehë prostitucioni, ku hyjnë e dalin vajza dhe gra të reja, po ashtu edhe djem dhe burra, që paguajnë për çdo shërbim paratë tek polici burgut, i cili ka edhe 2-3 persona që i mban si roje për çdo të papritur”. Sipas denoncuesve, “ne vendosëm të informojmë policinë, por ajo u tregua e pafuqishme, pastaj edhe Prokurorinë sepse ishte një turp, përdhosje e asaj që shikonim ne dhe familjarët tanë , dhe nuk mund të toleronim hapjen e bordellos në lagjen tone, ndërkohë që ata që kanë lidhje me këtë veprimtari kriminale meritojnë burgun dhe të largohen me turp nga radhët e Ministrisë Brendshme”. 

Organet e hetimit do të shtrihen edhe në lidhjet e policit të burgut dhe dy oficerëve të policisë me persona të tjerë, pasi dyshohet se veprimtaria kriminale ka vite që funksionon, duke u kthyer në rrjet edhe në qytete të tjera të vendit. Dyshohet se ata kanë arritur të rekrutojnë gra dhe vajza, edhe nga zonat e tjera të vendit, si dhe nga fshatrat duke u afruar atyre pagesa të majme ditore. Faktet e zbuluara pothuajse çdo ditë për implikimin e punonjësve të policisë jo vetëm në rrjetin e kultivimit të hashashit por edhe të prostitucionit, tregon degradimin e shtetit, degradimin e institucioneve qeverisëse, duke nxjerrë blof ata që trumbetojnë akoma me të madhe se “kemi punësuar specialistë dhe jo militantë”.
Sigal