Vlorë, një i dyshuar për ‘bombën’ në makinën e Dervishit në Kryeministri

588
Sigal

Hetimet/ Është gjetur pronari i kartës në celular, ka dhe një të dyshuar, por ende nuk kemi prova të plota për akuzën

Konfirmimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, me një informacion konfidencial të ditës së djeshme mendohet të hedhin dritë mbi autorët e mundshëm dhe shkaqet e vënies së tritolit makinës së Besnik Dervishit, prefektit të Qarkut të Vlorës, ngjarje, e cila në opinion përflitet në dy versione, në atë të aktit të mirëfilltë terrorist (version qeveritar) dhe një shou… Burimet e mësipërme për “Telegraf” konfirmojnë se, “një person i dënuar më parë për vjedhje, është vënë në qendër të veprimeve hetimore që Prokuroria e Krimeve të Rënda, po kryen lidhur me vendosjen e tritolit poshtë makinës së prefektit të Vlorës Besnik Dervishi”.

BURIMET

Sipas këtij burimi, personi në fjalë momentalisht punon në një pikë lavazhi në qytetin e Vlorës dhe se aktualisht konsiderohet nga Prokuroria si personi kryesor i dyshuar për vendosjen e 200 gramë tritol C4, poshtë makinës së prefektit të Vlorës. Lajmi konfirmohet nga burime të rezervuara pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat pak ditë më parë kanë urdhëruar shoqërimin e këtij personi në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Këtij të dyshuari, përveçse dëshmive të hollësishme lidhur me pyetjet e prokurorëve, i janë marrë dhe shenjat e gishtërinjve, për t’i krahasuar me gjurmë të lëna në automjetin e Dervishit dhe celularin-bombë që u çaktivizua nga xhenierët. “Ky veprim është kryer, me qëllim krahasimin e gjurmëve të gishtave me disa gjurmë papilare, që janë konstatuar në xhamin e derës së majtë, poshtë së cilës ishte vendosur dhe sasia e lëndës shpërthyese si dhe në aparatin celular”,-shtojnë burimet e mësipërme.
HOLLËSITË PËR PROVAT

Burimet e mësipërme, japin dhe hollësi lidhur me provat e mundshme në ngarkim të të shoqëruarit (dhe të dyshuarit) për vënien e tritolit në makinën e Dervishit në oborrin e Kryeministrisë. Sipas këtyre burimeve, “ndonëse nuk ka prova bindëse që të faktojnë autorësinë e tij në vendosjen e tritolit në makinën e prefektit Dervishi, burime pranë prokurorisë thanë se dyshimet ndaj këtij personi janë krijuar për shkak se ai është parë disa ditë me radhë në zonën, ku Dervishi parkonte automjetin”. Referuar burimeve jo zyrtare të prokurorisë, “personi i dyshuar, disa herë ka kryer lavazhin (Larjen) e automjetit, dhe nisur nga kjo situatë janë krijuar dyshime të forta se ai mund të jetë paguar nga segmente të caktuara, për vendosjen e së tritolit në makinën e Devishit”. Mësohet se, i dyshuari, gjatë pyetjeve, ka mohuar lidhjen me ngjarjen e rëndë. Burimet e mësipërme thonë se, ai “ka shtuar se ka kryer larjen e makinës njësoj si në rastet e automjeteve të tjera dhe se nuk ka pasur informacion se e kujt zyrtari ishte automjeti”. Pavarësisht kësaj, mësohet se prokuroria vazhdon ta mbajë në mbi këqyrje këtë person, ndërkohë që, gjatë kontrollit të banesës së tij nuk është konstatuar asnjë lëndë apo mjet i dyshimtë që mund të lidhej me ngjarjen në fjalë’.
KARTA TELEFONIKE
Burimet e rezervuara nga hetimet, thonë se është gjetur dhe ‘pronari’ i kartës së celularit që do aktivizonte tritolin. “Hetimet për gjetjen e autorëve që vendosën 200 gramë tritol poshtë makinës së prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, kanë zbuluar një javë më parë një 50-vjeçar, si personin që ka pasur numrin që ishte vendosur në telefonin ‘Samsung’. Ky person konfirmohet se banon në Vlorë dhe se gjatë ditës së diel, është shoqëruar në polici ku dhe ka dhënë deklarime, lidhur me lëvizjet që ka kryer gjatë javës së kaluar dhe kohës së përdorimit të numrit celular. 50-vjeçari ka treguar para hetuesve, se kohë më parë ka pasur në përdorimin numrin që është gjetur në aparatin celular, i cili ishte lidhur me 2 dotanatorë dhe një sasi prej 200 gramë tritol. Ai ka vazhduar më tej se numri i tij është mbyllur nga kompania telefonike për shkak të mos futjes së lekëve brenda afatit kohor”-mësohet nga burimet e mësipërme. Mësohet se dëshmi të të dyshuarve apo lidhur me ‘to, nga grupi i hetimit janë grumbulluar dhe ditën e premte. Por me gjithë këto informacione jo zyrtare, në opinion ende ka dyzime me ngjarjen e shumëpërfolur; ishte akt terrorist, apo me prapavijë politike e qëllime të tjera…