Veliaj: ‘Merr fund saga 5-vjeçare e rrugës së “Kosovarëve”, investimi u krye nga të ardhurat e parkingjeve publike’

504
Sigal

 

Përurohet
rruga e re e “Kosovarëve”, që lidh Parkun e Liqenit me Komunën e Parisit


Gazeta Telegraf/ Bashkia e Tiranës i ka dhënë fund pritjeve
disa vjeçare të banorëve të zonës duke mundur që brenda pak muajve të bëjë
realitet ndërtimin e rrugës së “Kosovarëve”, e cila lidh Parkun e Liqenit me
“Komunëne Parisit”. Rruga e re ofron standardet më të mira qoftë në përmasa,
ashtu edhe në elementë të tjerë, duke ofruar korsi për biçikletat dhe
vrapuesit. Të pranishëm në hapjen e rrugës për makinat dhe këmbësorët ishin
kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe deputeti i PS, Pandeli Majko,
të cilët vlerësuan kohën e shkurtër për ndërtimin e rrugës. 

 

“Kjo rrugë është përuruar disa herë edhe nga
bashkia e mëparshme. Por, me administratën e re gjërat i bëjmë vetëm një herë.
Saga 5-vjeçare e kësaj rruge merr fund këtu. Rruga e Kosovarëve, emri i dhënë
në kujtim të atyre ditëve të dhimbshme të viteve ’98-’99gjatë kohës së krizës
në Kosovë, u kthye mandej në një luftë tipike urbane brenda nesh, ku nuk i
japim dot zgjidhje disa gjërave që në fakt qyteti i meritonte shumë kohë më
parë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ai shtoi se kjo rrugë i ka dhënë mundësi
kësaj lagje që të urbanizohet plotësisht dhe të rrisë vlerën e pronave përreth.

 

“Njësia 5 sot është si dita me natën nga ç’ka
qenë më parë, qoftë me pastrimin, shkollat, këndete lodrave, çerdhet dhe
kopshtet. Më vjen mirë që pas gjithë këtyre investimeve cilësore dhe një
infrastrukturë e denjë, siç është kjo që lidh Digën e Liqenit me Komunën e
Parisit, shkurton kohë për njerëzit që duan të përdorin këtë rrugë për
transport. Gjithashtu, i shton jashtëzakonisht vlerën pallateve që janë në këtë
zonë, pranë Liqenit, por mbi të gjitha, si çdo investim i ri bashkisë, ka një
korsi të dedikuar të biçikletave, ka trotuare të bollshme, që të largohemi nga
investime që bëhen sa për të kaluar radhën dhe me asfalt elektoral”, deklaroi
Veliaj. Ai tha se edhe kjo rrugë, ashtu si edhe disa punë të tjera publike të
Bashkisë së Tiranës, janë bërë me të ardhurat nga tarifat apo taksat.

 

“Për këtë rrugë kanë paguar qytetarët me të
ardhurat e këtij viti nga agjencia e parkingjeve. 100 lekëshat që njerëzit kanë
paguar në parkingjet publike të bashkisë, janë përkthyer në korsi biçikletash,
trotuare dhe rrugë si kjo. Kjo do të thotë që secili qytetar që jep një
kontribut në mënyrë të ligjshme, me kupon tatimor, në agjencitë e bashkisë,
sigurohemi që automatikisht kthehet në investim publik”, theksoi Veliaj. Për
këtë arsye ai falenderoi qytetarët që kanë përdorur parkimin publik, pasi të
gjitha qindarkat janë mbledhur e janë administruar me kujdes për t’u kthyer më
pas në investime si kjo rrugë.

 

Deputeti i PS, Pandeli Majko, falenderoi
Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar Njësisë 5 në çerdhe, kopshte,
kënde lojërash si dhe infrastrukturë urbane. “Jemi përballë një prove sesi po
ecin gjërat në Bashkinë e Tiranës. Pra, dikush që e ka parë në televizor kur ne
ishim para 2-3 muajsh këtu për të inauguruar fillimin e punimeve, tani mund të
shikojë një punë vërtet të shkëlqyer nga ana e bashkisë. Komuniteti këtu nuk ka
çfarë të komentojë më tepër sepse realisht situata ka ndryshuar, nga një
histori fshati në një histori kryeqyteti, dhe mendoj se së bashku me investime
të tjera që do të vazhdojnë në këtë drejtim, do të kemi vërtet një histori
jashtëzakonisht të suksesshme për këtë pjesë të Tiranës”, përfundoi deputeti
Pandeli Majko.