Vorpsi: “Nuk është në këndvështrimin e qeverisë çështja e pronave”

83

INTERVISTA/ Përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myshit Vorpsi, flet për procesin e kompensimit të tokës

  Përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myshit Vorpsi dhënien me qira të tokave bujqësore të pandara e cilëson si një strategji të qeverisë për të mos kompensuar pronarët. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Vorpsi shprehet skeptik për kthimin dhe kompensimin e pronave duke parë masat dhe angazhimin e kësaj qeverie. Sipas tij, qeveria po e ndan ose po e shet çdo pëllëmbë tokë që ka ngelur pa ndarë dhe që është pronë pushtetore.

 Zoti Vorpsi, qeveria para pak ditësh miratoi udhëzimin për dhënien e tokave të pandara me qira, ju si e shihni këtë nismë dhe si u duket çmimi i dhënies së tokës me qira?

Kjo është pjesë e një strategjie. Akti i dhënies me qira nënkupton që çfarë pronash janë të pandara, ose që nuk do të ndahen sot e tutje, patjetër që mund të jepen me qira nga pushteti vendor, sepse pasuritë po kalojnë drejt pushteteve vendore. Duke  pasur parasysh, edhe faktin që në vitin 2014 qeveria pasardhëse do të duhet krijojë fondin dhe të fillojë kompensimin e pronarëve. Kjo lë të nënkuptohet që në këndvështrimin e kësaj qeverie që është sot çështja e pronave dhe e pronarëve nuk është më problem, por do të jetë një problem për atë qeveri që do të vijë pas kësaj maxhorance. Unë nuk gjej dot më një përgjigje tjetër për pyetjen që më bëtë ju në lidhje me këtë çështje. Qeveria në të gjitha mënyrat po mundohet që çdo pëllëmbë tokë ta shesë ose ta ndajë. Ajo arrin deri aty pastaj që thotë që në 2014 do të fillojë kompensimi. Duke parë gjithë këto veprime që bëhen si: de fakto sipërfaqja e tokës bujqësore që është pa ndarë do të ndahet, fakti që repartet ushtarake të paprivatizuara deri sot do të privatizohen dhe ku pronarët nuk do të marrin gjë dhe fakti i fundit që qeveria po ndan tokat e pandara, edhe sot ajo që është pronë shtetërore pas një viti nuk do të ngelet më asgjë. Kjo lë të nënkuptohet që nuk është në këndvështrimin e kësaj qeverie çështja e zgjidhjes së pronave.

 – Ju thoni që nuk është në këndvështrimin e kësaj qeverie çështja e zgjidhjes së pronave. Por në deklaratat e zyrtarëve të lartë thuhet që po punohet për ta mbyllur këtë proces, si i komentoni ju?

Faktet tregojnë që këto deklarata janë pjesë e demagogjisë. Ato po bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndarë privatizuar, apo dhënë me qira çdo aset publik që nesër do të ishte ose fond për kompensimin e pronarëve, ose do të ishte edhe fond për kthimin fizik të pronës. Pra, kjo është një demagogji dhe këtë e vërtetojnë veprimet që po bën qeveria sot. Në këtë demagogji përfshi edhe atë deklarim që u bë para disa ditësh për lirimin e shtëpive të pronarëve. Të deklarosh të tilla gjëra do të thotë që e ke të mbyllur problemin. Por problemi i vetëm këtu është se si qeveria “ti hedhë hi syve qytetarëve” meqenëse po afron edhe fushata elektorale.

 -Është folur për strategjinë e kompensimit tokë me tokë, a është strategjia e duhur kjo për pronarët?

Ne e shikojmë të mundur dhe e shikojmë si të vetmen zgjidhje që ka mbetur tani, pasi është i mundur kthimi. Nëse thuhet që do të bëhet i mundur kompensimi financiar, ato janë vetëm gënjeshtra, kështu që në këto kushte e vetmja zgjidhje është kompensimi tokë me tokë. Por nëse nga ana tjetër ne po shohim që po bëhet çfarë është e mundur që çdo tokë e pandarë të ndahet dhe të jepet me qira, ne po shohim që de fakto qeveria po punon kundër kësaj strategjie.

 -Po propozimi i hedhur nga Banka Botërore për kompensimin e tokave me çmimin e komunizmit si e shihni?

Që të jem pak më i drejtpërdrejtë, raporti i Bankës Botërore është diskutuar me qeverinë paraprakisht në muajin mars dhe deri në daljen e tij, është rishikuar ky ndryshim. Futja e kësaj logjike në këndvështrimin tonë ka qenë një iniciativë e qeverisë sonë e interesuar për të hedhur në treg të tilla shifra. Ju e dini që sot po bëhet çfarë është e mundur për të krijuar një metodikë të re për vlerësimin e pronës, për të cilën ne jemi shprehur që ajo synon në të gjitha mënyrat që të uli çmimet e pronave që do të përdoret nesër në kompensimin e pronave. Për ne është e vështirë që të kompensohen pronat pas vitit 2014. Kjo do të thotë që të lësh me bindje të plotë atë që është e mundshme, pra qeveria po merret me të tjera probleme që nuk kanë të bëjnë me çështjet e pronarëve në Shqipëri. Qeveria po mundohet që ta dështojë këtë proces.