Vjedhja e pronës publike/ Heqja e mbishkrimit të Teatrit Kombëtar është njësoj si zjarri që iu vu magazinës pas Kullës së Sahatit

460
Sigal

( Teatri Kombëtar, viktima e parë e ligjit të ri Rama për vjedhje e pronave publike )

 

Qeveria ka hequr gjatë natës mbishkrimin “Teatri Kombëtar” nga ndërtesa e Teatrit Kombëtar. Ky veprim natyrisht shënon së pari shuarjen e identitetit të ndërtesës, shkatërrimin e lidhjes institucionale të saj, për ta kthyer atë në një ndërtesë pa identitet, të lënë në rrënim.

Në këtë mënyrë, pas disa javëve ose muajve, kur qeveria të ndërmarrë hapin për prishjen e saj ajo nuk do të jetë formalisht duke rrëzuar ndërtesën e Teatrit Kombëtar, por thjesht një karakatinë pa vlerë dhe pa funksion. Mungesa e vlerave dhe pamundësia e supozuar e ndërtesës për të qenë ndërtesë teatri, ka qenë justifikimi kryesor për prishjen e saj. Të njëjtin justifikim qeveria Rama ka përdorur edhe në relacionin shoqërues të ligjit special për prishjen e teatrit, të paraqitur në Kuvend në vitin 2018:

“…Bazuar në përfundimin e diskutimeve në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitin 2004, ku IMK i dërgon Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve listën e objekteve monument kulture të kategorisë II, në Qendrën Historike të Tiranës, vërehet se në pikën 70, të listës bashkëlidhur kësaj shkrese, objekti “Teatri Kombëtar” përmendet si “ndërtesë pa vlera”.”

Por heqja e mbishkrimit mund të ketë të bëjë me një tjetër prapaskenë të Kryeministrit dhe Kryetarit të Bashkisë. Në Kuvend pritet të miratohet një ligj, i cili lejon tjetërsimin e tokës publike tek privatët për projekte zhvillimore të privatëve. Në mars të 2018, Kryeministri Rama publikoi projektin e hartuar nga firma daneze Bjarke Ingels për Teatrin e ri Kombëtar. Realizimi i të cilit do të bëhej nga kompania Fusha shpk, përmes një ligji special, të miratuar vetëm me votat e mazhorancën në nëntor të 2018-s. Ky ligj, nuk u dekretua nga Presidenti Meta. Ai u kritikua nga Bashkimi Evropian si shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe u ndryshua për të parashikuar garë në përzgjedhjen e projektit dhe firmës që do të realizonte zhvillimin e zonës. Që prej janarit, kanë kaluar të gjitha afatet zyrtare të përcaktuara në këtë ligj, për realizimin dhe hapjen e garës dhe përzgjedhjen e fituesve. Madje, përveç deklaratave publike të Kryebashkiakut Veliaj për prishjen e teatrit, Bashkia e Tiranës nuk ka ndërmarrë asnjëherë ndonjë hap në këtë drejtim. Kjo heshtje mund të shpjegohet me faktin se Kryeministri Rama nuk do që të përdorë garën, çfarë iu bë e pamundur nga trysnia e BE-së, madje as një garë fasadë. Sikurse ka dashur që në fillim ai do të negociojë direkt me firmën private dhe do të ketë kontroll të plotë mbi çdo aspekt të projektit zhvillimor. Gjithashtu, ai do që të shmangë rrezikun e hyrjes në garë të ndonjë firmë tjetër serioze, duke i prishur planin që zhvillimin ta bëjë me një firmë të përzgjedhur paraprakisht prej tij. Ndaj për të shmangur kundërshtinë e qytetarëve dhe të Bashkimit Evropian, Kryeministri pret të miratojë projektligjin, sipas të cilit:

 “Kalimi i pronës shtetërore në private të bëhet edhe në funksion të planeve të përgjithshme vendore, sipas kushteve dhe kritereve që përcaktohen me VKM. Vendimi i Këshillit të Ministrave, për këto raste, përcakton gjithashtu kushtet që duhet të plotësojnë kërkuesit e tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore si dhe organet që përfshihen gjatë procesit dhe rolin e tyre.”

Njësoj si në rastin e firmës Fusha, e cila ka një copë tokë të vogël ngjitur me tokën publike dhe ligji i propozuar i jep pushtetin Edi Ramës të negociojë direkt me Fushën për t’i dhënë truallin shtetëror. Mjaft që kjo tokë të mos jetë e zënë apo të ketë një funksion tjetër. Pra, ndërtesa e teatrit nuk duhet të jetë ndërtesë teatri, por një gërmadhë pa funksion. Njësoj si magazinat e Bashkisë pas Kullës së Sahatit që pasi u lanë në rrënim pa asnjë funksion, u dogjën qëllimisht dhe në mënyrë të rrufeshme, pa pritur edhe përfundimet e hetimit mbi zjarrin, Bashkia ia dha privatit me justifikimi se do të marrë disa zyra në kullën e që privati do të ndërtojë mbi këtë truall. Edhe pse është e paqartë baza ligjore e këtij shkëmbimi, kjo lloj qasje, negociatat dhe pazare direkt mes dyshes Rama-Veliaj dhe ndërtuesve, është bërë mënyra kryesore për tjetërsimin e pronave publike në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Prandaj, heqja e mbishkrimit të Teatrit sot është njësoj si zjarri që iu vu magazinës pas Kullës së Sahatit: Shuarja e funksionit dhe vlerës së një ndërtesë për t’i hapur rrugën pazareve për ndërtim, duke përdorur pronën publike si pronë private.